Kanada

Kanada: Konservatorët nuk do të mbështesin projektligjin C-2 për sigurinë kufitare

  • Published in Kanada

“Ne u kemi deklaruar Liberalëve se projektligji i tyre aktual C-2 nuk do të miratohet, përveç nëse ata pranojnë heqjen e dispozitave që shkelin liritë individuale dhe privatësinë e kanadezëve”, deklaroi kreu konservator, Pierre Poilievre, në një intervistë për CBC News.

Projektligji C-2 për sigurinë kufitare është një nismë ligjore e propozuar pranverën e kaluar nga qeveria Carney, për të zbutur qëndrimet e administratës Trump lidhur me shqetësimet e saj për këtë çështje. Presidenti amerikan kishte paralajmëruar gjithashtu se do të vendoste tarifa doganore derisa Kanadaja të ndërmerrte hapa për të ndalur hyrjen e drogërave, sidomos të fentanilit, dhe të gjithë emigrantëve të paligjshëm që përpiqeshin të hynin në Shtetet e Bashkuara.

Kreu i qeverisë në Dhomën e Komunave, Steven MacKinnon, e pat paraqitur më pas këtë projektligj, i cili synon t’u sigurojë forcave të rendit mjetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e kufijve. Megjithatë, grupe të mbrojtjes së të drejtave civile dhe ekspertë të privatësisë e kanë kritikuar këtë projekt, duke pohuar se disa dispozita shkojnë përtej qëllimeve të shpallura të ligjit.

“Ne nuk mendojmë se kanadezët që respektojnë ligjin duhet të humbasin lirinë e tyre për të paguar dështimet e liberalëve në fushën e kufijve dhe imigracionit”, shtoi gjithashtu Poilievre.

Kompetenca të zgjeruara

Projektligji, me 140 faqe, parashikon kompetenca të zgjeruara për shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës, përfshirë zgjerimin e mundësisë për të hapur e inspektuar postën, si dhe për t’u dhënë autoriteteve fuqinë të anulojnë ose të pezullojnë dokumente të imigracionit. Ai propozon gjithashtu që policia të ketë mundësi t’u kërkojë ofruesve të internetit dhe bizneseve të tjera online të dorëzojnë informacion mbi abonentët e tyre.

“Projektligji C-2 përbën një sulm shumëdimensional ndaj të drejtave dhe lirive themelore, për të cilat kanadezët janë thellësisht të përkushtuar”, ka pohuar Tim McSorley, koordinator kombëtar i Koalicionit për Mbikëqyrjen Ndërkombëtare të Lirive Civile, duke vënë në dyshim përputhshmërinë e tij me Kartën Kanadeze të të Drejtave dhe Lirive.

Konservatorët tashmë kishin shprehur shqetësime lidhur me dispozitat për mbikëqyrjen të përfshira në këtë projektligj. Në kushtet e qeverisjes në minorancë, Liberalëve u nevojiten votat e të paktën një partie tjetër për të miratuar ligjin. Edhe Neo-Demokratët, edhe Blloku i Kebekut kanë shprehur shqetësime të ngjashme mbi abuzimet e mundshme të qeverisë.

Kërkohet rikthim në tryezën e diskutimeve

Të premten (03.10), Poilievre konfirmoi se partia e tij nuk do ta mbështeste projektligjin aktual dhe u bëri thirrje Liberalëve të paraqesin një tekst të ri.

“Ata duhet të paraqesin një projektligj të ri, i cili të përqëndrohet te shkelësit e ligjit, tek rikthimi i rendit në kufi, te dëbimi i azilkërkuesve mashtrues, ndërkohë që u lejon njerëzve të dërgojnë doukemente me postë, të përdorin internetin apo të kryejnë transaksione me para në dorë ligjërisht”, tha ai.

Një zëdhënës nga zyra e z. MacKinnon refuzoi të komentonte nëse qeveria do të ishte e gatshme ta amendonte në mënyrë të ndjeshme projektligjin apo të paraqiste një version të ri.

Kreu konservator kujtoi se forcat e rendit gjithmonë mund të kryejnë kontrolle, përfshirë inspektimin e postës, por ata duhet të marrin paraprakisht një leje nga gjykata për ta bërë këtë.

“Posta është gjëja më e lehtë për të cilën mund të marrësh miratimin për verifikim. Nëse dyshon se një paketë ose një zarf përmban diçka të dyshimtë, e veçon mënjanë, shkon te një gjyqtar dhe merr lejen e kontrollit. Zarfi ose paketa nuk kanë këmbë që të ikin”, përfundoi Poilievre.

Burimi: CBC News

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld