Justin Trudeau do përfitojë dy pensione me një total që mund të arrijë 8,4 milionë dollarë
- Published in Kanada

Sipas vlerësimeve të Federatës Kanadeze të Tatimpaguesve (CTF - Canadian Taxpayers Federation), nëse jeton deri në moshën 90 vjeç, ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, do të përfitojë dy pensione me një total që mund të arrijë shifrën prej 8,4 milionë dollarësh. Federata në fjalë ka kërkuar publikisht shfuqizimin e njërit prej tyre.
Referuar analizës së Canadian Taxpayers Federation (CTF) Justin Trudeau fillimisht do të marrë pensionin e tij si deputet, pagesat e të cilit do të fillojnë me 141,000 dollarë në vit sapo të arrijë moshën 55 vjeç (moshë të cilën ai do ta arrijë më 25 dhjetor 2026) dhe ky pension do kapë shifrën totale rreth 6,5 milionë dollarë nëse ai jeton deri në 90 vjeç.
"Një kryeministër që qëndron në detyrë për të paktën katër vjet ka të drejtë për një shpërblim të veçantë pensioni përveç pensionit të tij si deputet", thuhet në faqen e internetit të qeverisë kanadeze. Kështu, Trudeau do të ketë gjithashtu të drejtë për pensionin e tij si kryeministër, pagesat e të cilit do të fillojnë me 73,000 dollarë në vit kur ai të arrijë moshën 67 vjeç. Ky pension llogaritet rreth 1,9 milionë dollarë nëse ai jeton deri në 90 vjeç.
"Duke mbledhur pensionin e deputetit prej 6,5 milionë dollarësh me pensionin e kryeministrit prej 1,9 milionë dollarësh, Trudeau mund të marrë gjithsej rreth 8,4 milionë dollarë nëse ai jeton deri në 90 vjeç", ka theksuar CTF.
"Pagesat e pensionit të Trudeau do të ishin edhe më të larta nëse nuk do të ishin miratuar reformat në vitin 2012. Këto reforma shtynë moshën e pensionit, ulën përfitimet dhe kërkuan që deputetët të kontribuojnë më shumë", thuhet në deklaratën për mediat të Canadian Taxpayers Federation.
"Një kryeministër që tashmë përfiton miliona me pensionin e tij të parë, nuk ka pse të kërkojë një të dytë", pohoi Nicolas Gagnon, drejtor për Quebec i CTF, i cili mendon që "liderët e partive duhet të japin shembull dhe të angazhohen për ta hequr këtë privilegj".
Për Gagnon, tatimpaguesit "nuk duhet të financojnë një pension të dytë për kryeministrat. Me një pagë gjashtë herë më të lartë se mesatarja dhe një pension deputeti tashmë shumë bujar, ata nuk kanë nevojë për një tjetër privilegj në kurriz të publikut."
Burimi: Journal de Montreal