Njoftime

Alternativa Civile, thirrje emigrantëve: Të bëhemi 1 milion dhe të kërkojmë votën tuaj!

Të dashur bashkëkombas, kudo ku jetoni e punoni!

“Alternativa Civile”, një lëvizje qytetare në Shqipëri, e konsideron votën tuaj mundësinë e vetme për të bërë transfuzionin e klasës politike në Shqipëri. Ne kemi hartuar një paketë ideshë, të quajtur “Platforma për Ndryshim”, dhe vota juaj është një nga kauzat më të rëndësishme të kësaj platforme. Ne do të lobojmë që qeveria t’ua mundësojë që ju të votoni atje ku jetoni e punoni, ta ushtroni të drejtën tuaj atje, si shtetasit e çdo vendi tjetër. Por ne kemi nevojë për ndihmën tuaj dhe të çdo shqiptari tjetër, që ta bëjmë këtë.

Përse vota e emigrantëve është e rëndësishme?

Ata nuk e shesin votën!

Ata nuk shantazhohen!

Ata nuk joshen nga interesa të vockla të momentit!

Ndaj asnjë qeveri nuk është e gatshme ta mundësojë këtë. Sepse “një grusht njerëz” që kanë mbetur këtu dhe që zvogëlohet çdo ditë, numërohen më lehtë politikisht dhe kontrollohen më lehtë.

Ne jemi kundër zërave që thonë se ata që nuk paguajnë taksa këtu, s’mund të vendosin për qeverinë.

JO!

Sepse vota është një e drejtë kushtetuese për çdo shtetas!

Sepse emigrantët janë kontribuesi më i madh në këtë vend, më shumë edhe se vetë qeveritë. 

Remitancat kanë mbajtur e mbajnë gjallë mijëra familje shqiptare.

Remitancat janë burimi i financave për ndërtimin e mijëra shtëpive të reja, dyqaneve e restoranteve, hoteleve dhe bizneseve të vegjël.

Sot shqiptarët jetojnë më mirë se 30 vjet më parë, falë djersës dhe gjakut të emigrantëve.

Ne do të ndërmarim një proces të gjatë, hap pas hapi për këtë.

Si hap i parë, ne ju propozojmë të shprehni masivisht vullnetin për këtë gjë.

TË BËHEMI 1 MILION SHQIPTARË QË TI THEMI “PO” VOTËS SË EMIGRANTËVE, ATJE KU JETOJNË E PUNOJNË

Shpërndajeni këtë postim që tani, dërgojuani miqve dhe të njohurve tuaj, kudo, në Shqipëri, në Itali, Gjermani, Amerikë e Zelandë të Re.

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për paratë e emigrantëve, por edhe për kontributin e tyre politik, për votën e tyre.

23 prill 2022