UGSHPD vendosmërisht përkrah gazetarëve të Shqipërisë në betejën e tyre përballë regjimit të Edi Ramës
Siç është në dijeni mbarë opinioni publik, Parlamenti i Edi Ramës, në orët e tij të fundit miratoi në krye të Autoritetit të Mediave Audovizive (AMA) drejtoreshën e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ish-zëdhënësen e kryetarit të Partisë Socialiste dhe ish-shefen e Zyrës së shtypit të Partisë Socialiste. Gjithashtu miratoi bordin e ri krejtësisht njëpartiak.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë pati tërhequr vëmendjen se ky veprim do të komprometonte thellësisht pavarësinë e AMA-s dhe do ta delegjetimonte atë, prandaj kërkoi që me këtë temë të merret parlamenti i ri i dalë nga vota e 25 Prillit dhe ia kujtonte parlamentit se: “Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave, përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve”, duke theksuar se “ky legjislacion është pjesë e “acquis” të BE, të cilin ajo duhet të përshtasë”.
Prania e OSBE në Shqipëri iu bashkëngjit shqetësimit të Bashkimit Evropian dhe këmbënguli për një organ të pavarur të rregullimit të medias, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm. Të njëjtin tonalitet dhe të njëjtat shqetësime kishte edhe Amabasada Britanike në qëndrimin e saj.
Edi Rama nuk dëgjoi nga ky vesh. Ai e përdori parlamentin e tij kukull për të sfiduar kërkesat e atij Perëndimi ku Shqipëria pretendon të integrohet.
Parlamenti i Edi Ramës i legjislaturës që sapo përfundoi quhet Parlamenti i Turpit. Sepse ai funksionoi një kohë të konsiderueshme në mungesë të pushtetit të tretë që është pushteti i drejtësisë, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me gjykatës e prokurorë të frikësuar nga procesi i gjatë i Vettingut. Sepse u delegjetimua, duke funksionuar i paplotë, duke përfshirë në radhët e tij kandidatë të listave të partive opozitare, pa përfillur vendimet e partive përkatëse dhe pa respektuar afatet ligjore të zëvendësimit të deputetëve. Quhet edhe Parlament i Krimit, sepse kishte në radhët e tij deputetë më të shkuar kriminale dhe sepse miratoi qindra ligje, duke prekur madje edhe Kushtetutën, të cilat ishin kryesisht ligje të porositura nga oligarkët dhe përgjithësisht nga bota e krimit.
UGSHPD e gjen me vend të theksojë sot se, pa shfuqizimin e këtyre ligjeve dhe miratimin e ligjeve të reja të standardeve evropiane, në horizontin e Shqipërisë nuk do të ezistojë asnjë shpresë për demokraci.
UGSHPD nuk mund të mos shprehë gjithashtu habinë që organizatat e gazetarëve në Shqipëri dhe shoqëria civile vazhdojnë të heshtin përballë armiqësisë së shtuar të Edi Ramës ndaj mediave.
Edhe institucionet perëndimore për mbrojtjen e instituconeve të pavarura, për mbrojtjen e pushtetit të katërt, heshtën në mënyrë të pashfajësueshme. Edhe opozita në Shqipëri reagoi jo në përpjesëtimin e duhur ndaj aktit të rëndë të Edi Ramës në rastin e AMA-s, por edhe në rastin e “Rregullores Ruçi” për përjashtimin e gazetarëve të mediave joqeveritare nga pasqyrimi i punës së Parlamentit.
Pangopësia e Edi Ramës për pushtet nuk ka fund. Pasi dërgoi në krye të AMA-s një eksponente të dëshmuar partiake edhe në krye të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, atë e zëvendëson me shefen e Zyrës së shtypit të Bashkisë së Tiranës, të cilën vetë Edi Rama e kishte emëruar para dymbëdhjetë vitesh. I njëjti fat i trishtë e pret Radiotelevizionin Shqiptar. Ky institucion, me Këshill Drejtues njëpartiak, tani është edhe pa Drejtorin e Përgjithshëm, i i cili është shkarkuar pas një mori skandalesh korruptive.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës, në këtë kontekst, parashikon një përballje gjithnjë e më të vështirë me Regjimin Rama të gazetarëve të Shqipërisë në misionin e tyre të lartë e fisnik për të pasqyruar pa syzet e pushtetarëve realitetin e vendit dhe për të rikthyer shpresat e qytetarëve për vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Ne jemi vendosmërisht përkrah kolegëve tanë të çmuar e të respektuar në këtë mision. Jemi në opozitë ndaj të gjithë atyre pseudogazetarëve, të cilët janë shndërruar në tellallë të krimit e të korrupsionit dhe bëjnë gjithçka për t’ia zgjatur sa më shumë jetën regjimit. Jemi përkrah të gjithë atyre faktorëve në vend dhe në Perëndim që japin ndihmesën e tyre për shpëtimin e pushtetit të katërt nga kapja dhe uzurpimi, sepse pa fitoren e mendimit të lirë, të fjalës së lirë, të mediave të lira, nuk do të ketë as fitore të demokracisë në Shqipëri.
10 Korrik 2021