Kolumnist

Partitë si feude të kryetarëve - Nga Ilir Gjini

Kur kanë kaluar më shumë se tri dekada nga rënia e komunizmit dhe vendosja e pluralizmit, anijes tonë të vogël të nisur drejt kursit europian i është prishur busulla dhe po ikën në drejtim të paditur.

Mbrojtja që mazhoranca socialiste i bëri ish-zëvendëskryeministres Balluku me kartonët në parlament, korrupsioni galopant dhe përpjekjet e kreut të qeverisë Rama për të kontrolluar tërësisht drejtësinë, duket se nuk kanë kaluar lehtë tek partnerët europianë, që kanë reaguar duke e frenuar procesin e integrimit. Por gjendja nuk paraqitet e mirë as në krahun opozitar, ku protagonizmi i Berishës për të mbetur kryetari i përjetshëm i PD-së, po e çon partinë që solli pluralizmin drejt shpërbërjes.

Partitë tona në historinë jetëshkurtër të pluralizmit, kanë qenë feude të kryetarëve. Si koshere ku gëlojnë mijëra “bletë punëtore”, por mjaltin e pushtetit gjithmonë duhet t’a konsumojnë kryetarët dhe kryetarokracia afër tyre. Dhe mënyra sikundër drejtojnë partinë, reflektohet edhe në drejtimin e shtetit, si zgjatim i partisë.

E ndërsa në Partinë Socialise të shndërruar në një “formacion ushtarak” ku zërat kundër as nuk egzistojnë, në Partinë Demokratike edhe kur shfaqet një ambicie për të kandiduar nga Ervin Salianji, ai shpallet menjëherë armik.

Në fakt “grupet armiqsore” në PD kanë filluar që me mocionistët, Eduard Selamin e deri te Ervin Salianji.

Berisha i ardhur së treti në krye të PD-së, realizoi një sërë ndryshimesh në statut, që nga ana formale e demokratizonin partinë dhe kthenin konkurrencën dhe meritokracinë përmes votës. Por fatkeqësisht të gjitha ato premtime për demokratizmim e partisë, sapo u ul në karrigen e kryetarit, i hodhi në kosh.

Është fatkeqësi për një parti opozitare që kërkon të hapet dhe të pranojë edhe mendimin ndryshe, apo edhe fraksionet, të mbyllë derën për një  kandidat që vetëm disa muaj më parë e shpalli hero dhe sapo shfaqi ambicien për të garuar, e shpalli armik.

Sali Berisha që ka mundur t’a sjellë PD-në në pushtet në tre palë zgjedhje, e ka të pamundur t’a bëjë një gjë të tillë sot. Kjo jo vetëm për shkak të eleminimit të votës së lirë, por edhe të humbjes së besimit te një pjesë e madhe e publikut. Si një politikan i regjur, Berisha duhet të kuptojë se ora e tij biologjike në krye të PD-së ka përfunduar.

© Ilir Gjini - Toronto

Tagged under Flasshqip.ca Ilir Gjini