Njoftime

Thirrje e Lëvizjes “Diaspora për Shqipërine e Lirë”: Të largohet me votë mazhoranca e sotme!

Deklaratë për zgjedhjet e datës 25 Prill 2021

Lëvizja “Diaspora për Shqipërine e Lirë” e lindur si një lëvizje qytetare e nje grupi shqiptarësh qe jetojnë jashtë vendit, po ndjek me vëmendje e interes të vecantë fushatën zgjedhore në Shqipëri.

Gjate vitit te fundit, ne kemi qenë prezentë dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve politiko-shoqërore në atdhe, nëpërmjet aktivizmit, mbështetjes së kauzave qytetare dhe bashkimit të zërit tonë me atë të bashkatdhetarëve tanë, në përpjekjet e tyre të përditshme drejtë kërkesës së llogarisë dhe luftës për drejtësinë e munguar.

Me shqetësim kemi vënë re një përkeqësim të vazhdueshëm të qeverisjes së vendit dhe të shumë treguesve të tjerë të funksionimit të demokracisë në Shqipëri.

Mungesa e llogaridhënies, përqëndrimi i të gjitha pushteteve në duart e një grushti njerëzish dhe niveli i papranueshëm i abuzimit me të drejtat e qytetarëve është një kambanë alarmi për këdo që beson në parimet demokratike të funksionimit të një shteti.

Në prag të këtyre zgjedhjeve, atdheu ynë ndodhet në një udhëkryq të rrezikshem dhe përcaktues për të ardhmen demokratike të tij për vitet në vazhdim.

Pavarësisht se Lëvizja jonë është e natyrës qytetare dhe nuk mbështet asnjë forcë politike të vecantë, ne jemi shumë të shqetësuar për mënyrën si është qeverisur vendi nga mazhoranca aktuale, për vizionin e saj jo-demokratik në politikëbërje, korrupsionin e lartë, kriminalizimin e politikës dhe tendencën autoritariste në rritje në drejtimin e shtetit.

Për këtë arsye, ne mendojmë se largimi me votë i keq-qeverisjes aktuale nëpërmjet zgjedhjeve te 25 Prillit, do të ishte një ngjarje e mirëpritur, në dobi të vendit dhe mbi të gjitha në dobi të demokracisë së brishtë shqiptare.

Në kushtet ku ndodhet vendi, ky ndryshim do të jepte frymarrje dhe do të krijonte premisa dhe mundësi për rifunksionim të institucioneve.

Për këtë arsye, Lëvizja jonë i bën thirrje familjarëve, miqve e gjithë qytetarëve shqiptarë që me datë 25 Prill të votojnë masivisht me synim objektivin e madh të rikthimit të shtetit dhe demokracisë shqiptare në binarë institucionalë.

Shumë nga ne do të udhëtojnë nga larg për të votuar me date 25 Prill duke qenë se premtimi i kësaj qeverie për votën e emigrantëve nga vendbanimet nuk u mbajt, ashtu si shumë premtime të tjera të saj.

Ne e shohim votimin si një detyrë patriotike në këtë udhëkryq të rrezikshëm ku ndodhet demokracia shqiptare.

Koha nuk pret dhe vendi ka nevojë për kontributin e gjithësecilit për të sjelle vendin në normalitetin e shumëdëshiruar nga të gjithë.

Shqipëria është e para!