Kur ndjesia vlen më shumë se faktet - Nga Richard Martineau
- Published in Kanada
 
 - Nga: Richard Martineau - Journal de Montreal
Nesër është ditëlindja ime. Mbush 35 vjeç.
Jo, mos qeshni. Ju thoni se dukem shumë më i madh se kaq? S’ka rëndësi. Unë kështu e ndiej veten. Dhe sot, nuk janë më faktet, realiteti apo shkenca që përcaktojnë të vërtetën. Rëndësi ka si ndihemi.
Unë ndiej se jam 35 vjeç. Prandaj, herën tjetër që dikush shkruan për mua, dua të thuhet: “Richard Martineau, 35 vjeç”. Madje do ta shkruaj edhe në dokumentet e mia zyrtare. Kam lindur në vitin 1961, por e përjetoj veten si 35-vjeçar. Dhe kushdo që më kundërshton, kryen diskriminim.
Kur drejtësia zëvendësohet nga ''feeling''
Kjo qasje emocionale, që shpesh zëvendëson arsyen, është bërë normë edhe në çështje shumë më të rëndësishme.
Merrni rastin e fundit në Kanada, ku pesë lojtarë hokeji u shpallën të pafajshëm nga akuzat për përdhunim. Sa nga ata që reaguan me zemërim ndaj këtij vendimi e lexuan realisht vendimin 91-faqesh të gjykatëses Maria Carroccia?
Ajo argumenton në mënyrë të detajuar se dëshmitë e viktimës së supozuar ishin të mbushura me kundërthënie. Gjykatësja nuk i shpalli të pafajshëm ngaqë deshi, por sepse provat nuk ishin të mjaftueshme sipas ligjit.
Por shumica e opinionistëve dhe komentueseve as që e lexuan atë vendim. Për ta, faktet nuk kanë më rëndësi. Rëndësi ka “feeling”-u. Nëse ndiej se është bërë padrejtësi, atëherë është bërë padrejtësi, nuk kam nevojë për fakte apo analizë. “E ndiej që sistemi s’funksionon…”
Sot është bërë normale të thuash: “E ndiej që sistemi i drejtësisë nuk funksionon” dhe ta përsëritësh këtë ndjesi si të ishte fakt. “Gratë nuk dëgjohen, drejtësia nuk vepron, denoncimet janë të kota…”
E gjitha kjo, edhe pse çdo ditë ka burra që dënohen për dhunë seksuale. Por sot, realiteti nuk ia del më përballjes me trazimin emocional.
Një mësim nga Kazanova
Në kujtimet e tij, Kazanova tregon se kur ishte fëmijë, shëtiste me varkë dhe kishte përshtypjen se pemët në breg po lëviznin. Më vonë kuptoi se ishte ai që lëvizte, jo pemët. Aty i lindi një mendim tjetër: po sikur edhe me diellin të jetë njësoj? Po sikur të jetë Toka që sillet rreth Diellit dhe jo anasjelltas?
Kur ua tregoi këtë teori të afërmve, ata qeshën me të: “Mos fol marrëzira, e sheh vetë që dielli lëviz!”
Sot jemi kthyer në atë logjikë. Reagojmë si familja e Kazanovës, pa analizë, pa reflektim.
Nuk mendojmë më. Reagojmë. Dhe kjo sepse reflektimi kërkon kohë, një luks që shoqëria jonë e nxitimit nuk ia lejon vetes.
Prandaj mendojmë me zemër, jo me kokë.
Burimi: Journal de Montreal
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










