Lideri i opozitës Poilievre i shkruan kryeministrit Carney: Është koha të kalojmë nga retorika te realiteti
- Published in Kanada
Zoti kryeministër,
Mirëse u rikthyet mes nesh.
Në Davos ju deklaruat: “Një vend që nuk mund të ushqehet, të sigurojë energji apo të mbrohet, ka shumë pak opsione.”
-A mund të ushqehemi? Pavarësisht retorikës suaj, ju e keni shndërruar Kanadanë në vendin e G7-s ku inflacioni i ushqimeve është më i larti, me çmime që rriten dy herë më shpejt se në Shtetet e Bashkuara. Taksat tuaja të fshehura dhe deficitet inflacionistë detyrojnë 2,2 milionë njerëz të drejtohen çdo muaj te bankat ushqimore - një rekord historik ky - ndërsa një e katërta e të rinjve nuk shpenzojnë mjaftueshëm pë ushqim për të paguar fatura të tjera.
-A mund të sigurojmë karburant? Pavarësisht retorikës suaj, taksa juaj e re e karbonit (e riemërtuar “normë për karburantet”) e rriti çmimin e benzinës me 7 cent këtë vit dhe mbani ende në fuqi të gjitha ligjet liberale kundër energjisë, ndërkohë që ende nuk keni miratuar asnjë projekt naftësjellës apo gazsjellës.
-A mund të mbrohemi? Pavarësisht retorikës suaj, ministria e Mbrojtjes raporton se gjysma e pajisjeve ushtarake të Kanadasë janë të papërdorshme, se kemi vetëm 300 ushtarë me kohë të plotë në Arktik - një territor sa madhësia e Bashkimit Evropian - dhe se na duhet një muaj për të prodhuar mjaftueshëm municion artilerie për vetëm një ditë lufte. Ndërkohë, kriminaliteti dhe zhvatja janë jashtë kontrollit, sepse ju nuk keni ndryshuar asnjë rresht të Kodit Penal dhe nuk keni shfuqizuar asnjë ligj liberal tepër tolerant ndaj krimit.
-Ju keni thënë se do të vepronit me një shpejtësi të paparë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por realiteti nuk e pasqyron retorikën tuaj. Po, deficiti është dyfishuar. Por shumë pak gjëra kanë ndryshuar. Njerëzit nuk kanë nevojë për fjalime. Seancat fotografike nuk i ndalin kriminelët. Projektet e tubacioneve naftësjellëse apo gazsjellëse kanë nevojë për leje, jo për ceremoni nënshkrimi dhe tapete të kuq.
Koha e diskutimeve ka përfunduar.
Pikërisht për këtë po ju shkruaj, për t’ju ofruar ndihmën time që ta shndërroni retorikën tuaj në realitet, duke përshpejtuar zbatimin e politikave që prej kohësh i keni vonuar.
Ja lista jonë:
1. Keni premtuar një shportë ushqimore të përballueshme. Konservatorët janë të gatshëm të miratojnë me shpejtësi në Parlament propozime për të përmbysur inflacionin liberal të ushqimeve. Për shembull, mund të hiqni taksën industriale të karbonit, taksën mbi normat e karburantit, të nxisni konkurrencën në zinxhirët ushqimorë ose të ulni burokracinë për fermerët. Nëse keni ide të tjera për ta bërë ushqimin të përballueshëm, ne do ta përshpejtojmë procesin për t’i miratuar.
2. Korrigjimi i sistemit të dështuar të lirimit me kusht për të ulur kriminalitetin. Ju keni paraqitur një projektligj të dobët dhe të zbutur për lirimin me kusht (C-14), i cili do ta bëjë sistemin pak më pak të keq. Është më mirë se hiç. Por deputetët tuaj kanë bllokuar projektligjin e qeverisë suaj për lirimin me kusht në Komisionin e Drejtësisë. Anëtarët konservatorë të këtij komisioni kanë paraqitur 19 mocione për të përshpejtuar kthimin e projektligjit C-14 në Dhomën e Komunave. Ju kërkoj të ndikoni që Komisioni i Drejtësisë ta miratojë projektligjin këtë të hënë, më 26 janar 2026, në mënyrë që ai të kalojë të gjitha fazat në Dhomën e Deputetëve deri të mërkurën, më 28 janar 2026.
3. Ne kemi përshpejtuar tashmë miratimin e projektligjit C-5, i cili ju jep kompetenca të jashtëzakonshme për të miratuar projekte. Ju nuk i keni përdorur shumë këto kompetenca. Megjithatë, ne jemi gjithmonë këtu për t’ju ndihmuar. Çdo ndryshim tjetër legjislativ që ju nevojitet për të miratuar një projekt tubacioni naftësjellës apo gazsjellës apo projekte të tjera do të ketë mbështetjen tonë të menjëhershme për t’u miratuar brenda pak ditësh.
4. Jemi të gatshëm të përshpejtojmë të gjitha fazat e projektligjeve që zbatojnë marrëveshjet tregtare të negociuara para se të merrnit detyrën dhe që ju i keni bllokuar në Parlament. Këtu përfshihen projektligjet C-13 dhe C-18, që përmbajnë përkatësisht ftesën për Mbretërinë e Bashkuar për t’u bashkuar me Partneritetin Transpacifik dhe miratimin e Marrëveshjes tregtare midis Kanadasë dhe Indonezisë (e negociuar nga kryeministri Trudeau).
5. Anëtarët e ekipit tonë konservator janë gati të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara apo vendeve të tjera për të zgjeruar tregtinë, përfshirë edhe në kuadër të delegacioneve dypartiake, me qëllim rritjen e eksporteve.
Ju jeni në pushtet prej një viti. Keni miratuar vetëm dy projektligje dhe e keni mbledhur Parlamentin me numrin më të vogël të ditëve të seancave që nga viti 1937.
Ju keni pasur mundësinë të gjykoheni mbi fjalët dhe veprimet tuaja.
Tani le të kalojmë te rezultatet.
Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar të ecni përpara.
Ju lutem pranoni përshëndetjet e mia të përzemërta.
Pierre Poilievre
Kryetar i Opozitës dhe i Partisë Konservatore të Kanadasë
Ottawa, 24 janar 2026
Foto: CBC











