Iluzioni Carney: premtime sot, fatura nesër - Nga Nathalie Elgrably
- Published in Kanada

- Nga: Nathalie Elgrably - Journal de Montreal
Zgjedhjet e këtij viti nuk janë thjesht një garë për të zgjedhur një kryeministër. Ato përfaqësojnë një moment kyç, një zgjedhje mes ideologjive që do të formësojnë të ardhmen tonë.
Mark Carney, shpesh i lartësuar me lavde të pajustifikuara, është mishërimi i elitës globaliste dhe teknokracisë arrogante. Ai vjen me një program shpenzimesh marramendëse - plot 130 miliardë dollarë shtesë në fondet publike - duke thelluar deficitin deri në vitin 2029 dhe duke e çuar borxhin federal në një nivel rekord prej 1,2 trilionë dollarësh.
Bëhet fjalë për barrën mbi shpinën tuaj
Duhet ta themi troç: çdo shpenzim publik ka një kosto - qoftë përmes taksave, qoftë përmes borxheve. Dhe borxhi i sotëm është taksimi i nesërm.
Prandaj, kur Carney propozon më shumë shpenzime dhe më shumë borxh, ai realisht paralajmëron rritje taksash për qytetarët. Zgjedhja e tij do të thotë më shumë para për buxhetin federal, më pak në xhepat tuaj.
Mund të mashtrojmë veten me fjalë të bukura apo premtime qetësuese, por realiteti gjithmonë triumfon. Një qeveri liberale do të kërkojë burime të reja të ardhurash - kjo është e sigurt.
Dhe shembujt nuk mungojnë: vitin e kaluar, qeveria rriti taksën mbi fitimin kapital. Së fundmi, është diskutuar edhe një taksë mbi pasurinë e paluajtshme, e cila do të godiste më së shumti pronarët e moshuar që kanë përfunduar pagesën e shtëpisë së tyre. Dhe kush thotë se Carney, që ishte këshilltar i kryeministrit Trudeau, nuk do ta zbatojë këtë taksë nëse merr pushtetin?
Një vizion i rrezikshëm
Carney përfaqëson një të majtë të shkëputur nga realiteti, një shtet që ndërhyn kudo, rregullon gjithçka dhe ngarkon qytetarët me taksa në emër të një ideologjie që nuk e mbështesin shumica e kanadezëve.
Sot, Partia Liberale duket se ndëshkon suksesin dhe përpiqet të imponojë barazinë duke i varfëruar të gjithë.
Ndaj, para se të dorëzojmë lirinë në këmbim të varësisë nga shteti, e para se të joshemi nga dhuratat elektorale, duhet të kujtojmë një të vërtetë të thjeshtë: Santa Claus nuk ekziston… dhe faturat vijnë gjithmonë në kutinë tone postare.
Burimi: Journal de Montreal