Kolumnist

O sa mirë me qenë… protektorat (!) - Nga Vangjush Saro

E pse jo… protektorat, përderisa nuk jemi në gjendje të dalim vetë nga prapambetja dhe tangërllëku provincial?! Përsa kohë gënjejmë veten dhe s’e kemi për gjë të prodhojmë standarde orë e çast.

Mbase e fillova pak rrëmbyer këtë shënim. Por jemi bërë gazi i botës me lojërat tona për pushtet dhe me atë pasiguri të frikshme sa i takon jetës së qytetarëve; ata veç ngrenë supet. Në fakt, loja me standardet nuk është thjesht e vetëm historia jonë; por gjithsesi, ndër ne shqiptarët, është bërë e padurueshme. Nuk ka një pajtim konstant me ligjin dhe me parimet e Demokracisë. Rëndom, shohim luftëra të vockla, pastaj shkelje të hapura e teprime, më tej interpretime të skajshme e, më në fund, shpjegime konfuze, në mos justifikime, që gjendemi në këtë situatë sa qesharake, aq edhe për të ardhur keq. (A nuk ishte kështu episodi më i fundit i zgjedhjes së Presidentit në Kosovë?)

Për ne, standardet janë vërtet lojëra; politike ose të klanit. Bie fjala, pse duhet të gëzohemi që… na e kaloi Mali i Zi? (Në atë punën e pranimit në BE.) Ose pse duhet të mos ndjejmë asfare për ata që po vuajnë për shkak të interpretimeve pa frena të parimeve dhe ligjit? Pse duhej shfaqur aq egërsi ndaj z. I. Meta, që nga arrestimi deri te kafazi? Ka qenë një figurë e rëndësishme e jetës në vend, në disa detyra madhore. Edhe nëse ka prova për ndonjë devijim në jetën e tij, në karrierën e tij politike - por duket sikur nuk po paraqiten ato - qëndrimi ndaj tij është i papranueshëm. (“Kam frikë nga nata. Kam frikë nga jo-nata.” F. Kafka)

Kam dëgjuar këto ditë njerëz, edhe kolegë, që kanë shprehur ndjeshmëri në këtë temë, absolutisht pa iu rënduar Drejtësisë. Ndërkohë, disa të tjerë - me gjasë, qibarë e “skrupulozë” - kanë broçkollitur si e ëma e Zeqos majë thanës. Po kujtoj, që një shembull i sjelljes “me terbjet” ndaj një politikani të lartë, na vjen nga Franca, në mënyrën si është trajtuar ish-presidenti i vendit, z. N. Sarkozi. U akuzua për disa afera, por procesi vazhdon duke qenë në një liri të kufizuar. Pse ne duhet të bëjmë ndryshe nga bota, ç’është kjo megalomani? Po ashtu do të thosha edhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. E. Veliaj dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, I. Beqja. A mund të barazohen ata me keqbërës të rëndomtë? Marrja nëpër këmbë e tyre, pa folur ende Gjykatat, shkelja po me këmbë e standardeve, po na kushtojnë; dhe kjo do të bëhet edhe më keq më tej, nëse fërkojmë barkun kur të tjerët vuajnë…

Gjithnjë, pamja tjetër (e qasjes te standardet) vjen krejt ndryshe. Kryeministri i vendit, z. E. Rama, po sillet si autokrat me disa nga bashkëpunëtorët e tij, bie fjala me ish-ministren e Jashtme E. Spiropali. Ndërkohë, një standard krejt tjetër përdori ai ndaj ish-zëvendëskryeministres Balluku, e akuzuar për një sërë shkelje të rënda; po ashtu edhe për të tjera figura të kompromentuara të PS-së, si ajo “e pastreha” që drejtonte AKSHI-n… Oops!

Po të kemi parasysh standardet e Evropës, ku duam të shkojmë, z. Rama duhej të ishte dorëhequr me kohë, e jo vetëm për gënjeshtrat për zj. Karçanaj, por edhe të tjera episode, (që e përqeshin këmbënguljen e tij për të mbetur në pushtet.) Gjithaq, një lider aq jetëgjatë sa z. S. Berisha, mund të gjejë qetësinë dhe modestinë e duhur për t’u tërhequr nga jeta politike, duke shmangur degradimin e shumëçkaje. Këtë e kërkon koha, e kërkon e ardhmja e vetë Partisë Demokratike, madje edhe e vendit, që mezi pret të ribëhet opozita dhe, pse jo, të ndërrojë pushteti. (“Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.” O. Uajlld)

Vërtet; pushtetarët dhe politikanët tanë e zgjasin shumë “davanë”. S’i heq dot nga kolltuku sikur qiell e dhè të bëhen një. Javët e fundit, kryeministri i Britanisë së Madhe, z. K. Starmer, u vu me shpatulla për muri pse kishte toleruar një ambasador të ngatërruar me “qeflinjtë” e pedofilit Epshtein. Fundja, bëhej fjalë për një paqartësi në lidhje me emërimin e atij zotërisë. Por opozita e kryqëzoi kryeministrin për ditë të tëra. Kaq; për të mos u shtyrë më tej, me të tjerë personazhe, që i qasen jetës dhe publikut me standarde të ndryshëm dhe gjithaq, për të mos u ngatërruar në lojërat me ngushtica e me naftë…

Në fakt, botës - zhytur jetë e mot në hile e në situata të paqarta - s’kemi ç’i bëjmë; nuk e kemi as tagrin dhe as fuqinë të ndikojmë… Le të kthehemi në hallet tona, të Shqipërisë e të Kosovës. Shikoni si e zhytën ata vendin sërish në zgjedhje të parakohshme! Dhe veç ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Ku është luajtur një vodevil këso? Shikoni se si zyrtarët e shtetit shqiptar praktikojnë dy standarte për gjërat më të thjeshta: për një pronë, për një ndërtim pa leje, për një rrugë a rrugicë, për konflikte pa fund, që po e zhysin vendin në pasiguri. Në disa raste - punë njohjesh dhe ryshfetesh - zbatohet aksh standard; por për shumicën, ai nuk gjendet, nuk funksionon (!)

Vështirë ta themi zëplotë se vetëm kjo - historia me dhe pa standarde - është një arsye madhore për precedentë e teprime; por mbetet ndër shpjegimet më bindëse për aq shumë ngjarje, vetëgjyqësi, gjer edhe episode tragjike. Po ndalem pak këtu. Me ç’standard do parë gjakmarrja, pse jo edhe Kanuni, që disa të mençur (që dikur i kanë shërbyer PPSH-së) na e pozojnë si shpikje të madhe (!) U desh ai vërtet, dikur; në një kohë të kufizuar, në zona të kufizuara. Kaq. Përse e sjellin dhe e risjellin, ca si praktikë për të zhdukur të tjerët, ca si teori për të na treguar “kulturën” e tyre dhe “madhështinë” e shkrepave nga vijnë?! Soj-soj snobësh e trazojnë mendjen e këtij populli për t’u shitur… konservatorë, antikomunistë, duke shtuar ngjyrat e errëta në një klimë që, për Zotin, më e keqe s’ka qenë asnjëherë.

Më në fund, gjej rastin të shtoj që edhe reagimi qytetar, si dhe ai i enteve a organizmave sociale, në të gjithë këtë temë, është tejet i vakët; për fat të keq. (“Një popull i strehuar brenda zërit të tij…” Xh. Xhojs) Duke e parë tablonë në gjithë hijet e saj, të vjen t’i përcjellësh me trishtim ato mburrjet për gjuhën dhe lashtësinë, atë bërjen e shqiponjës me pëllëmbët e duarve, ato thirrjet frenetike që ndonjëherë (s’më vjen mirë ta them e ta përsëris) mund të merrnin edhe trajta groteske, dëshpërimisht të tilla: O sa mirë me qenë… protektorat!

Protektorat?! E di që kjo e shpie bisedën atje ku s’bën e ku nuk mban; por ja, le të dalë ai më patrioti e më i duruari dhe të na mbajë me pak shpresë se mund t’ia dalim edhe vetë…

© Vangjush Saro - Vancouver