Komunitet

Agim Tutulani: Rrëfim për rrënjët, emigrimin, politikën dhe angazhimin komunitar

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Këtë fillim viti, portali Flasshqip po e nis serinë e portreteve kushtuar bashkëatdhetarëve nga Kanadaja me Agim Tutulanin, sipërmarrës i suksessshëm në Toronto dhe kontribues energjik, largpamës dhe gjithnjë e më aktiv në nisma e veprimtari që e kanë ngritur në një nivel të ri e më cilësor aktivitetin e komunitetit shqiptaro-kanadez në metropolin ekonomik të vendit. Komunikimet me Agimin janë gjithmonë tërheqëse dhe të këndshme, jo vetëm për shkak të individualitetit të tij që mbizotërohet nga pozitiviteti, por edhe për shkak të erudicionit dhe kulturës që ai zotëron. Dashuria për vendin e origjinës dhe nderimi për vendin ku ka zgjedhur të jetojë së bashku me familjen harmonizohen tek ai në mënyre perfekte. Biseda e ditëve të fundit, pak para 31 dhjetorit 2025, ishte një rrëfim që nisi qysh nga origjina familjare, fëmijëria, emigrimi, e deri tek aktivitetet e javëve të fundit që u kurorëzuan me themelimin e Dhomës së Tregtisë Kanada-Shqipëri, institucion në të cilin Agimi është bashkëthemelues.

Po cila është familja nga e cila rrjedh ai? Mbiemri Tutulani është i njohur jo vetëm në qytetin e Beratit, por edhe në historinë shqiptare. Sipas gojëdhënave familjare, Tutulanët patën ardhur nga Vithkuqi i Korçës në Berat në fund të shekullit XVIII dhe u integruan menjëherë në jetën e qytetit si tregtarë. Një nga figurat e hershme të kësaj dere ishte Kozma Tutulani, i përmendur si një nga drejtuesit e kryengritjes së vitit 1847 në Shqipërinë e Jugut, nën udhëheqjen e Rrapo Hekalit dhe Tafil Buzit. Kontributi i familjes vijon me Dhimitër Tutulanin, një nga 40 firmëtarët e Aktit të shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 dhe një nga figurat kyçe në krijimin e Kishës Autoqefale Shqiptare gjatë Kongresit të Beratit në vitin 1922. Djali i tij, Miltiadh Tutulani, ishte tri herë anëtar i kabinetit qeveritar gjatë periudhës monarkike dhe senator. Historia familjare e fisit Tutulani përfshin dhe sakrifica me jetë për atdheun: dy fëmijë të Miltiadhit (Margarita dhe Kristaqi) ranë dëshmorë në Luftën e Dytë Botërore.

Gjyshi i Agim Tutulanit nga babai, Jani Tutulani, ishte tregtar dhe njëkohësisht pronar i fabrikës së parë të vajit të ndërtuar në Berat, e themeluar rreth viteve 1938-1940, duke shënuar një etapë të rëndësishme ekonomike për qytetin. Nga ana e nënës, historia është po aq domethënëse. Origjina e saj lidhet me Musarajt e Mallakastrës, të vendosur aty që nga stërgjyshi Musa Aga Musaraj në fillim të shekullit XIX. Si i apasionuar pas historisë, Agimi ka zbuluar se kjo degë familjare rrjedh nga Muzhaqët e Shpatit, të cilët Eqrem bej Vlora i konsideronte pasardhës të Muzakajve. Rreth vitit 1811 ata u konvertuan nga ortodoksë në myslimanë dhe ndryshuan mbiemrin.

Që i vogël, Agimi ka qenë rritur me kërkesën për dije, si nga babai ashtu edhe nga nëna. Edukimi për të mësuar, për të kuptuar dhe për të përthithur sa më shumë njohuri ishte për të një detyrim moral për të nderuar ata që kishin lartësuar emrin e familjes. Ndjenja e krenarisë për historinë e të parëve mbetet pjesë e patjetërsueshme e identitetit të tij edhe sot që jeton mijëra kilometra larg vendlindjes.

Nga ana e babait, fakti që familja kishte dy dëshmorë e kurseu atë deri diku nga persekutimi fizik, por megjithatë të gjitha pronat e shumta në Berat nuk i patën shpëtuar konfiskimit. Nga ana e nënës, fakti që stërgjyshi Zenel Aga kishte luftuar në krahun e nacionalistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore solli burgime dhe po ashtu konfiskime pronash. Këto realitete Agimi i mësoi që në moshën pesë-gjashtëvjeçare, duke dëgjuar bisedat e brendshme familjare. Kujtimet e para lidhen me pasdite të heshtura, kur fshehurazi dëgjohej “Zëri i Amerikës”, me radhë të pafundme për vajguri e ushqime dhe autobusë të tejmbushur. Si nip shoferi, gjyshi e merrte shpesh me vete dhe ai shihte nga afër varfërinë ekstreme jashtë Tiranës. Kolapsi ekonomik i sistemit ishte i dukshëm edhe për një fëmijë.

Vitet e fundit të diktaturës komuniste e gjetën Agimin ende të mitur. Filloren ai e kreu në shkollën “Sabaudin Gabrani”, te lagja e quajtur dikur “21 Dhjetori” në Tiranë, kohë që e kujton me nostalgji, pa harruar edhe jakën e bardhë si bora të uniformës shkollore, që mbahej e tillë falë kujdesit të përditshëm të nënës. Pas shembjes së komunizmit, ai përjetoi euforinë e viteve të para të lirisë, ndërsa shkollën e mesme e ndoqi në gjimnazin “Arben Broci”, gjatë trazirave të vitit 1997. Fillimisht nisi studimet në Histori-Arkeologji, për t’i vazhduar më pas në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Hungari dhe më tej në Ryerson University në Kanada. Në planin profesional, Agimi është i angazhuar kryesisht në fushën e ndërtimit, ku operon tre biznese. Paralelisht vepron në fushën e shkencave politike përmes një kompanie PR/exit polls si dhe me investime në sektorin e turizmit.

- Pse vendose të emigrosh në Kanada dhe çfarë ndikoi në zgjedhjen tënde?

Kanadaja ka qenë gjithmonë një vend mister në fundvitet ’90 për ne shqiptarët, pasi kemi qenë të prirur drejt “ëndrrës amerikane” që përfaqësohej nga SHBA. Kur erdha në fillim, erdha me idenë për të qëndruar vetëm disa vite këtu, por megjithë sfidat e fillimit, mund të them që e gjeta plotësisht veten, pasi pashë që, nëse ishe i fokusuar në objektivat e jetës, ky vend të jepte mundësi dhe të bënte të integroheshe shumë lehtësisht.

- Cila është për ty sfida apo pjesa më e vështirë e emigrimit?

Fillimi dhe integrimi, pasi janë gjithmonë të vështirë, nga kontrasti që ka një shoqëri si ajo e këtushmja, me ADN anglo-saksone, në krahasim me shoqërinë tonë nga vijmë, atë ballkanike. Mënyra e shkollimit, të bërit biznes, marrëdhëniet shoqërore dhe, mbi të gjitha, mënyra e të menduarit.

- Shpesh thuhet se emigrantët e brezit të parë sakrifikohen, se vjen një ditë që nuk dinë se kujt i përkasin, vendit nga erdhën apo vendit pritës. A ka ekzistuar edhe tek ty kjo dilemë?

Deri diku, por personalisht mendoj që ajo dilemë në vetvete duhet të jetë edhe objektiv; nëse arrin të integrohesh plotësisht dhe të ndihesh kanadez, kjo s’do të thotë se ke harruar që je shqiptar. Origjina shqiptare, për mua, do të jetë deri në fund të jetës sime objekt krenarie.

- A të ka tërhequr politika qysh herët? Po politikën kanadeze, krahasuar me atë shqiptare, si e shikon? Çfarë nuk shkon mirë në Kanada dhe çfarë nuk shkon mirë në Shqipëri, sipas teje?

Patjetër. Që i vogël mbaj mend se kam pasur prirjen për historinë, pasi duhet të dish nga vjen për të ditur edhe ku po shkon. Kam pasur mundësinë t’i ndjek nga afër të dy sistemet politike, atë kanadez dhe atë shqiptar, në disa fushata; besoj se i kam evidentuar diferencat. Problemi i politikës kanadeze është se njerëzit janë pak më shumë se ç’duhet apolitikë dhe kjo sjell një pasivitet në kërkesat ndaj politikanëve dhe e mban pak “piacën e ulët” në cilësinë e politikëbërjes, sidomos në nivelet sekondare dhe terciare. Megjithë defektet e veta, prapë sistemi këtu është solid, i hapur dhe demokratik. Administrata është profesionale. Kjo realizon rifreskim të elitave politikëbërëse dhe domosdoshmërisht ul përplasjet dhe konfrontimin. Krejt e kundërta ka ndodhur në Shqipëri. Prej 35 vjetësh ende s’po dalim dot nga tranzicioni. Njerëzit janë më shumë se ç’duhet partizanë politikë dhe kjo ua humb gjakftohtësinë në reflektim. Politikëbërja atje nuk është shumë transparente, është hermetike dhe, bile, shpeshherë i kalon kufijtë e legjitimitetit. Mjafton të kujtojmë skandalet e shumta. Nga ana tjetër, është e vërtetë që sot Shqipëria ka rrugë më të mira, boom ndërtimi, hapje me botën në turizëm, por fakti që mbi 57% e shqiptarëve të 1990-s janë jashtë vendit flet vetë se këto benefite, në 30 e ca vjet, janë të përqendruara në pak duar. Pikërisht kjo mosshpërndarje korrekte ka krijuar një sistem deri diku oligarkik që ua vret njerëzve shpresën dhe, kur kjo miksohet me kryetarë partish apo politikanë që veprojnë prej 35 vjetësh nga të dy krahët, atyre s’u ngelet gjë tjetër veçse të largohen, pasi shohin që sistemi nuk është i hapur, as demokratik dhe, mbi të gjitha, konfliktual dhe jotransparent.

- Kohët e fundit je angazhuar gjithnjë e më shumë, si iniciator dhe mbështetës në radhët e disa OJQ-ve të krijuara nga pjesëtarë të komunitetit shqiptar me banim në Kanada. Përse e more një vendim të tillë?

Sepse besoj se çdo njeri duhet të japë kontributin e vet, me aq sa mundet, si pjesë e komunitetit. Jam partizan i flaktë i nocionit Res Publica.

- Vitin që shkoi ishe një mbështetës shumë aktiv i Festivalit të Librit në Toronto. Çfarë e motivoi më shumë përfshirjen tënde dhe a do të vazhdojë ajo edhe në edicionin e dytë këtë vit?

Më motivoi fakti që ishte një risi e munguar, si në cilësi ashtu edhe në koncept; gjithashtu, me z. Rudin Dakli (organizatorin dhe financuesin e festivalit) ndajmë shumë këndvështrime të përbashkëta. Patjetër, besoj se edicioni i dytë do të jetë më i madh dhe, mbi të gjitha, më i pasur, për t’u kthyer kësisoj në traditë.

- Je themelues i ACPAC dhe i Dhomës së Tregtisë Kanada-Shqipëri… Cila është e reja që do të sjellin këto institucione në raport me imazhin e komunitetit tonë në vendin ku kemi zgjedhur të jetojmë? Në këtë kotekst, çfarë mund të bëhet më shumë për një vëmendje më të madhe të Kanadasë ndaj Shqipërisë?

ACPAC (Albanian Canadian Political Action Committee) u themelua si një alternativë e munguar, multipartizane, për komunitetin shqiptaro-kanadez. Si qytetarë të këtij shteti, ne duhet të jemi pjesë aktive edhe në procesin politik të tij. Unë besoj se është e pafalshme për të gjithë ne, si komunitet, por edhe për shoqatat e shumta, që në 30 vjet nuk kemi arritur të kemi asnjë këshilltar bashkie, MPP apo federal MP. Pa folur dhe për pozicione që na duken tabu, si ministra provincialë apo federalë. Unë them se të gjitha janë shumë të mundshme dhe të arritshme, por ato nuk zbresin nga qielli; duan punë, platformë dhe koordinim. Ne jemi duke evidentuar dhe këshilluar kandidatura shqiptare që, në zgjedhjet lokale të 2026-s, të zbresin në fushën e konkurrimit si për District School Boards, ashtu edhe në nivelin e këshilltarëve bashkiakë. Mund të them se po gjejmë mirëkuptimin dhe po inkurajojmë te pjesëtarët e komunitetit ndjenjën se është i mirë ky zgjim që ACPAC po sjell në këtë fushë. Gjithashtu, grupe më të rinjsh dhe të rejash janë trajnuar në programe prestigjioze politike dhe, së shpejti, do të akordojmë edhe bursat e para nga ACPAC në fushën e shkencave politike dhe administratës publike. Për sa i përket Dhomës së Tregtisë, ajo është një nismë që gjeti direkt përkrahje nga figura të nderuara nga bota e biznesit dhe jemi të surprizuar për mirë nga dashamirësia që po tregojnë ndaj saj njerëz vërtet të suksesshëm. Pas themelimit të plotë të bordit, ne do të fokusohemi në hartimin e programit që do të sjellë me të vërtetë impakt financiar në botën komunitare në mënyrë që Dhoma të mos jetë thjesht një shoqatë më shumë, por të shndërrohet në pike referimi dhe intsitucion nxitës për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ndërkohë, tri iniciativa të reja po “gatuhen” dhe ato do të bëhen publike shumë shpejt.

- A ke menduar të angazhohesh një ditë drejtpërdrejt në politikë?

Jam i angazhuar në aktivitete politike, si pjesëtar OJQ-sh ashtu edhe në struktura partiake, por për momentin besoj se ka njerëz më të kompletuar se unë për të kandiduar drejtpërdrejt në politikë dhe ata kanë plotësisht përkrahjen time dhe të ACPAC.

- Thuhet se jemi mbi 50 000 shqiptarë në Kanada… Në rrjete sociale për çfarë nuk flasim… ndërkohë janë shumë të paktë ata që diskutojnë problemet e përditshmërisë kanadeze… këtu punojmë, këtu rrisim fëmijët, këtu taksohemi, ndërsa në rrjete duket sikur jetojmë në Shqipëri. Përse ndodh kjo? A ka diçka që duhet të ndryshojë në këtë drejtim?

Sipas meje, janë diku te 72-73 mijë, ku përveç atyre të Shqipërisë, përfshihen shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe mijëra që kanë ardhur me pasaporta greke ose nga shtete që lejojnë vetëm një shtetësi, si Gjermania apo Austria etj. Shumë konstatim i drejtë ai që bën dhe pikërisht për këtë ne si ACPAC dolëm me moton që duhet të mendojmë si kanadezë shqiptarë dhe jo e kundërta. Kjo s’na bën më pak patriotë, por ne besojmë se vetëm duke u përfshirë dhe duke shkëlqyer në fushat tona, si të integruar plotësisht, mund të bëhemi patriotë dhe më të dalluar, sesa të qëndrojmë “të ngujuar” në mentalitetin e vendeve nga erdhëm. Ne paguajmë taksa, mortgage, WSIB, deductions, kemi investimet tona, të ardhmen e fëmijëve në këtë vend, ama nuk kërkojmë ose parashtrojmë kërkesat tona aty ku duhet. Kjo, në vitet e fundit, po ndryshon dhe duhet të ndryshojë. Nëpërmjet kësaj rritjeje kërkesash, besoj se do të shtrojmë rrugën për të ardhmen e fëmijëve tanë këtu. Dhe mendoj se kjo arrihet jo individualisht, por si komunitet, pasi nëse jemi patriotë të vërtetë, ne duhet ta bëjmë këtë si brezi i dytë emigrant, plotësisht i integruar, me detyrimet por edhe objektivat e veta.

- A duhet që shoqatat e shumta shqiptare në Kanada të krijojnë një forum të përbashkët përfaqësimi? Apo ende vështirë të bëhen bashkë shqiptarët? Ideja ka vite që ka qarkulluar, por mos vallë të gjithë duan të bëhen kryetar?

Gjithashtu shumë i drejtë edhe ky konstatim. Sëmundja historike e fragmentarizimit nga vendlindja është reflektuar edhe këtu. 102 shoqata ekzistuese, mos gaboj, janë të tepruara për një komunitet me vetëm 70 mijë anëtarë, sado që vetëm 15-20 prej tyre kanë aktivitet konstant dhe deri diku “wide reach”. Unë personalisht besoj në vizionin që të gjithë shqiptarët e këtushëm të grupohen në një federatë të hapur, demokratike, që të ketë tre departamente: atë të aktiviteteve kulturore, ekonomike dhe politike. Vetëm ashtu mund të bëhemi faktor konstant dhe eventet e shumta me financat që gjenerojnë, të jenë transparente dhe të përdoren nga komuniteti për komunitetin. Mos të harrojmë forcën reale që komuniteti ka këtu dhe imagjinoni nëse ajo kanalizohet me transparencë të plotë, do të thotë më shumë bursa, simbole kombëtare, aktivitete dhe investim në të ardhmen e përbashkët. Duhet të mbizotërojë ndjenja që, në komunitet, si OJQ, ideja është të jepet, jo të merret. Po ashtu, besoj se duhet të shohim çfarë na bashkon, jo çfarë na ndan. Nuk jemi rivalë, por kemi të gjithë një objektiv, që vetëm të bashkuar mund ta arrijmë më shpejt.

Në jetën personale, Agimi është i apasionuar pas librave, numizmatikës dhe purove. Nga letërsia shqiptare preferon Mitrush Kutelin, Gjergj Fishtën dhe Ismail Kadarenë; nga ajo botërore Tolstoin, Hemingway-n, García Márquez-in dhe Umberto Econ. Për sa i takon figurave historike apo politike nga Shqipëria e Kanadaja ai veçon Gjergj Kastriotin, Ahmet Zogun si dhe ish-kryeministrin kanadez Stephen Harper.

Në fund të rrëfimit Agimi shpreh mirënjohjen më të thellë për bashkëshorten e tij, Anisën dhe dy djemtë, Enkelejdin dhe Gabrielin, të cilët i konsideron pasurinë më të madhe dhe kuptimin e jetës së tij. Urimi i tij për vitin 2026 është që të jetë një vit mbarësie për të gjithë, me bekimin e Zotit, dhe një vit suksesi për shoqëritë shqiptare dhe kanadeze.

© Flasshqip.ca