Aleksandr Dugin dhe shkatërrimi i Perëndimit nga brenda
- Published in Kanada
 
 - Nga: Richard Martineau - Journal de Montréal

Në vitet e fundit, koncepti i “luftës hibride” është bërë qendror në analizat mbi strategjitë globale të fuqive autoritare si Rusia apo Kina. Artikulli që po sjellim sot është një reflektim i kthjellët dhe tronditës i këtij realiteti. I shkruar nga publicisti kanadez Richard Martineau, ky tekst hedh dritë mbi idetë e Aleksandr Dugin, një nga figurat më të errëta por më me ndikim të gjeopolitikës bashkëkohore, dhe lidhjen e tyre me strategjinë destabilizuese të Kremlinit ndaj Perëndimit. Për lexuesin shqiptar, ky artikull është një ftesë për të parë përtej luftërave të dukshme ushtarake dhe për të kuptuar si po zhvillohet një luftë e heshtur, por e përditshme, në planin ideologjik dhe informativ - një luftë që synon vetë shtyllat e rendit demokratik (Redaksia).
Një libër i botuar në vitin 1997 zbulon strategjinë afatgjatë të Rusisë për të dobësuar dhe shkatërruar Perëndimin, jo përmes një lufte të hapur, por nga brenda.
A e njihni Aleksandr Dugin?
Ky intelektual, i afërt me Vladimir Putinin, konsiderohet nga shumë si “ideologu i Kremlinit”. Mendimet dhe shkrimet e tij trondisin shoqëritë perëndimore dhe ndihmojnë në përhapjen e një virusi ideologjik që kërcënon vetë bazat e demokracisë.
Dugin është më ndikues sesa mund të mendohet. Ai është cilësuar si më i rrezikshëm për Perëndimin se Karl Marx, George Soros apo edhe Donald Trump. Dhe megjithatë, shumë pak njerëz kanë dëgjuar për të.
Në vitin 1997, ai botoi librin “Bazat e gjeopolitikës - E ardhmja gjeopolitike e Rusisë”, që sot përdoret si udhërrëfyes nga elitat ushtarake dhe diplomatike ruse. Në këtë libër, Dugin argumenton se Perëndimi është një kërcënim ekzistencial për “Rusinë e Madhe” dhe duhet asgjësuar, jo me tanke, por duke përdorur dobësitë e vetë shoqërive perëndimore.
Çfarë propozon ai?
Të përdoren rrjetet sociale për të nxitur ndjenja antiamerikane. Të mbillet dyshim ndaj institucioneve demokratike. Të ndihmohen grupet ekstremiste, si të majta ashtu edhe të djathta. Të nxisen ndarjet racore, sociale dhe etnike. Të mbështetet çdo formë përçarjeje dhe radikalizimi, nga lëvizjet radikale “woke” deri te nacionalistët ekstremë.
Dugin e kupton që nuk ka nevojë për luftë të armatosur, kur mund të nxisësh një klimë lufte civile nga brenda. Mjafton të mbjellësh urrejtje ndaj vetes, ndaj vlerave që kanë ndërtuar Perëndimin: liria, laiciteti, arsyeja, shkenca, drejtësia, kompromisi. Një shoqëri që fillon të përçmojë themelet e saj, është një shoqëri që shkon drejt rrënimit.
Kjo nuk është teori konspirative. Është një strategji e shpallur, e shkruar dhe e zbatuar. Rusia e Putinit, përmes kësaj doktrine të Dugin-it, është duke ndjekur një ofensivë globale për të minuar Perëndimin. Përmes rrjeteve sociale, përmes propagandës së rafinuar, përmes bashkëpunimit me media dhe intelektualë të vetëshpallur anti-establishment, ky virus ideologjik po përhapet.
Dugin e shikon Donald Trump si një instrument perfekt për këtë strategji: një figurë që ndan, përçan, nxit dyshim dhe urrejtje, dhe trazon rendin institucional të Amerikës. Por kjo strategji nuk ndalet me Trump. Ajo funksionon edhe nëpërmjet grupimeve ekstreme në të dy krahët e spektrit politik.
Pas gati tri dekadash që nga botimi i librit të tij, Dugin ka arritur të lëkundë themelet e demokracive perëndimore. Në dobi të interesave të Rusisë dhe gjithnjë e më shumë, edhe të Kinës.
Burimi: Journal de Montréal
Foto nga Facebook
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










