Kanada

Trump, perandori i Amerikave - Nga Mario Dumont

  • Published in Kanada
Nga: Mario Dumont - Journal de Montréal

Për momentin, strategjia konsiston në dobësimin e Kanadasë.

Një vit pas zgjedhjes së Trump-it, kanadezi i zakonshëm ende përpiqet të kuptojë çfarë po na ndodh, si aleati ynë i shekullit të kaluar u kthye në kërcënim. Me ndihmën e analizave të kolegut Stéphan Bureau dhe bisedave me miq të tjerë të apasionuar pas politikës, po përpiqem t’i rendis në një kronikë të shkurtër mënyrën si e shoh unë lojën që zhvillohet mbi kokat tona.

Trump vëren se Kina po shtrin tentakulat e saj kudo, si për të bërë tregti, ashtu edhe për të përvetësuar burime. Pas Azisë dhe Afrikës, Kina po rrit ndikimin e saj deri në Amerikën Latine. Për Shtetet e Bashkuara, kjo e fundit është oborri i pasmë.

Po e thjeshtoj dhe karikaturizoj, por në këtë ndarje të perandorive, Trump jep sinjalin se Amerika i takon atij. Kur them Amerika, flas për territorin nga Baffin Island në veri të Kanadasë deri te Toka e Zjarrit, në skajin jugor të Argjentinës.

Hapi i parë, menjëherë pas zgjedhjes së tij: Trump rimerr kontrollin e një pike transporti jashtëzakonisht strategjike, kanalit të Panamasë. Disa kërcënime dhe gjiganti BlackRock blen portet e kanalit. Goxha ndryshim.

Amerika Latine

Në Argjentinë, Trump është kujdesur mjaftueshëm për mikun e tij Javier Milei. Madje e ka kushtëzuar një ndihmë financiare që votuesit të votojnë “si duhet”. Në anën tjetër të Andeve, në Kili, zgjedhjet mbahen muajin e ardhshëm. José Antonio Kast i Partisë Republikane, një aleat natyral i Trump-it, është në pozitë të shkëlqyer për të fituar.

Ushtria amerikane po zhvillon një fushatë destabilizimi në det përballë Venezuelës. Fillimisht thuhej se objektiv ishin trafikantët e drogës së rrezikshme. Por sa më shumë kalon koha, aq më shumë kuptohet se administrata Trump ëndërron ta rrëzojë socialistin autoritar Nicolas Maduro.

Në Brazil, Trump humbi aleatin dhe mikun e tij Bolsonaro. Ai godet me tarifa. Është lidhur me presidentin e Salvadorit, ka detyruar Kolumbinë të tërhiqet, me pak fjalë, presidenti amerikan po i kushton një vëmendje të jashtëzakonshme gjithë pjesës së Amerikave që shtrihet në jug të vendit të tij.

Po me ne?

Dhe pastaj vjen shteti në veri, Kanadaja. Një vend i madh, por jo aq i madh. Një anëtar i rëndësishëm i G7 në krahasim me vendet e vogla të Amerikës Latine, por jo dhe aq i fortë. Një demokraci shumë komplekse për t’i vendosur një kukull në krye. Një furnizues burimesh, si p.sh. nafta, që janë megjithatë thelbësore për ekonominë amerikane.

Ç’të bëjë me Kanadanë? Si ta kontrollojë Kanadanë në këtë perspektivë të shndërrimit në perandor i Amerikave?

Nuk besoj se Donald Trump ka një përgjigje të qartë për këtë pyetje. Ai flet për shtetin e 51-të, por ndoshta nuk e beson as vetë. Po atëherë, cila është strategjia e tij? Dobësimi i Kanadasë, në çdo mënyrë të mundshme.

Si të rrisë ndikimin e tij, të sigurojë qasje në burimet tona dhe të na detyrojë të paguajmë për projektet e tij ushtarake?

Duke e dobësuar Kanadanë ekonomikisht, politikisht, me çdo mjet në dispozicion.

Rikujtoni fjalët dhe veprimet e tij ndaj nesh gjatë vitit të fundit, duke pasur parasysh këtë fill të kuq që i lidh të gjitha.

Burimi: Journal de Montréal

Foto: Evan Vucci/AP