Njoftime

Pengohet sërish vota e emigrantëve - Proteston Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Deklaratë e Lëvizjes Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Diaspora Për Shqipërinë e Lirë shpreh indinjatë të thellë për vendimin e sotëm të Komitetit Teknik për masën e karantinimit të detyruar për bashkombasit tanë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

Kjo masë pengon dhe u mohon të drejtën e votimit emigrantëve shqiptarë që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese! Për më tepër, duke parë që të ardhurit nga vendet e tjera nuk kanë nevojë ti nënshtrohen kësaj mase, direktiva ështe thellësisht diskriminuese ndaj komuniteteve tona në të dy vendet.

Duke marrë shkas nga ky vendim, Grupi i Shëndetësisë brenda Lëvizjes, i përbërë nga mjekë të mirënjohur dhe ekspertë në fushën e shëndetit publik të cilët nderojnë Shqipërinë kudo në perëndim, mori në shqyrtim të dhënat shkencore të deri më tanishme. Konkluzioni ishte i qartë: Vendimi nuk ka asnjë bazë shkencore!

Prandaj, vendimi i sotëm rezulton kryekëput politik dhe nxjerr zbuluar atë që dyshohej prej kohësh tashmë, se ky Komitet nuk i shërben më Shëndetit Publik, por thjeshtë interesave të politikës.

Diaspora Për Shqipërinë e Lirë solidarizohet me shoqatat dhe organizatat e ndryshme në Greqi dhe u bashkohet thirrjes së tyre për Qeverinë Shqiptare që kjo masë absurde të rishikohet urgjentisht.

Pas mohimit të votës së Diasporës, heqjes së të drejtës se votës të personave me aftësi të kufizuara, heqjes së të drejtës së votës për personat e infektuar me Covid-19, tashmë Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë masën ekstreme të moslejimit të votimit për qytetarët që dëshirojnë të kthehen nga Greqia apo Maqedonia e Veriut.

Sot, Diaspora shqiptare u godit për së dyti nga kjo qeveri.

Ndal abuzimit me Diasporën! Ndëshkoni me votë abuzuesit!

Shqipëria është e para!

19 Prill 2021