Arti figurativ bashkon sërish në Toronto krijuesit shqiptaro-kanadezë
- Published in Komunitet
Ekspozitat dhe aktivitetet e krijuesve shqiptaro-kanadezë të fushës së artit figurativ tashmë po kthehen në një traditë që bashkon artistët dhe artdashësit nga komuniteti dhe jo vetëm. Siç është bërë e ditur nga organizatorët dhe sponsorët, ngjarja e radhës do të nisë nesër më 12 shkurt në Toronto dhe do të jetë edicioni i pestë i këtij lloji. I pagëzuar “Silent Poetry”, përveç pjesëmarrjes së 26 krijuesve me 104 vepra, ky edicion do të ofrojë edhe diçka ndyshe nga aktivitetet e mëparshme.
Në njoftimin për mediat të shpërndarë nga koordinatori Ardian Radovicka thuhet ndër të tjera se ekspozita “Poezi e Heshtur” do të jetë “një festë arti dhe kulture brenda komunitetit shqiptaro-kanadez. 26 artistët kanë nisur një udhëtim unik, duke ndarë historinë personale, përvojat dhe pasionet e tyre përmes 104 veprave artistike. Kjo ekspozitë do të jetë e hapur nga 12 Shkurti deri më 9 Mars 2025, në Todmorden Mills Heritage Site, Toronto. Siç ka thënë Plutarku, duke theksuar lidhjen e thellë midis artit dhe shpirtit, “piktura është poezi e heshtur dhe poezia është pikturë që flet”. Ekspozita do të ofrojë një rrëfim vizual unik që komunikon përtej fjalëve. Ajo do të përfshijë vepra artistike nga zhanre të ndryshme që shfaqin traditat dhe kulturën shqiptaro-kanadeze, seancë pikture me modele të veshur me kostume tradicionale shqiptare, klasë interaktive pikture për fëmijë të moshës 10-15 vjeç si dhe mundësi shkëmbimi kulturor dhe social… Vetë artistët do të jenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes, të etur për të ndarë historitë e tyre dhe për t’u takuar me vizitorët më 13 Shkurt, 2025, në orën 18:00”.
Ekspozita këtë radhë po realizohet edhe falë përkrahjes së organizatave me një histori të mbështetjes së promovimit kulturor si Albanian Canadian Development Alternative (ACDA) dhe Marlee’s Got Talent (MGT).
Paraprakisht është përgatitur edhe një katalog digjital që përshkruan aktivitetin e artistëve që kanë zgjedhur të paraqiten me veprat e tyre në ekspozitën “Silent Poetry”, katalog që është publikuar në mënyrë progresive gjatë ditëve të fundit në faqet e ACDA në rrjetet sociale.
Gjeografia e pjesëmarrjes shtrihet nga Toronto, York, Peel, Montreal, Halifax, si dhe përtej oqeanit. Sipas njoftimit të organizatorëve emrat e artistëve janë si më poshtë:
Alba Feinaj, Altin Muçiqi, Ardian Radovicka, Aurora Paplekaj, Dhurata Sahatçija, Dritan Gavane, Edlira Efovi, Emma Radovicka, Entela Konomi, Elis Tarelli, Ermal Xhixha, Frida Vokshi, Genti Hali, Ilir Butka, Imelda Prifti, Jasmina Ujkani, Kristaq Turtulli, Rapi Sota, Redis Ranxha, Robert Simoni, Petro Dhimitri, Victoria Xhixha, Vilma Saraçi Mebelli, Viola Ilia, Zeqirja Rexhepi dhe Ylli Radovicka
Një ditë para çeljes së ekspozitës, Flasshqip zhvilloi dhe një bisedë të shkurtër me koordinatorin e saj z. Ardian Radovicka.
Flasshqip: Cilat janë disa nga veçantitë e ekspozitës “Silent Poetry”?
Ardian Radovicka: Ekspozita e artistëve shqiptaro-kanadezë do të inaugurohet më 13 Shkurt ora 18:00 në Todmorden Mills Heritage Site. Ajo ka disa veçanti krahasuar me ekspozitat e mëparshme. Së pari, niveli i bashkëpunimit është rritur me shoqata dhe grupime të mirënjohura për aktivitetet e tyre të spikatura në fushën e traditës dhe kulturës kombëtare. Së dyti, institucione dhe biznese shqiptare në Kanada e kanë sponsorizuar këtë ekspozitë. Së treti, kemi një pjesëmarrje më të gjerë të artistëve. Së fundi, por jo nga rëndësia, do të kemi aktivitete speciale shoqëruese të ekspozitës.
Flasshqip: Kë do të permendnit si bashkëpunëtorë dhe sponsorë për organizimin e këtij edicioni?
Ardian Radovicka: Bashkëpunëtorët tanë në këtë ekspozitë janë shoqata dhe grupime të mirënjohura si Albanian Canadian Development Alternative, e njohur për suksesin e arritur me Festivalin e Librit të organizuar në fund të vitit të kaluar dhe Marlee’s Got Talent, e suksesshme për shumë vite në promovimin e talenteve të fëmijëve dhe të rinjve në këngë dhe valle popullore. Po ashtu, kjo ekspozitë po organizohet nën kujdesin dhe sponsorizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Toronto. Githashtu dua të përmend dhe sponsorizimin nga biznese shqiptaro-kanadeze si VOLT Engineering Inc, Realtorja Liljana Vaso dhe Ecolog Inc.
Flasshqip: Në program këtë vit janë parashikuar dhe evente speciale. Çfarë do të evidentonit në këtë rast?
Ardian Radovicka: Eventet speciale do të kryhen në ambientet e galerisë ku do të qëndrojë e hapur ekspozita. Eventi i parë, më 16 Shkurt, do të jetë një seancë pikture nga jeta me një modele të veshur me kostume tradicionale shqiptare. Katër deri pesë artistë kanë shfaqur interes për të marrë pjesë në këtë seancë që do të kryhet në prani të vizitorëve. Këta të fundit do të njihen jo vetëm me veprat e artit të ekspozuara, por edhe me procesin e punës së artistëve. Eventi i dytë, më 1 Mars, do të jetë një klasë falas interaktive pikture për fëmijë të moshës 10-15 vjeç. Në këtë klasë do të zhvillohet një seancë pikture e një natyre të qetë dhe do të drejtohet nga artistja Vilma Saraçi Mebelli. Qëllimi ynë është të promovojmë fëmijët dhe të rinjtë e talentuar në pikturë, të cilët në të ardhmen do t’i bashkëngjiten grupit tonë.
Flasshqip: Cilat janë pritshmëritë nga ky aktivitet?
Ardian Radovicka: Pas një pune të madhe krijuese të artistëve dhe koordinimit tonë periodik me bashkëpunëtorët, shpresojmë që kjo ekspozitë e artistëve shqiptaro-kanadezë të arrijë pritshmëritë tona dhe të mirëpritet nga komuniteti shqiptaro-kanadez. Prindërit e fëmijëve kanë shprehur interes të madh për klasën interaktive të pikturës. Kjo klasë do të na ndihmojë të zbulojmë talentet e reja dhe shpresojmë të rrisim bashkëpunimin tonë me komunitetin. Pjesëmarrja e gjerë e artistëve, bashkëpunimi i frytshëm me shoqata të njohura në komunitet dhe eventet speciale që do të shoqërojnë ekspozitën, shtojnë garancinë tonë për suksesin e këtij aktiviteti.
Flasshqip: Falemnderit. Përgëzime për të gjithë organizatorët, mbështetësit, sponsorët dhe pjesmarrësit. Suksese ekspozitës dhe urojmë që pjesëmarrja të jetë sa më masive!
© Flasshqip.ca - 11 shkurt 2025