Njoftime

Organizata Diaspora për Shqipërinë e Lirë: Shqipëria votime, jo zgjedhje të lira

Edhe këtë herë, Shqipëria u përfshi në votime, por jo në zgjedhje të lira - Një përmbledhje e shkurtër e gjetjeve në kuadër të procesit të monitorimit zgjedhor, kryer nga Diaspora për Shqipërinë e Lirë në 14 Maj 2023 teksa Raporti i detajuar do t’i dergohet KQZ dhe OSBE.

Për të ofruar një perspektivë të jashtme dhe të pavarur, për promovimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe parimeve demokratike, Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka monitoruar procesin e zgjedhjeve lokale të datës 14 Maj.

Nga vëzhgimi i rreth 40 qendra votimi/numërimi, të shpërndara në 20 rrethe, u konstatuan shkelje të ndryshme procedurale si dhe të parimeve demokratike, si vijon:

- Militantë partiakë aktivisht të angazhuar për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale në përpjekje për të influencuar rezultatet në favor të partisë së tyre, duke përdorur taktika si intimidimi, shpërndarje e informacioneve jo te sakta apo edhe duke u përpjekur të ndikojnë në procesin e numërimit të votave.

- U konstatuan raste kur operatorë të pajisjeve elektronike të identifikimit ishin patronazhistë të partisë në fuqi, kjo në mbi 10 qendra votimi në Tiranë. Skema Operator PEI - Vëzhgues - Patronazhist ishte lehtësisht e dallueshme.

- Prani e individëve të paautorizuar që qëndronin jashtë qendrave te votimit, duke krijuar situata dhe një atmosferë që mund të cenonte integritetin dhe privatësinë e procesit të votimit. Prania e këtyre individëve ngriti shqetësime lidhur me ndërhyrjen, intimidimin ose qasjen e paautorizuar në informacionin e votuesve të ndjeshëm, duke theksuar nevojën për masat e sigurisë efektive për të ruajtur shenjtësinë e procesit zgjedhor.

- Mosruatja e votimit të fshehtë u vu re në shumë nga zonat e vrojtuara. Shpesh kjo bëhej në mënyrë krejt flagrante duke komunikuar me zë të lartë kodet personale të gjeneruara pas identifikimit, nga anëtarët e komisionit tek vëzhguesit partiakë. Kjo rezultoi në shkelje të lirisë së votuesve për të shprehur zgjedhjet e tyre politike në mënyrë konfidenciale. Në lidhje me fshehtesinë e votës, u vunë re po ashtu dhe shoqërime të personave për të votuar në vendet e fshehta të votimit nga persona të paautorizuar dhe pa protokollim, duke cënuar rëndë fshehtësinë e votës.

- Mosfunksionim i pajisjeve elektronike të kërkuara për një mbarëvajtjeje sa më të mirë të procesit zgjedhor. Në disa zona PEI nuk ishin funksionale dhe si rrjedhojë votimi u krye pa to në zona si Tirana dhe Durrësi. Po ashtu u vu re se prania e kamerave të fikura/jo funksionale në disa zona si në shkollat Bajram Curri dhe Abedin Dine në Durrës, Tiranë etj.

- Masat e sigurisë dhe të qetësisë publike nga organet kompetente, gjatë procesit të votimit, ishin të pamjaftueshme dhe në mospërputhje me procedurat dhe rregulloret përkatëse

- Shkelje të tjera proceduriale në lidhje me rregullat dhe kërkesat e Kodit zgjedhor si p.sh. mbi protokollimin e mungesës së anëtarëve të komisionit, ne disa qendra si në Durrës, Tiranë, Golem, Kavajë etj. Procesverbalet e hapjes së procesit zgjedhor (e rëndësishme që kopja origjinale ku përfshihen dhe kodet/elementët e sigurisë së kutisë), ishin jashtë kutisë ose u mungonte vula e sekretarit. Kopje të procesverbalit të hapjes së votimit gjendeshin në posedim të vëzhguesve partiakë

- Mungesë e kompetencës së anëtarëve të komisionit për t’u përballuar me situata dhe konflikte, në mënyrë që të mbahej një atmosferë sa më e qetë në qendrat e votimit. Gjendje e tensionuar në qendrat e votimit, edhe midis komisionerëve si dhe mungesë e protokollimit të incidenteve. Ndërhyrje ne tavolinën e numërimit të kandidatëve partiakë.

Gjatë konstatimeve të mësipërme, vëzhguesit tanë janë përballur me presione dhe madje edhe kërcënime të drejtpërdrejta në lidhje me punën e tyre.

Duke iu referuar të dhënave të mesipërme, Diaspora Për Shqipërinë e Lirë deklaron se zgjedhjet lokale paten mjaft parregullsi dhe mosrespektim të standardeve ndërkombëtare dhe praktikave të njohura, duke ngritur shqetësime madhore në lidhje me integritetin dhe ndershmërinë e procesit zgjedhor.

Mirënjohje vëzhguesve tanë nga Shqipëria dhe Diaspora për kohën e shpenzuar dhe për përkushtimin me të cilin e kryen këtë detyrë madhore qytetare.

26 maj 2023