Njoftime

Vota e Diasporës - Letër e hapur nga Organizata shqiptaro-amerikane “Qendra”

Letër e hapur e Bordit të “Organizata e Qendrës” (OQ), Shqipëri dhe Bordit të Albanian American Organization “Qendra” (AAOQ), SHBA

West Palm Beach Florida, 18 qershor 2022

Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë

Shoqatave të Diasporës shqiptare dhe shoqatave të shoqërise civile për të Drejtat e Njeriut në Shqiperi

Të nderuar,

Kushtetuta e Shqipërisë i jep të drejtën e votës çdo shqiptari mbi 18 vjeç, pavarësisht se ku banon (me përjashtim të atyre që gjykata i ka shpallur si mendërisht të pamundur).

Konventa Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, që Shqiperia e ka nënshkruar dhe ratifikuar - d.m.th. në Shqipëri ka forcën e ligjit - sanksionon të drejtën e emigrantëve për të votuar në shtetin e origjinës.

Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Migranteve, që Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar - pra në Shqipëri ka forcën e ligjit - sanksionon të drejtën e migrantëve për të votuar në shtetin e origjinës.

Ligji i Shqipërisë mbi Emigracionin sanksionon të drejtën e emigrantëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet e Shqipërisë.

Pra, Kushtetuta dhe tre ligje të Shqipërisë e autorizojnë votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë atdheut, shkurt, Diasporës. 

Ligji specifik që rregullon zgjedhjet, Kodi Zgjedhor, thotë se zgjedhjet duhet të kryhen në territorin e Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht. 

Kjo është interpretuar gabim, që emigrantët shqiptarë nuk mund ta iniciojnë votën prej vendeve të huaja ku jetojnë e punojnë. Në çdo rast, Kodi Zgjedhor, duhet të jetë në shërbim të Kushtetutës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, pra duhet të mundësojë votimin e Diasporës. Nëse jo, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe duhet korigjuar.

Këtë KQZ e kupton dhe nën presionin e Diasporës, po flet në mënyrë sporadike për votimin e Diasporës në të ardhmen, që ndoshta do ndodhë më 2024.

Nuk mund të ketë ndoshta. Votimi i Diasporës duhet realizuar, jo më 2024, por tani, se përndryshe zgjedhjet do të jenë jo kushtetuese, ilegale. Rishtas ambasadorja amerikane e njohu këtë fakt dhe u shpreh publikisht.

Votimi i Diasporës do ishte zgjerimi më i madh që mund t’i bëhet demokracisë shqiptare. Do ishte një kolpo për këtë establishment të kalçifikuar, që ka 30 vjet aty dhe nuk po rinovohet dot.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në fund të vitit 2015 ishin 1.2 milion shqiptarë që jetonin jashtë territorit të Shqipërise, që ishin sa gjysma e popullsisë ndenjëse në Shqipëri. Sot, pas 6 vjetësh, vlerësohet që kjo shifër të ketë arritur në 1.4 -1.5 milion.

Një popullatë e zakonshme ka 74% të saj mbi 18 vjeç, pra me të drejtën e votës, që në rastin e Diasporës shqiptare i bie të jenë mbi 1 milion njerëz.

Popullsia e Shqipërisë realizon pjesëmarrje të lartë në zgjedhje, një zakon që ndoshta ka ngjitur nga enverizmi.  Pjesëmarrja në zgjedhjet e Shqipërisë del 47%.  Pse? Se 47 përqindshi tjetër, ndonëse i regjistruar në listat e Gjëndjes Civile të shtetit shqiptar, jeton jashtë vendit.

Po të donte ky establishment do e kishte realizuar votimin e Diasporës, por nuk do, se Diasporën nuk e kontrollon dot, kurse popullin ndenjës e ka kapur.

Si provohet kjo? Se bie tërmeti, pandemia, inflacioni, rritet varfëria, fëmijët shqiptarë dalin më të paushqyerit në kontinent, zbrazet vendi, plaket vendi… dhe rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri nuk ndryshon. 

Votimi i Diasporës nuk mund të pengohet, por mund të vonohet dhe mund të kapet.  Nga një votim real mund të kthehet në një votim fasadë.  I tillë do ishte propozimi që po qarkullon, që Diaspora të ketë një zonë elektorale më vete, të trembëdhjetë (se Shqipëria ka 12 qarqe), me një numër fiks deputetësh, p.sh. 5 ose 10.

D.m.th. Diaspora me 1.4 milion vetë, nga e gjithë Shqiperia, të barazohet me një qark të Shqipërisë, p.sh. Lezhën?!

Kushtetuta kërkon që votat e shtetasve të kenë peshë të barabartë. Në këtë rast Diasporës do i takonte më shume se ⅓ e Kuvendit.

Por nuk duam të votojmë veç. Emigrantët nuk duhet të ndahen nga popullsia ndenjëse. Ata duhet të votojnë aty ku e kane Gjendjen Civile, në krahinën e vet, bashkë me popullin ndenjës, për të njëjtat lista.

Si mund të realizohet kjo? Me votimin elektronik online. Teknologjia e sotme e ka bërë këtë krejt të mundur.

Kjo qeveri po realizon Reformen Elektronike - kalimin e shërbimeve të shtetit online, sepse ulet korrupsioni i sportelit, kursehen para dhe kohë. Votimi online duhet parë si komponenti më i rëndësishëm i Reformës Elektronike.

Si realizohet teknikisht:  Me një app në celular ose kompjuter. App-i lexon fytyrën edhe/ose shenjat e gishtit të votuesit dhe i ballafaqon me të dhënat në database të kartave të identitetit. Pasi e verifikon shtetasin, i jep skedën e votimi.  Votuesi shënon në skede, në mënyre elektronike, preferencat e veta dhe shtyp butonin Finish. Në atë çast hyn në lojë motori blockchain i app-it.  Vota regjistrohet në mënyre të përsëritur në mijëra kompjutera, të shpërndarë në të gjithë botën, që askush nuk e se di ku janë. Asnjë forcë nuk mund të kontrollojë, apo të manipulojë votën. Rezultatet mund të afishohen në kohë reale. Për një orë mbaron i gjithë votimi dhe del rezultati.  Nuk ka kohë asnjë manipulues të bëjë asgjë.

Të nderuar,

Në përmbledhje të sa u tha më sipër, ju kërkojmë që të punojmë bashkë që të vendoset në Kodin Zgjedhor, në mënyrë eksplicite, sa më shpejt, dispozita që mundëson votimin e shtetasve shqiptarë me banim jashtë atdheut.

Ky votim duhet të jetë bashkë me popullin ndenjës, për të njëjtat lista, në krahinat e veta, aty ku emigrantët kanë Gjendjen Civile.

Ky votim duhet të jetë elektronik online.

Sinqerisht,

Në emër të Bordit të “Organizata e Qendrës” (OQ), Shqipëri.  NIPT M21410454K dhe Bordit të Albanian American Organization “Qendra” (AAOQ), SHBA, EIN 88-0598990.

Parid Turdiu

Kryetar