Kodi i Sigurisë, një nevojë urgjente për industrinë e ndërtimit në Shqipëri - Nga Flurans Ilia
Duke marrë shkas nga zjarri i fundit në Tiranë, nisur nga përvoja ime e gjatë në fushën e ndërtimit në Kanada edhe si njohës i etikës së punës me kodet profesionale edhe ato të sigurisë, dua të shpreh një shqetësim të përbashkët që ka lidhje ngushtësisht me Kodin e Sigurisë të ndërtesave të shumta që janë ndërtuar në Shqipëri dekadat e fundit.
Është shqetësues fakti që në vendin tonë ende nuk ka një “Kod Sigurie” të afirmuar brenda rregullave të brendashkruara të së cilit duhet punuar në përgjithësi dhe më në veçanti në raport me ndërtesat shumëkateshe, qofshin këto të natyrës komerciale e sidomos ato rezidenciale ku përfshihet jeta e qytetarëve.
Edhe pse janë krijuar disa “rregulla pune” në Tiranën e betonuar e gjetkë, shpesh rregullat anashkalohen për qëllime fitimi. Dua të theksoj se ky Kod ka kontekst të drejtpërdrejtë ligjor dhe duhet të hartohet nga ekspertë të fushës nën aprovimin e organeve përkatëse qeveritare të instancave shtetërore dhe jo nga lejet e ndërtimit bashkiake. As nga zyrat arkitekturore, as nga zyrat e urbanistikës, puna e të cilave është ta ideojnë objektin nën rregulla të kodifikuara dhe jo të jenë ato që vendosin për rregullat e sigurisë sipas kushteve paraprake. Bashkia mundet të ketë rregullat e veta në bazë të zhvillim urban përkatës që mund të konsiderohen si nënshtresa ose aneks i Kodit në fjalë.
Për ta thjeshtuar opinionin dua të sjell në paralel disa shembuj se si funksionon ky sistem në Amerikën e Veriut. Rregullat i vendos shteti. Kodet i formulojnë ekspertë të fushës së caktuar. Me kodet punohet dhe ndërtohet krejt infrastruktura e një vendi. Çdo profesion duhet të ketë kodin e vet të punës, çka në Shqipëri nuk ekziston. Çdo kod ndryshon dhe pasurohet me rregulla të reja çdo dhjetë vjet. Duam apo nuk duam, mënyra e koduar e punimeve është njësoj si Libri i Shenjtë për besimtarët. Ky Kod është kolona vertebrale e çdo demarshi në fushën e ndërtimit, sikur Kodi Civil për qytetarët e një vendi. Madje pa aprovimin e rregullave të Kodit të Sigurisë nuk duhen dhënë fare leje ndërtimi dhe askush nuk ka të drejtë të ndërtojë po qe se këto rregulla nuk janë aplikuar në objekt (bëhet fjalë kryesisht për objekte të mëdha), si edhe përgjegjësit e rregullave të aplikuara jo si duhet, duhet të përgjigjen para ligjit nëse ka humbje jetësh dhe duhet t’u hiqet e drejta e ushtrimit të liçencës nëse këto raste janë flagrante dhe kronike.
Një objekt së bashku me të gjithë detajet teknike duhet të ketë të përfshirë një sistem të përcaktuar qartë dhe vënë në zbatim me rigorozitet kundrejt sigurisë. Në Amerikën e Veriut kjo vihet në zbatim në bazë të një profesioni të veçantë posaçërisht në këtë drejtim. Ky është hapi parësor. Nëse në Shqipërinë e ditëve tona nuk ekziston ky profesion, atëherë është koha të vihet në trendin e industrisë së ndërtimit, sektori më i fuqishëm aktual ekonomik në vend. E para do krijojë një industri të fortë për të ardhmen. Do krijojë një siguri morale kundrejt kompanive të sigurimit, do krijojë edhe një siguri civile në raport me të drejtat e konsumatorit. Në të dy krahët, qoftë për shitësin edhe për blerësin, Kodi i Sigurisë ngelet mburoja e pashmangshme nga aksidentet e papritura që e zhveshin qytetarin dhe biznesin, siç ndodhi me shembullin e fundit në Tiranë.
Duke vërejtur me kujdes ndërtimet e bëra tashmë dikush mund të mendojë se është tepër vonë dhe kostoja është tepër e lartë. Për ndryshim asnjëherë nuk është vonë dhe kostoja sado e lartë të jetë e justifikon aktin e ndryshimit. Po ta shikosh me një përllogaritje të thjeshtë, ky demarsh do hapë më tepër vende pune, dhe ajo që është më kryesorja, vendet ekzistente të punës në industrinë e ndërtimit do jenë më pranë kualifikimit të normave të zhvillimit. Kjo përfshin degëzime të tjera të ndërtimit, profesionin elektrik, hidraulik (për mos përmendur sistemin izolues), që ndërvepron në skemën e përbashkët të sigurisë.
Duke sjellë si shembull përvojën time amerikanoveriore, vetëm në Kodin Elektrik përpos të tjerave ka një kapitull të tërë kushtuar alarmit nga zjarret ku janë standardizuar rregullat e instalimit të përbërësve të këtij sistemi i cili finalizohet me një kontakt direkt me forcat dhe kazermat e zjarrfikëseve të qytetit, rajonit apo njësive përkatëse. Nëse, sërish kjo infrastrukturë sigurie nuk ekziston, është koha të futet në sistem për të gjitha arsyet e sipërpërmendura, ende sa nuk është vonë dhe aksidente si ky i fundit mund të kushtojnë jetë njerëzish.
Retorikat pas aksidentit të zjarrit në kryeqytet, përfshi edhe atë të kryeministrit të Shqipërisë, janë qartazi një sjellje e të qenit politikisht korrekt kundrejt popullatës dhe opinionit publik, por nuk janë aspak bindëse në aspektin profesional dhe ligjor të fjalës. Sepse po të ishin të tilla njerëz me dy pare mend do vërenin se flitet me një etikë të zbukuruar që nuk bën më kuptim. E them këtë jo për opozitë me pushtetin aktual, sepse katrahurën e ndërtimit e filluan ata që sot janë në opozitë, por për hir të një etike thelbësore pune e cila fatkeqësisht nuk ekziston. Nuk ka mundur ende të krijohet në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve të “bumin e ndërtimit”.
Cilin duhet të fajësojmë për këtë? Qeverinë, ndërtuesit, ligjvënësit, politikën, firmat e ndërtimit, kompanitë e sigurimeve? Apo edukatën e gjithsecilit prej jush kundrejt rregullave të lojës? Vështirë të thuhet se drejt kujt duhet drejtuar gishti për aq kohë sa të gjithë jemi ende në një lojë që luhet tashmë prej vitesh në kurrizin e qytetarëve. Por ama një gjë është e sigurt, ua them këtë për këtë Kod që kam në tavolinë krah këtyre rreshtave që po shkruaj se, bota e zhvilluar nuk ecën me marifete të cilave një ditë do u dalë flaka, por me një gjuhë të koduar saktë nga e cila çdo lloj retorike shpëtimi nuk merr asnjë vlerë.
© Flurans Ilia - Montréal












