Komunitet

Nga një ëndërr e guximshme tek një histori suksesi: Biznesi kanadez i Mira dhe Prend Tanushit

  • Published in Komunitet
Nga: Taulant Dedja

Historia e Mira dhe Prend Tanushit është një rrëfim tipik emigrantësh që u përballën me vështirësi, sakrifica dhe dilema të mëdha, por që me këmbëngulje e punë të palodhur drejtojnë sot një biznes të konsoliduar në sektorin ushqimor, i njohur, i frekuentuar dhe i vlerësuar në Montreal e rrethinat e tij. Prej dy dekadash, ky çift nga Shqipëria ka treguar se suksesi nuk është vetëm rezultat i një ideje të mire fillestare, por i vendimeve të guximshme, i disiplinës dhe i besimit të ndërsjellë. Produktet e biznesit të tyre “Pâtisserie, Boulangerie, Pizza - Gourmande” (3840, Boul. Taschereau, Longueuil QC J4V 2H9 Tel. 450 671-5774) janë shumë të kërkuara në treg dhe të testuara. Janë produkte jetike të konsumit të përditshëm dhe mjaft të nevojshme për tavolinat familjare. Tradita është evropiane, italo-franceze, por e përshtatur me kërkesat, shijet dhe preferencat e klientelës lokale.

Fillimet e një rrugëtimi të pazakontë

Kur Prend Tanushi mbërriti në Kanada, formimi i tij profesional ishte mësues matematikë. Ai ishte përgatitur për një karrierë në përputhje me shkollimin, por realiteti i emigracionit shpesh imponon rrugë të tjera. Nevoja për të ardhura e shtyu të pranonte një vend pune në një pastiçeri italiane, ku mësoi një zanat krejt të ri. Aty përvetësoi teknika, shije dhe eksperiencë që më vonë do t’i shërbenin për të ndërtuar biznesin e familjes.

Pas diplomimit në informatikë në Montreal në vitin 2004, Prendi u gjend para tri mundësive të ndryshme: një kontratë në Montreal për programim në Java, një ofertë në Michigan për Oracle dhe një mundësi për të blerë një pastiçeri italiane në falimentim. Ishte një zgjedhje e pazakontë, por pas shumë diskutimesh me Mirën, bashkëshorten, vendosën të merrnin guximin të investonin në këtë të fundit. Motivimi kryesor nuk ishte vetëm fitimi, por dëshira për vetëpunësim dhe bindja se puna me pasion dhe me përkushtim do t’i shpërblente.

Vështirësitë e para dhe solidariteti i ndërsjellë

Biznesi fillimisht u hap në Rivière-des-Prairies në shtator të vitit 2005. Ishin kohë të vështira: bankat nuk jepnin kredi për aktivitete me risk, ndërsa kartat e kreditit kishin interesa të larta. Mira, ndërkohë, nisi studimet e plota për infermieri në universitetin McGill. Jetonin në një apartament të vogël, duke e përballuar jetesën me bursën dhe huanë e studimeve të saj.

Tre muaj pas hapjes, bilanci ishte negativ. Shumëkush do të ishte dorëzuar, por mbështetja e vendosur e Mirës ndaj Prendit u bë themel i suksesit të ardhshëm. Ajo e shtyu atë të mos ndalej, duke e nxitur madje të lexojë edhe një manual orientues për bizneset e vogla, publikuar nga qeveria federale. Manuali shpjegonte qartë realitetin: orë pa fund pune, sakrifica financiare, mungesë pushimesh dhe rrezik falimentimi. Vetëm 10% e bizneseve të reja mbijetonin. Por këto paralajmërime, në vend që ta trembnin, e motivuan çiftin të këmbëngulte dhe të ndryshonte strategji.

Prendi dhe Mira e kuptuan se nuk mund të prisnin klientët në dyqan; duhej të shkonin tek ata. Kështu ia nisën të prezantonin produktet në supermarkete dhe biznese të tjera, duke fituar klientët e parë potencialë. Ky hap i dha biznesit frymëmarrjen e nevojshme dhe hapi rrugën për zhvillimin e mëtejshëm.

Partneritet i barabartë dhe sakrifica të përbashkëta

Një element i rëndësishëm i historisë së tyre është bashkëpunimi i plotë mes bashkëshortëve. Ata nuk e ndanë kurrë biznesin në “rolet e burrit” dhe “rolet e gruas”. Të dy janë çdo ditë në terren, të dy merren me administrimin, prodhimin dhe shërbimin. Kjo qasje i bëri më të fortë dhe më të përgatitur: nëse njëri mungon, tjetri mund ta drejtojë biznesin pa u ulur ritmi.

Vlen të theksohet gjithashtu fakti, që Mira bëri një sakrificë të madhe personale, duke lënë pas karrierën e saj si “Clinical nurse specialist and lactation consultant” për t’iu përkushtuar rritjes së biznesit familjar. Ky vendim, i marrë me bindjen se suksesi kërkon fokus dhe energji të plotë, u dëshmua se ishte i drejtë me kalimin e viteve.

Nga një dyqan i vogël te një kompani me tre departamente

Në fillim ata prodhonin rreth 20 produkte dhe punonin vetëm të dy. Me kalimin e kohës, duke shtuar punëtorët e parë, ia arritën të përqendroheshin tek cilësia, krijimi i produkteve të reja dhe zgjerimi i klientelës.

Në vitin 2007 hapën dyqanin e dytë në Laval, dhe krijuan kompaninë e parë “Quebec Inc.”. Aty zhvilluan specialitetin e picave të ftohta siciliane, duke ofruar mbi 30 lloje të ndryshme. Produktet u rritën në rreth 60 artikuj dhe marka Tanushi nisi të njihej në treg.

Zgjerimi vazhdoi me hapjen e dyqanit në Rive-Sud, Longueuil, ku u themelua kompania e dytë dhe u krijuan tre departamente: pastiçeria, picat e ftohta dhe furra e bukës. Sot, biznesi i tyre, tashmë i përqëndruar i tëri në Bregun Jugor, ofron rreth 200 produkte të stilit italian dhe francez, të përshtatura me shijet kanadeze, që përdoren në çdo rast, nga konsumi i përditshëm deri në festa e dasma. Në total, kompania e Tanushëve punëson 30-35 persona, me kohë të plotë e të pjesshme.

Filozofia e menaxhimit dhe marrëdhënia me klientin

Për çiftin Tanushi, pjesët më të komplikuara në biznes janë gjetja e vendndodhjes së duhur, zgjedhja e produkteve sipas shijeve të konsumatorit dhe menaxhimi i financave, ndërsa konkurrenca nuk shihet si pengesë, përkundrazi si nxitje. Ajo i shtyn të përmirësojnë cilësinë, të ofrojnë shërbim më të mirë dhe të krijojnë produkte të reja. Pyetja që i bëjnë vetes gjithmonë është: “Pse klienti duhet të blejë produktin tonë?”

Cilësia dhe freskia e produkteve, shërbimi i respektueshëm dhe balanca mes çmimit e cilësisë janë elementët që i mbajnë klientët besnikë. Shumë prej produkteve të tyre janë unikë, duke ofruar një eksperiencë që nuk gjendet në biznese të tjera të ngjashme.

Në raport me stafin, filozofia e tyre është e qartë: punonjësit trajtohen si familjarë. Respekti, motivimi, sigurimi i një rroge të denjë dhe ndihma në momentet e vështira krijojnë një atmosferë të shëndetshme që rrit përkushtimin e ekipit.

Investimet në teknologji dhe ndikimi i tyre

Për të rritur cilësinë dhe volumin e prodhimit, për të përmirësuar efikasitetin e punës dhe për të lehtësuar punën fizike, duke eliminuar nevojën për orar nate, Tanushët kanë investuar në makineri të konceptuara posaçërisht për prodhime artizanale, të pajisura me teknologjinë më të mirë bashkëkohore. Ndër pajisjet kryesore përmenden furra elektrike e programuar me teknologji speciale që ndihmon në pjekjen e barabartë të produkteve, ndarësi dhe peshuesi hidraulik gjysmë-automatik i brumit, që rrit shpejtësinë dhe sasinë e prodhimit, aparati që mat sasinë dhe temperaturën e ujit sipas recetave të ndryshme, si dhe dhoma e fermentimit të bukës, e cila përmirëson ndjeshëm shijen, strukturën dhe lejon planifikimin e prodhimit sipas orarit të dëshiruar.

Në aspektin administrativ, sistemi terminal Clover ndihmon në raportimin ditor të shitjeve, menaxhimin e porosive, transaksioneve dhe faturave, si edhe në mbajtjen e inventarit. Përmes aplikacionit të integruar Homebase, regjistrohen orët e punës për çdo punonjës, planifikohen oraret dhe lehtësohet komunikimi me stafin, i cili mund të ndjekë të dhënat përmes llogarive personale individuale.

Në kontabilitet, teknologjia ka sjellë thjeshtësi dhe saktësi. Sistemi Wagepoint përgatit automatikisht pagesat duke lidhur kontabilitetin me punonjësit, ndërsa aplikacioni Dext regjistron të gjitha faturat e blerjeve, duke i ruajtur në formë digjitale dhe duke eliminuar nevojën për ruajtjen fizike të tyre për 5 vjet, siç kërkon ligji. Për klientët, kompania ofron gjithashtu një faqe interneti funksionale, ku mund të bëhen porosi dhe pagesa online për produktet e saj:

https://www.patisseriegourmande.com/

Një ditë tipike pune

Dita e tyre nis herët. Kujdesen për të siguruar që produktet të jenë gati dhe dyqani të hapet në kohë, që shpërndarja të kryhet me automjete në pikat e shumicës. Pas hapjes, ata merren me administrimin, por kurrë nuk e humbin kontaktin e përditshëm me terrenin. Kjo prani i ndihmon të kuptojnë nevojat e klientëve dhe të punonjësve.

Vlerësime dhe arritje në tregun lokal

Një nga sukseset më domethënëse ishte momenti kur portali “Vive la Rive Sud”, para disa muajsh përzgjodhi biznesin e tyre ndër gjashtë bizneset me pica të ftohta më të mira në Bregun Jugor të rajonit Montreal dhe madje për t’u nënvizuar është se dy prej bizneseve të tjera në listën e klasifikuar prej portalit në fjalë, furnizoheshin me pica nga Tanushët. Pra, tre nga gjashtë të përzgjedhurit tregëtojnë në fakt produktet e tyre.

Sot, ata shërbejnë mesatarisht 2500-3000 klientë në javë dhe furnizojnë 15-20 pika shitjeje me shumicë, përfshirë supermarkete, restorante dhe tregje të njohura të Montrealit.

Planet për të ardhmen

Vizioni i tyre nuk ndalet këtu. Së fundmi, kanë nisur bashkëpunimin me zinxhirin ndërkombëtar ushqimor IGA në Saint-Lambert dhe Boucherville, një hap që pritet të krijojë mundësi të reja për zgjerim. Objektivi është të rriten më tej, duke mbetur të qëndrueshëm tek cilësia dhe origjinaliteti i produkteve.

Shembulli i një historie suksesi

Historia e Mira dhe Prend Tanushit është një shembull i qartë se si guximi, sakrifica dhe partneriteti i fortë mund të transformojnë jetën e një emigranti. Nga një dyqan modest me bilanc negativ, Prendi dhe Mira arritën të ndërtojnë një kompani të fuqishme, të respektuar dhe të preferuar nga mijëra klientë. Çdo hap i tyre tregon se suksesi kërkon vendime të guximshme, punë të palodhur dhe durim. Ata dëshmojnë se me bashkëpunim të ngushtë, mbështetje të ndërsjellë dhe besim tek vetja, edhe sfidat më të mëdha mund të kapërcehen.

Mesazhi që ata përcjellin për çdo sipërmarrës të ri është i qartë: nuk ka rrugë të shkurtër apo të lehtë drejt suksesit. Ai kërkon guxim për të marrë vendime të vështira, për të investuar kohë dhe energji pa kursim, dhe mbi të gjitha, besim tek vetja dhe tek ata që ke pranë. Vetëm me këta elementë mund të kapërcehen sfidat, të përballohen humbjet dhe të arrihen rezultate të qëndrueshme.

Historia e Tanushëve nuk është thjesht një rrëfim mbi krijimin e një kompanie dhe aktivitetin e saj tregtar. Ajo është dëshmi se emigracioni, sfidat e tij dhe mungesa e lidhjeve fillestare nuk e pengojnë suksesin, përkundrazi mund të bëhen shtysë për të punuar më shumë dhe për të arritur atje ku ndoshte nuk e ke imagjinuar në fillim. Ajo gjithashtu tregon rëndësinë e bashkëpunimit të barabartë dhe përkushtimit të përbashkët në një partneritet, veçori që e ka bërë biznesin e tyre unik dhe të suksesshëm në tregun kanadez të Montrealit dhe rrethinave.

© Flasshqip.ca

Fotot: Kortezi e familjes Tanushi