Letërsia dhe filmi, një dashuri tekanjoze - Nga Vangjush Saro
Lidhja mes Letërsisë dhe Filmit, kjo lloj dashurie e vështirë - nëse mund ta quajmë kështu - ka qenë gjithnjë dhe mbetet një nga rrëfimet më interesante në fushën e artit. Ato japin e marrin pareshtur, duke shtuar vlera, ose (ndonjëherë) duke i vënë në diskutim ato. Për hir të së vërtetës, shumica e veprave letrare, të krijuara në kohëra, janë parë në kinema, madje të ekranizuara disa herë, sipas pëlqimeve dhe stileve të regjisorëve, si dhe në njëlloj përputhjeje me ndryshimet që vetë kinemaja ka pësuar në dekada. “Zemra e një filmi është historia që ai tregon” (Xh. Mostou).
Dashuria mes këtyre dy arteve, njëri i fjalës dhe tjetri i vizionit, nuk është përherë një mision i arrirë. Ky rrëfim qëndron pak a shumë kështu edhe për Letërsinë Shqipe dhe Filmin Shqiptar. Pjesa më e mirë dhe më bindëse e Letërsisë është ekranizuar, ndërkohë që jo në pak raste, autorë apo vepra të spikatura, nuk e kanë gjetur dot veten në kinema. Ishte një kohë që kineastët sajoheshin vetë, ose me ndonjë krijim të atypëratyshëm. Në po këtë udhë, duhet të themi se kineastët e asaj kohe, që përgjithësisht kanë krijuar (edhe) filma që po i qëndrojnë kohës, nuk u qasën dot te vepra letrare, që mund të kishin ofruar më shumë shanse, por nuk ishte e lehtë për shkak të përmbajtjes së tyre: “Vjeshta e Xheladin beut” (M. Kuteli) apo “Qyteti i fundit” (P. Marko).
Por shpesh, edhe në letërsinë më të mirë të kohës, filmi nuk u ngrit dot në lartësinë e disa prozave tashmë klasike në Letërsinë Shqipe. Sidoqoftë, kinemaja dikur kuptoi se mund të mbështetej në letërsi, ashtu si ajo ishte… Janë disa tregime të Dh. Shuteriqit, që sollën në ekran vlera të qenësishme; (“Nëntori i dytë”, “Koncert në vitin ‘36”, filmi televiziv “Udha e shkronjave”, etj.) Po ashtu ndodhi me komedinë e Çajupit “Pas vdekjes”, një ekranizim interesant nga K. Çashku, si dhe ndonjë roman të P. Markos dhe Q. Buxhelit; (“Shpella e piratëve”, “Historiani dhe kameleonët”) E duhura ishte edhe mbështetja në disa tregime e novela që fituan duke i rritur ato në skenar; (“Zëvendësi i grave” i T. Laços, “Apasionata” dhe “Njeriu i mirë” të D. Agollit, “Misioni përtej detit” i A. Kondos, “Familja ime” e R. Theoharit, etj.)
Ishte e kuptueshme që letërsia më e spikatur të vinte në ekran, por jo gjithnjë në vlerat që kishte pozuar vepra letrare. Nuk kanë munguar asnjëherë gjer edhe teprimet në këtë lidhje delikate. (“Të shohësh librin tënd të shndërruar në film, është si të shohësh demin në copa mishi për supë.” (Xh. lë Keër) Bie fjala, ekranizimi i disa prej romaneve e novelave të I. Kadaresë, në vështrimin tim, gjithnjë la për të dëshiruar. Mendoj që mbarti njëlloj realizmi e suspans filmi “Radiostacioni”, me regji nga R. Larja, realizuar sipas romanit “Nëntori i një kryeqyteti”; por “Ballë për ballë”, realizuar sipas romanit “Dimri i madh”, kishte më shumë ideologji e patetizëm se vetë vepra. Romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, ekranizuar disa herë nga kineastë shqiptarë dhe të huaj, mbase nuk e arriti dot në asnjë rast madhështinë e veprës; por krahasuar me krijime të tjera të Kadaresë - ekranizuar keq - mbeten në fondin e filmave më të mirë.
Nuk mund të themi se ndryshoi ky raport problematik edhe pas vitit ‘90, kur barra ideologjike dhe çensura ranë. Ndër filmat e ardhur nga Letërsia pas viteve ‘90, do të veçoja “Parrullat”, sipas novelës së Y. Aliçkaj, me regji të Gj. Xhuvanit, një nga realizimet më të mira të kinemasë shqiptare pas ‘90-ës, sado që kam shprehur edhe ndonjë rezervë sa i takon teprimeve në interpretimin e (disa prej) dukurive të kohës në fjalë. Të tjerë filma të mbështetur në letërsi të shkruar ishin edhe “Nata” (R. Gjoza, E. Musliu), “Ada” (F. Kongoli, S. Pecani), “Maya” (L. Lleshanaku, P. Vasi), “Amaneti” (R. Pulaha, N. Ajazi).
Në historinë e kinemasë, edhe asaj shqiptare, në shumë raste, skenari nuk vjen nga letërsia, domethënë nga një libër i botuar, por është shkruar rishtazi për film. Kjo ndodhi që herët me kinokomedinë “Kapedani”, me skenar të S. Plasarit dhe regji të F. Hoshafit e M. Fejzos. (Në vështrimin tim, ky film vjen si model kinokomedie.) Po ashtu, do të mund të thuhej për filmin “Në çdo stinë”; (B. Hoxha, V. Gjika) apo “Unë e dua Erën” (B. Myftiu, A. Minga). Filma të tjerë erdhën në publik me skenarë origjinalë të V. Koreshit, K. Blushit, Sh. Vretos, N. Tafës, N. Lakos, V. Files, Th. Naqos, A. Paplekës, Sh. Tiganit, etj. Po me një skenar të shkruar rishtazi janë një sërë kinokomedi: “Dy herë mat” e “Edhe ashtu, edhe kështu”, me skenarë dhe regji të B. Kapexhiut, “Shkëlqim i përkohshëm”, me regji të A. Xholit, etj.
Ka autorë që e shikojnë lidhjen midis Letërsisë dhe Filmit në mënyrë disi të anuar, duke u përpjekur t’i veshin këtij të fundit ato që nuk i ka. (“Kinemaja është letërsia e kohës sonë.” D. Strethërn) Pas vitit ‘90 janë disa filma të realizuar mbi skenarë të shkruar rishtazi. Të tillë ishin filmat e Dh. Anagnostit dhe P. Milkanit, përkatësisht “Abazi, i biri i Gjolekës” dhe “Trishtimi i zonjës Shnajder”, ku fjala ka mbështetur bindshëm figurën; po ashtu “I dashur armik” i Gj. Xhuvanit me skenar të Dh. Xhuvanit, etj. Edhe në vazhdim, një pjesë e mirë e filmave të realizuar në dekadat e fundit përgjithësisht i falen një skenari të shkruar rishtaz. (“Tirana, viti zero” i F. Koçit, “Delegacioni” i B. Alimanit me skenar të A. Minarollit, “Bolero në vilën e pleqve” i S. Pecanit, “Vdekja e kalit” e S. Kumbaros me skenar të N. Tafës, “Kolonel Bunker” i K. Çashkut, “Bolero” i B. Bishës, “Gjallë” i A. Minarollit, “Letra ere” i E. Budinës, “Këtu vallzohet me hijet” i P. Vasit, me skenar të B. Hoxhës, etj.)
Shpesh thuhet se filmat e realizuar pas vitit ‘90 kanë një lloj problemi me veten dhe me shikuesit. Bëj pjesë ndër ata që e vlerësojnë çdo krijim të arrirë, siç u pa edhe më lart, pavarësisht kohës kur është realizuar dhe ngarkesave ideologjike që (disa prej tyre) mbartin; pa paragjykuar njëherësh, filma të dekadave të fundit, që ndonjëherë nuk shkojnë si duhet te spektatori, e jo vetëm për faj të tyre. Madje, po të ndjekësh me pak vëmendje “udhëtimin” e filmave dhe regjisorëve në festivale të rajonit apo më gjerë, mund të kuptosh edhe më mirë që, me apo pa letërsinë, kjo kinema, po shkon përpara. Megjithatë, “dashuria” në fjalë, edhe pse mbetet disi tekanjoze, ka treguar që majat janë më të ngjitshme ashtu dorë për dore… Ne s’mund të bëjmë përjashtim nga bota edhe në këtë temë. Duke parë sot një sërë botime që duket se priten mirë nga Mendimi Letrar dhe Publiku, them se mund të kërkojmë nga kineastët më shumë vëmendje e mirëkuptim; jo thjesht për ata, por për nevojat e filmit.
* Emrat e autorëve të huaj janë shkruar sipas parimit të shqiptimit. Falemnderit për mirëkuptimin.
© Vangjush Saro











