Kolumnist

Me rininë, me studentët, me lirinë!- Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

M’u përvëlua zemra teksa shihja pamjet e dhunës makabre ndaj të rinjve protestues në Shqipëri. M’u ngjeth mishi, m’u drodh trupi. Nuk di nëse mund ta përshkruaj me fjalë tmerrin që përjetova vetëm duke parë, përtej një ekrani, ato pamje me zë e figurë.


U tmerrova, u terrorizova, u ligështova thellësisht duke parë, nga mijëra kilometra larg, copëza videosh të shpërndara nga dëshmitarë okularë. Bij e bija nënash, të cilëve u thyheshin këmbët, brinjët e kockat nën goditjet e pamëshirshme. E nëse unë u trondita kaq shumë vetëm duke u ekspozuar ndaj atyre pamjeve përmes një ekrani, çfarë kanë përjetuar ata që ishin aty? Ata që ndjenë mbi trupat e tyre goditjet e shkopinjve të gomës dhe të shufrave të hekurit, që dëgjuan britmat, që panë gjakun, që u gjendën të pambrojtur përballë atyre që duhej t’i mbronin?


Çfarë kanë ndjerë prindërit që i kanë parë fëmijët e tyre të goditur, të tërhequr zvarrë, të prangosur nga ata që mbajnë uniformën e shtetit, nga ata që paguhen për t’u garantuar sigurinë?


Çfarë legjitimiteti moral mund të pretendojë një pushtet përballë qytetarëve të rrahur, kërcënuar, dhunuar, e masakruar nga policia? Çfarë autoriteti është ai që nuk buron nga respekti, por kërkon të imponohet përmes frikës? A është vallë kaq e paimagjinueshme dorëheqja, marrja e përgjegjësisë politike, pranimi se pushteti nuk është një e drejtë e përjetshme?
Nuk arrij ta besoj se si një njeri me uniformë mund të ngrejë dorën mbi një të ri të pambrojtur, të godasë një qytetar të shtrirë përtokë, të vazhdojë të ushtrojë forcë ndaj dikujt që nuk paraqet më rrezik. Çfarë ndodh me ndërgjegjen njerëzore në ato çaste? Ku mbetet aftësia për ta parë tjetrin si njeri, si birin e dikujt, si një të ri që ka një familje, një jetë, një të ardhme?


Dhe megjithatë, arrij ta kuptoj se si bëhet e mundur një dhunë e tillë. Kur besnikëria ndaj pushtetit vendoset mbi detyrimin për t’i shërbyer ligjit dhe qytetarit, uniforma rrezikon të kthehet nga simbol i mbrojtjes në instrument frike. Njeriu bëhet vegël e një mekanizmi që e përdor për aq kohë sa i duhet, e më pas e flak pa më të voglin hezitim. A ka nënshtrim më të trishtë sesa të pranosh të dhunosh një tjetër për t’i shërbyer pushtetit të dikujt?


Pretendojnë se të rinjtë protestues kanë shkelur ligjin, sikur kjo të mjaftonte për të justifikuar dhunën ndaj tyre. Ndërkohë, prej dekadash, qytetarët janë përballur me korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin, për të cilat shpesh kanë kërkuar drejtësi e llogaridhënie. Sa i pamëshirshëm duket zbatimi i ligjit ndaj qytetarit që proteston dhe sa i pafuqishëm përballë atyre që abuzojnë me pushtetin! Ligji nuk mund të jetë një armë kundër të pambrojturit dhe një mburojë për të pushtetshmin.


Por ka diçka në këtë protestë që ata që mbështeten te frika për të ruajtur pushtetin nuk e kanë llogaritur: dhuna nuk e shuan domosdoshmërisht guximin. Ndonjëherë, përballë saj, njeriu zbulon një forcë që as vetë nuk e dinte se e kishte. Sepse ka një dinjitet të veçantë në guximin për të luftuar. Në të kuptuarit se zëri yt ka vlerë, se forca jote nuk është në shitje dhe se liria nuk është një dhuratë që pushteti ta jep apo ta merr sipas dëshirës.


Jam e bindur se disa prej atyre të rinjve kanë përjetuar një nga ndjenjat më të bukura e më të fuqishme që mund të njohë njeriu: ndjenjën që të jep qëndresa për të vërtetën dhe lirinë. Ndjenjën se nuk je vetëm, se pranë teje ka njerëz që ndajnë të njëjtën dhimbje, të njëjtën shpresë dhe të njëjtën dëshirë për një vend më të drejtë e një jetë më të mirë.
Dhe dua të besoj se shpejt një ditë, kur të jenë vërtet të lirë, kur tentakulat e diktaturës të mos shtrihen më mbi jetën dhe të ardhmen e tyre, këta të rinj do t’i kujtojnë ato çaste jo vetëm për plagët që mund të kenë marrë, por edhe për forcën që gjetën brenda vetes, solidaritetin me njëri-tjetrin dhe krenarinë e të mos qenit të nënshtruar.


Me rininë, me studentët, me lirinë