Kanada

Maduro: Kur e drejta mbron një tiran

  • Published in Kanada
Nga: Nathalie Elgrably - Journal de Montréal

Që prej arrestimit të Maduros nga Shtetet e Bashkuara për narkoterrorizëm, denoncimet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare po vërshojnë nga të gjitha anët.

Sigurisht është e natyrshme të vihet në pikëpyetje ligjshmëria e veprimit amerikan, por, nga ana tjetër, ku ishte indinjata e këtyre kalorësve të së drejtës kur Maduro ishte bashkëpunëtor në një trafik të gjerë narkotikësh dhe në dhunë të organizuar?

Ku ishin këta pseudo-rojtarë të ligjit kur regjimi venezuelian shkelte në mënyrë sistematike dhe metodike të drejtat e njeriut, të drejtat e popullit venezuaelian, duke detyruar rreth 25% të popullsisë të largohej nga vendi?

Pse nuk i kemi dëgjuar kurrë këta pseudo-rojtarë të ligjit kur Amnesty International, si edhe vëzhgues të tjerë të pavarur, denonconin krime të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë krime kundër njerëzimit?

Kujtoj që, Amnesty i ka dokumentuar gjerësisht arrestimet arbitrare, dënimet pa gjykim të drejtë, ekzekutimet jashtëgjyqësore, aktet e torturës, ndalimet në kushte çnjerëzore, përfshirë ndaj fëmijëve dhe kundërshtarëve politikë, vrasjet e paligjshme, zhdukjet me forcë dhe shtypjen sistematike të shoqërisë civile.

Ndërkohë, asnjë denoncim i vetëm kur Maduro shkel të drejtën ndërkombëtare dhe kryen krime kundër njerëzimit, por një oqean qortimesh kur Trump i çliron venezuelianët nga kthetrat e tij.

E drejta ndërkombëtare është e rëndësishme. Por funksioni i saj është të mbrojë individët nga abuzimet e pushtetit dhe arbitrariteti. Ajo është një mjet drejtësie, dhe jo një mënyrë për t’u ofruar strehë diktatorëve që shkelin pa u ndëshkuar të drejtat e njeriut.

Në rastin konkret, e drejta nuk përmendet për të mbrojtur viktimat, por për të mbrojtur vetëm procedurën dhe, për pasojë, Maduron. E drejta është shndërruar në një qëllim në vetvete, të shenjtëruar, të fetishizuar, edhe kur ajo shërben objektivisht padrejtësinë. Ky është triumfi i juridizmit mbi drejtësinë.

Për rrjedhojë, kur e drejta mbron kriminelët në vend të popujve, nuk është shkelja e procedurës ajo që duhet dënuar, por vetë e drejta që duhet rishikuar.

Burimi: Journal de Montréal

Foto: Reuters