Njoftime

Gazetarët e Diasporës denoncojnë hakmarrjen e kryeministrit Rama ndaj koleges Ambrozia Meta

Deklaratë e Unionit të Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës 

Publiku shqiptar e ka të freskët përballjen e gazetares së Syri TV, Ambrozia Meta, në kontekstin e arrestimit të deputetit të Partisë Socialiste Alqi Bllako për korrupsion në aferën qeveritare të inceneratorëve. Gazetarja nuk u pajtua me qëndrimin e kryeministrit se përgjegjësia për aferën nuk është kolektive, prandaj pyeti kryeministrin nëse ai mban përgjegjësi që vuri në lista për deputet një person që pritet të arrestohet dhe ia kujtoi atij se po i bëhet grup parlamentar në burg, nisur nga arrestimet e shumta të deputetëve dhe zyrtarëve të PS, një fenomen ky i nisur që prej ardhjes në pushtet të Rilindjes.

Jemi të gjithë dëshmitarë se Rama doli krejtësisht jashtë etikës jo vetëm të një kryeministri, por edhe të një zyrtari sado të rëndomtë, por që ka dinjitetin e mjaftueshëm në respekt të detyrës së tij shtetërore. Ai iu kundërvu gazetares në mënyrë vulgare dhe brutale me shprehjet ‘kur flas unë, dëgjo’, ‘prit të mbaroj’, ‘mos më ndërprit’, apo ‘po humb edukatën’. Ndaj këmbënguljes së saj, ai ia hoqi gazetares të drejtën t’i drejtojë atij pyetje në 60 ditët e ardhshme: “E humbet të drejtën e përgjigjeve të mia për 60 ditët në vazhdim. Kalon në riedukim. Ju po më bullizoni,” iu drejtua kryeministri gazetares Ambrozia Meta.

Edi Rama, në mënyrë të vrazhdë dhe antiqytetare, ia ndaloi gazetares të drejtën të jetë me gazetarët e tjerë në paraqitjet e tij mediatike. Me të drejtë, opozita e cilësoi burg informativ 60 ditor ndëshkimin ndaj gazetares dhe e cilësoi një veprim të përsëritur skandaloz mizogjinist të kryeministrit.

Kryeministri Rama nuk e harroi hakmarrjen e tij. Në veprimtarinë e zhvilluar dje, gazetarja nuk e lejua të kalonte kangjellat e selisë së Partisë Socialiste.

Ia kujtojmë kryeministrit se, me përjashtimin që ia bën gazetares Ambrozia Meta, ai shkel rëndë Kushtetutën e Shqipërisë, e cila në Kreun II, “LIRITË DHE TË DREJTAT VETJAKE” thekson, ndër të tjera: Neni 21 Jeta e personit mbrohet me ligj. Neni 22 1. Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet. Neni 23 1. E drejta e informimit është e garantuar. 2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore. 3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.

Unioni i Gazetarëve Profesionistë Shqiptarë të Diasporës (UGSHPD) dënon aktin hakmarrës brutal dhe vulgar të Edi Ramës ndaj gazetares Ambrozia Meta, kërkon që kryeministri të heqë dorë nga vendimi i tij i padrejtë dhe antiqytetar, si dhe kërkon nga shoqëria shqiptare, nga Kuvendi i Shqipërisë, nga prania perëndimore në këtë vend të solidarizohen me gazetaren Ambrozia Meta dhe me të gjithë gazetarët që e kryejnë me dinjitet misionin e tyre ndaj informimit të publikut shqiptar.

7 prill 2022