Mark Carney dhe manovra e tij e padenjë me deputetët dezertorë - Nga Mario Dumont
- Published in Kanada
- Nga: Mario Dumont - Journal de Montréal

Me vetëm pak muaj angazhim politik, Mark Carney arriti të bëhej kryeministër i Kanadasë. Ky është një rast jashtëzakonisht të rrallë. Ai mori një Parti Liberale të rrëzuar përtokë dhe e ringriti për t’i siguruar një mandat të katërt radhazi në pushtet.
Pavarësisht këtij suksesi, votuesit nuk i dhanë atij një mandat mazhoritar. Liberalët e ëndërruan këtë, duke iu referuar sondazheve shumë të favorshme gjatë fushatës, por kur votat u numëruan ata nuk morën mjaftueshëm deputetë për të siguruar shumicën, pavarësisht edhe fitores së diskutueshme me +1 votë në Terrebonne. U mungonin tre deputetë.
Ajo që dimë sot është se, duke mos e respektuar këtë verdikt të vullnetit popullor, Liberalët e Mark Carney nisën shpejt një manovër rekrutimi “dezertorësh” nga partitë e tjera. Llogaria është e thjeshtë: mjafton të bindësh tre deputetë të opozitës të kalojnë në anën tjetër të sallës për t’u bërë kësisoj mazhorancë.
Mazhorancë për çfarë? Për të miratuar projektligjet dhe buxhetet e tyre pa pasur nevojë të negociojnë me ndonjë nga partitë e opozitës. Dhe, mbi të gjitha, për të gëzuar një mandat të plotë katërvjeçar pa përjetuar kërcënimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Tashmë dy
Manovra e tyre ka prodhuar tashmë rezultate. Chris d’Entremont nga Nova Scotia dhe Michael Ma nga Ontario kthyen mbrapsht xhaketën dhe kaluan në vjeshtë nga Konservatorët te Liberalët. Madje deputeti Michael Ma, e çoi qesharaken deri në kufijtë e absurditetit duke marrë pjesë në të dyja festat e Krishtlindjeve. Të mërkurën në mbrëmje ishte në festën e Konservatorëve, madje doli në fotografi edhe me liderin e tyre, Pierre Poilievre. Pastaj, të nesërmen, ai kaloi në anën tjetër të sallës… dhe mori pjesë në mbrëmje në festën e Liberalëve. Hajde moral, hajde!
Deri tani, ky operacion është vlerësuar nga analistët nga këndvështrimi i lojës politike: Fitore për Liberalët, humbje për Poilievre. Nga pikëpamja strategjike, të gjithë e kuptojnë përfitimin e të qenit shumicë. Ana etike është gjykuar kryesisht vetëm në raport me deputetët dezertorë. Të zgjidhesh nga dhjetëra mijëra bashkëqytetarë në emër të një partie dhe të ndryshosh parti disa muaj më vonë, kjo është diçka jo normale. Oportunistë? Njerëz pa bindje? Tradhtarë ndaj zgjedhësve të zonave të tyre? Të gjitha këto janë thënë.
Zero etikë
Por çfarë duhet të mendojmë për etikën e vetë Partisë Liberale? Këtë javë dëgjuam dëshmitë e deputetëve që i kanë refuzuar ofertat e Liberalëve. Një konservator nga British Columbia dhe një deputete e NDP-së nga Nunavut denoncuan publikisht tentativat dhe këmbënguljen e trupave të Carney-t për t’i detyruar ata të kapërcejnë gardhin.
Këto veprime që nxisin të zgjedhurit të tradhtojnë votuesit e tyre janë të pahijshme dhe antidemokratike. Kush e di se çfarë përfitimesh u premtojnë? Zyrtarisht, Liberalët pretendojnë se këta deputetë “pasi shohin dritën në fund të tunelit” vendosin t’i bashkohen partisë më të mirë.
Më vjen keq, por e vërteta është se nuk ka asgjë demokratike në gjithë këtë qasje. Kemi të bëjmë me një parti që mendon vetëm për interesin e vet të ngushtë dhe i shtyn të zgjedhurit të privilegjojnë interesat e tyre personale. Asgjë për zgjedhësit, asgjë për të mirën e vendit.
Kjo qasje krejtësisht cinike veçse duhet denoncuar me zë të lartë publikisht.
Burimi: Journal de Montréal
Foto: CBC











