Letërsi

Një këngë me petale - Nga Artan Gjyzel Hasani

po ti artist i ftohtë që shkëlqen skenave dhe ekraneve

dëshmo që fama dhe paraja nuk të kanë ndryshuar

dhe arroganca akoma nuk ta ka vrarë elegancën

merre kitarën e vjetër dhe dil në rrugën e madhe

këndoi një këngë gruas së moshuar e të braktisur

që për të mbajtur frymën gjallë

ka mësuar t’i fshehë vuajtjet dhe lotët

ndërsa trotuareve të dhimbjes

shet lule për gjithë të dashuruarit e botës…

dhe pyete si e quajnë

pa ia thënë emrin tënd…

këndoi një këngë që nuk e ka kënduar akoma asnjëri

një këngë që akoma nuk është shkruar

një këngë pa sponsor e spektatorë

dhe ajo do të të buzëqeshë

dhe buzëqeshja e saj

do të heshtë të gjitha duartrokitjet

do të shurdhojë të gjitha sallat

dhe kur të kthehet në barakën e vjetër

nuk do të numërojë qindarkat

por do të këndojë

do të vallëzojë

dhe ti

duke i kënduar një këngë asaj

ke vrarë vetminë tënde

dhe do të fillosh të besosh

që kur ishe i panjohur dhe me xhepin bosh

nga shporta e saj të ka dhuruar një lule…

(nga vëllimi poetik “OPIUM” 2025)

© artangjyzelhasani