Përshkallëzimi ushtarak në Lindjen e Mesme trondit Samitin e G7 në Kanada
- Published in Kanada
 
 
Përshkallëzimi i dhunës mes Izraelit dhe Iranit e ka ndryshuar rrjedhën e programit të Samitit G7 në Kananaskis të Albertës, duke detyruar presidentin amerikan Donald Trump të largohet përpara kohe drejt Uashingtonit.
“Presidenti Trump kaloi një ditë të shkëlqyer në G7,” shkroi në rrjetin X zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. “U shënuan përparime të shumta, por për shkak të situatës në Lindjen e Mesme, presidenti do të largohet sonte (16.06.) pas darkës me liderët botërorë.”
Sipas komunikatës zyrtare, Trump do të kthehet në Uashington për t’u përballur me zhvillimet urgjente në Lindjen e Mesme, duke anuluar pjesëmarrjen në ditën e fundit të samitit, e cila parashikonte edhe një konferencë për shtyp.
Pak para njoftimit, Trump kishte bërë thirrje në rrjetin e tij Truth Social që banorët e Teheranit të evakuonin menjëherë kryeqytetin iranian. “Iranit i kërkova të nënshkruante marrëveshjen bërthamore kur ishte koha. Çfarë fatkeqësie dhe humbjeje jetësh njerëzore. Thënë thjesht: IRANI NUK MUND TË ZOTËROJË ARMË BËRTHAMORE”, shkroi ai.
Frikë për përfshirje ushtarake të SHBA
Largimi i menjëhershëm i presidentit amerikan ka ngritur shqetësime për një përfshirje të mundshme ushtarake të SHBA në konfliktin Izrael-Iran. Prej ditësh, Teherani kërcënon se do të godasë bazat ushtarake amerikane në rajon, duke akuzuar Uashingtonin për mbështetje aktive ndaj Izraelit.
Një mbledhje urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare amerikane është parashikuar të mbahet sonte (16.06.) në mbrëmje, menjëherë pas rikthimit të presidentit në Uashington.
Zyra e kryeministrit kanadez, Mark Carney, bëri të ditur se ishte informuar në rrugë zyrtare për vendimin e Trump për ta ndërprerë vizitën, por nuk komentoi më tej.
“Jam shumë mirënjohës për praninë e presidentit”, tha Carney pas pozimit për foton zyrtare me liderët e vendeve anëtare të G7-ës. “E kuptoj plotësisht arsyen e largimit tuaj”, shtoi ai.
Trump dhe Carney zhvilluan më herët një takim dypalësh për të diskutuar tensionet tregtare mes dy vendeve, ku u angazhuan të arrijnë një marrëveshje brenda një muaji.
Takime të anuluara
Programi zyrtar i samitit për ditën e dytë mbetet i pandryshuar, me një seancë të planifikuar mbi sigurinë energjetike dhe mineralet kritike, por diskutimet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e SHBA, fuqisë më të madhe ekonomike në botë.
Disa liderë të ftuar, që mbërrijnë sot (16.06.) dhe nesër në Kanada me shpresën për takime bilaterale me Trumpin, do të zhgënjehen nga largimi i tij i papritur.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, kishte pranuar ftesën për të marrë pjesë në samit pikërisht me synimin për të diskutuar me Trump çështjen e tarifave amerikane ndaj Meksikës. Edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ish përgatitur të bisedonte me presidentin amerikan për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane nga Kievi. “Duhet të bëjmë gjithçka që aleanca Amerikë-Evropë të mos shembet. Është në interesin e përbashkët”, theksoi Zelensky gjatë një vizite në Vjenë para udhëtimit drejt Kanadasë. Po ashtu, kryeministri indian, Narendra Modi, i cili mbërriti sot (16.06.) në mbrëmje në Alberta, kishte planifikuar një takim me Trumpin, por tashmë do të takohet vetëm me kryeministrin Carney.
Përçarje për çështjen ruse
Që në ditën e parë të samitit u vunë re ndasi mes liderëve, pasi Trump deklaroi se përjashtimi i Rusisë nga G8 ishte një gabim strategjik. “Po të ishte Rusia ende pjesë e grupit, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur”, u shpreh pas takimit me kryeministrin kanadez Carney.
Trump tha se ishte dakord me presidentin rus Vladimir Putin për këtë çështje dhe fajësoi ish-presidentin Obama dhe ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau për vendimin për përjashtimin e Moskës.
Në fakt, Rusia u përjashtua nga grupi në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë, një vit para ardhjes në pushtet të Trudeau. Në atë kohë, kryeministër ishte konservatori Stephen Harper.
Ndërkohë, vendet evropiane kërkojnë më shumë sanksione ndaj Rusisë, veçanërisht për eksportin e naftës. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të dielën (15.06.) se duhen shtuar presionet mbi Moskën për të arritur një armëpushim në Ukrainë. Por Trump e vlerësoi me skepticizëm këtë qasje: “Sanksionet nuk janë aq të thjeshta. Çdo masë e re ka një kosto të jashtëzakonshme edhe për vetë Shtetet e Bashkuara”, paralajmëroi ai.
Burimi: Radio-Canada
Foto: Getty Images/ AFP/Suzanne Plunkett; Associated Press/Mark Schiefelbein
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










