Kanada

Mjegulla buxhetore e Mark Carney - Nga Gérald Fillion

  • Published in Kanada
Nga: Gérald Fillion, Radio-Canada

Që prej ardhjes së tij në pushtet, Mark Carney po shpall vendime të njëpasnjëshme, sikur në Ottawa të mos kishte kufij buxhetorë. Më shumë para për sektorin ushtarak, ulje taksash, heqje tarifash. Sipas Institutit C.D. Howe, me ritmin aktual, deficiti buxhetor për vitin 2025-202626 mund të kapërcejë shifrën 90 miliardë dollarë. Dhe kujtoj që ende nuk është shpallur buxheti vjetor.

“Jemi në një moment historik”, deklaroi ministri federal i Financave, François-Philippe Champagne, në emisionin Zone économie të martën mbrëma (26.08), duke lënë të kuptohet se, përballë problemeve të mëdha, mund të përdoren masa ekstreme dhe deficiti mund të jetë më i lartë nga sa pritej.

“Po bëj një analogji mes viteve 1945 dhe 2025, kur C.D. Howe iu desh të rindërtonte shtyllat e ekonomisë kanadeze. Mendoj se jemi në një moment të ngjashëm, ku ekonomia jonë do të duhet të ridizajnohet në disa sektorë për të siguruar qëndrueshmëri, jetëgjatësi dhe mirëqenie afatgjatë për kanadezët.” - shtoi ministri

Është ironike të përmendet emri i politikanit C.D. Howe, ndërkohë që instituti që mban emrin e tij na alarmon për nivelin e deficitit aktual. C.D. Howe konsiderohet si njeriu që transformoi ekonominë kanadeze përmes planit industrial gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht si ministër i Furnizimeve Ushtarake në vitin 1940, pastaj si ministër i Rindërtimit në vitin 1944.

“Jemi në një transformim të plotë ekonomik”, theksoi gjithashtu ministri Champagne. “Është më e udhës të kemi një buxhet në tetor, për të mos i nxituar gjërat dhe, mbi të gjitha, për t’iu paraqitur kanadezëve një bilanc financiar serioz dhe rigoroz.”

Më shumë shpenzime, më pak të ardhura

Megjithatë, vonesa e paraqitjes së buxhetit na detyron të konkludojmë se në Ottawa ka një mungesë reale transparence. Në muajt e fundit, qeveria Carney hoqi dorë nga disa dhjetëra miliarda dollarë të ardhura, duke ulur taksat, duke hequr TVSH-në për blerësit e parë të një banese të re nën një milion dollarë, duke anuluar vendosjen e një takse digjitale për gjigantët e internetit dhe duke hequr taksën e karbonit si dhe rritjen e tatimit mbi fitimin nga kapitali.

Qeveria ka shtuar edhe shpenzimet, ndër të tjera me angazhimin për të injektuar këtë vit 9 miliardë dollarë shtesë në mbrojtje. Për më tepër, duke anuluar një pjesë të madhe të kundër-tarifave mbi importet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja nuk do të arrijë kurrë të mbledhë 20 miliardë dollarë nga të ardhurat doganore, siç ishte parashikuar në kornizën financiare të Partisë Liberale gjatë fushatës elektorale së prillit të kaluar.

“Pra, po lundrojmë pa radar. Mendoj se vlerësimi i Institutit C.D. Howe është më pranë realitetit të deficitit sesa ai që sugjeroi qeveria gjatë fushatës, prej 62 miliardë dollarësh,” - tha Yves Giroux, drejtori parlamentar i buxhetit, në emisionin po në Zone économie. “Dhe jemi shumë larg asaj që u njoftua në komunikatën ekonomike të dhjetorit 2024, prej rreth 40 miliardësh. Është e qartë që s’jemi më në ato shifra.”

Po sipas Giroux, edhe pse Kanadaja mbetet në një situatë të qëndrueshme financiare dhe fiskale, duket se qeveria ka devijuar nga disa tregues kyç. “Krijohet përshtypja sikur qeveria nuk ka më spiranca buxhetore,” tha Giroux. “Është ngritur spiranca prej kohësh, dhe nuk dihet mirë kah po lundrojnë financat publike.”

Ndërkohë, François-Philippe Champagne u ka kërkuar ministrive shkurtime të mëdha, që në fund duhet të arrijnë në 15 % brenda një viti. Ai premton se shërbimet publike nuk do të preken, as transfertat për provincat dhe individët.

Vlen të theksohet gjithashtu se ekonomia kanadeze vazhdon të ngadalësohet, çka do t’i dobësojë edhe më shumë të ardhurat shtetërore. Në tremujorin e dytë, rënia e PBB-së reale me ritëm vjetor është e theksuar: -1,6 %, më keq se ç’pritej. Dhe që prej vitit 1961 nuk ishte parë një rënie kaq e madhe e bilancit tregtar, si pasojë e një uljeje të eksporteve me 26,8 % në ritëm vjetor. Kjo pasiguri tregtare kontribuoi gjithashtu në një rënie prej 32,6 % të investimeve në makineri dhe pajisje.

Pa drejtor parlamentar buxhetor nga 2 shtatori?

Mungesës së transparencës i shtohet edhe fakti që qeveria Carney ende nuk ka emëruar pasuesin e Yves Giroux, drejtorit parlamentar të buxhetit. Mandati i tij mbaron nesër më 2 shtator.

Ministri Champagne deklaroi se do të ketë një emërim “në kohën e duhur”. Por qeveria duhej ta kishte bërë këtë njoftim shumë më herët, për t’i dhënë mundësi Giroux të transferonte siç duhet dosjet e tij te pasardhësi. Qeveria mund të kishte zgjedhur edhe rinovimin e mandatit të tij.

Mos vallë e konsideronte Giroux shumë kritik ndaj administratës? Dhe ndoshta qeveria dëshiron, pa e thënë hapur, që në këtë periudhë mjegulle buxhetore, kjo karrige të mbetet bosh? Një gjë është e sigurt: a është e përshtatshme të mos ketë një drejtor parlamentar buxheti pikërisht kur kemi nevojë më shumë se kurrë për këtë ekspertizë të pavarur?

Edhe një herë, qeveria liberale po tregohet e vonuar në emërime, një zakon i keq i epokës Trudeau, që duket se nuk është zhdukur në fillim të mandatit të Mark Carney.

Nëse, siç thotë François-Philippe Champagne, po jetojmë një “moment C.D. Howe”, a nuk është urgjente të kemi në dorë të gjithë mjetet e nevojshme që publiku të kuptojë qartë synimet e qeverisë?

Kur do të kemi një drejtor parlamentar dhe kur do të shpallet data e buxhetit të vitit? Kur do të shpërndahet mjegulla buxhetore?

Burimi: Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld