“Vizita e fundit” e Arben Kallamatës - Një ftesë për lexim nga Flurans Ilia
- Published in Komunitet

Të mrekulluar nga leximi i vëllimit me tregime “Vizita e fundit” (Botimet Jozef, 2024) të shkrimtarit Arben Kallamata, do përpiqemi të vëmë në pah disa veçori që e bëjnë këtë libër si një trajtim i veçantë në gjininë e tregimit shqip.
Ndjesia e parë ndërsa fillon shfletimin është befasia. Një befasi me shije të ëmbël. Një befasi e natyrshme, e cila jo vetëm e bënë të këndshëm leximin, por më e rëndësishmja e bënë atë tërheqës, që ngjit si sherbet! Çka mendoj se është një kusht i domosdoshëm për vijueshmërinë e sotme të librit dhe leximit.
Përputhja thuajse “e yshtur” e syrit të lexuesit me prozën e Kallamatës shtrihet në një fushë magnetike jo edhe aq “imagjinare” sesa të drejtpërdrejtë në raport me këndvështrimin real, për nga përmasa e duhur e përbërësve që sendërtojnë subjektet dhe personazhet e tij.
Më konkretisht, kemi të bëjmë me një tregimtar jo të zakontë. Kemi të bëjmë me një prozë të kultivuar e cila të befason po qe se duhet marrë në konsideratë fakti që ky është libri i tij i parë me tregime.
Rrezatimi i parë për syrin tonë si lexues është humori. Ajo çka i mungon letërsisë shqipe, e kemi thënë dhe do vazhdojmë ta themi sërish, është humori! Kjo vegje e vështirë e të bërit art. Të gjitha ato tekste që e zotërojnë humorin në nivelin dhe dozën e duhur nuk janë thjesht një letërsi e zakontë por hyjnë në pragun e letërsisë klasike. “Vizita e fundit” e Arben Kallamatës e mbart këtë veçori.
Shikoni se çfarë ndodh me këtë autor qysh në Pjesën e Parë të librit përmbledhur me nëntitullin TË ËMBLA. Në vend që të bjerë në grackën e humorit për humor (d.m.th. ta trashë më tepër se ç’duhet sherbetin) ky autor me një drejtpeshim elegant të rrëfyeri, kryesisht duke ndjekur seriozisht subjektin dhe besnikërisht personazhin e vet rrëfimtar, e fton lexuesin e tanishëm në një vallëzim me motive nga e shkuara, me atë vështrimin e qartë të asaj që kemi qenë dhe jemi. “Imoniku”, “Gruaja e keqe”, “Agip”, “Llastiqet” janë subjekte që vijnë nga ajo kohë e largët që i flet atij personazhi të dalë jashtë rolit të vet si personazh dhe shndërruar në lexues tashmë. E kam fjalën për këtë lloj grup moshë të caktuar tonën që si të thuash mbart peshën e dyzimit, e të qenit personazh dhe lexues njëherazi, kjo falë forcës së stilit të Kallamatës i cili nuk tallet, as nuk pretendon moralistin e atij lloj sistemi apo njeriun e asaj kohe, jo, autori ndjek tregimin me përpikmëri dhe kjo është gjetja e duhur si artist për t’i folur edhe atij lexuesit tjetër që e përfton realitetin e së shkuarës tashmë në art rrëfimi.
Duke mbërritur te ky lloj lexuesi, që është njëherazi një lexues i ndërlikuar, lexues i krejt tjetër niveli, autori nuk nguron që në Pjesën e Dytë me nëntitullin ME PAK KRIPË, të prodhojë tre tekste që për nga forma jo vetëm janë nga më të veçantat si gjuhë dhe për gjuhën, por edhe nga më elegantet që kemi ndeshur përgjatë hulumtimeve të formave të tregimit. “Gjuhë e vështirë”, “Taqka i Lenkës”, “Gjuha e gjuhëve” janë perla në vetvete për atë lloj lexuesi të shqipes së mbrujtur me folklorin autentik të popullit tonë, por edhe të autorëve klasikë të shqipes. Aq mirë është ruajtur roli i tregimtarit në këto tregime sa lexuesit i krijohet një si biçim ide e rreme se: “nuk ka mundësi, as vetë autori nuk mund të ketë qenë i vetëdijshëm për nivelin sipëror të këtyre teksteve” kur i ka shkruar. Gjë e cila përgënjeshtrohet në Pjesën e Tretë të librit, me nëntitullin DJEGËSE.
Pasi e ka përshkuar pjesën e parë si tregimtar realist dhe linear, pasi ka çarë shtigje të reja në pjesën e dytë me lojën me fjalën dhe modernitetin në art, në këtë pjesë të tretë të librit të vet, si të jetë duke i shkelur syrin me dashamirësi lexuesit, Arben Kallamata hyn si të thuash në atë çka është: një shkrimtar i talentuar dhe intelektual i pastër pa asnjë kompromis me artin dhe kohën e vet. “Arka”, “Vizita e fundit e Shën Kollit në parajsë”, “Rrëfenjë e pa rrëfyer”’, “Fantazi seksuale”, janë kulmimi i artit të këtij tregimtari befasues me zgjuarsinë e stilit të tij që mahnit të gjitha kategoritë e leximit.
Nuk hymë posaçërisht në detajet e përmbajtjes së tregimeve për t’ia lënë këtë ndjesi lexuesit. Ajo çka për hir të letërsisë dhe tregimit shqip u përpoqëm të prezantojmë më sipër, është veçse një ftesë e thjeshtë për lexim e cila, jemi të sigurt, nuk ka për t’ju zhgënjyer.
© Flurans Ilia - Montreal, 30 Janar 2025