“Grimcat”, një roman drithërues i Përparim Kapllanit - Nga Avdulla Kënaçi
- Published in Komunitet
- Nga: Avdulla Kënaçi - Toronto

Shkrimtari shqiptaro-kanadez Përparim Kapllani paraqitet së fundmi përpara lexuesve me një vepër të re letrare, e cila mban një titull modest “Grimcat”. Menjëherë të lind pyetja: Përse e ka titulluar kështu, me një fjalë që ka kuptimin “thërrimet”?! Jo më kot. Universi i tërë është i përbërë nga grimcat, kjo është materja, lënda e parë, atomi prej nga përbëhet e gjithë bota, universi. Në këtë roman autori ka zgjedhur fjalën “grimcat” për titull për të na kujtuar se jeta e shkuar në luginën e lumit Shkumbin dhe pikërisht në Elbasan, përbëhet nga miliarda grimca jetësore, por ai vetë ka zgjedhur vetëm disa grimca autobiografike për të na përshkruar e sjellë para syve jetën dhe historinë e shekullit që lamë pas, sidomos ngjarjet pas shkëputjes së Shqipërisë nga ish-kampi socialist me në krye ish Bashkimin Sovjetik.
I gjithë romani dhe kapitujt që e përbëjnë atë, rrëfehet sipas kujtimeve dhe historive të një adoleshenti jetim, me nënë e baba gjallë, por që atij i duhet të kapërcejë zhgënjime, pengesa, uri dhe tronditje të mëdha shpirtërore, në një kohë kur duhet të rrethohej nga lodrat, këngët dhe leximet e librave plot aventura. Së bashku me vëllain e tij më të vogël, Platorin, ai detyrohet të jetojë në një shtëpi me mure kallami dhe pikërisht në një dhomë katër herë katër, ku flenë së bashku me njerkun dhe nënën e tyre.
Po ku gjendet babai i tij, ish-studenti në Akademinë Ushatrake në Leningrad të ish-Bashkimit Sovjetik?! (Shën Peterburgu i sotëm). Shumë afër, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Që këtu lindin shumë pikëpyetje. Pse një student i shkëlqyer ushtarak, një ish-oficer me biografi të mirë ka përfunduar në Spitalin Psikiatrik?! Pse është ndarë e ëma, Manushaqja me të? Si sillet njerku i prekur nga lufta e klasave? Si sillen me të mësuesit dhe shokët e shkollës? Pra, autori, duke e vënë personazhin kryesor në qendër të kësaj autobiografie kontradiktore, të pazakontë, vetvetiu zgjon kureshtjen e lexuesit. Në këtë mënyrë shkrimtari Përparim Kapllani ka siguruar epërsinë e parë ndaj lexuesit; duke zgjedhur këtë subjekt shumë interesant dhe origjinal. Me këtë narrativë ai nuk ka dashur të përshkruajë një histori triller, mbytur në varfëri dhe ashpërsi të luftës së klasave, por ai ka dashur të sjellë para sysh vuajtje dhe ngjarje dramatike, therëse deri në kockë.
Nëpërmjet rrëfimeve të Çimit, jetimit me prindër gjallë, ndërtohet e gjithë ngrehina dhe kompozicioni i romanit “Grimcat”. Ngjarjet e mëdha politike shkaktojnë edhe drama e tragjedi të fuqishme. Isai, një kursant i shkëlqyer në ish-Bashkimin Sovjetik, i duhet të kthehet pa një, pa dy, në Atdhe, medoemos. Urgjentisht duhet të shkëputet me të dashurën e tij, rusen Svjetllana Konstandinova, bijë gjenerali. Ai merr urdhër të kthehet në rastin më të parë në Shqipëri. Vihen përballë e dashura e tij, bukuroshja ruse, dhe nga ana tjetër Atdheu për të cilin ai është betuar të falë edhe jetën. Ai zgjedh të dytin, Atdheun. Isai mendon se nuk mund të jetojë tërë jetën duke mbajtur mbi supe njollën e tradhëtarit. Me shumë dhimbje ndahet përgjithmonë me rusen e bukur. Këtu nis edhe rrënimi dhe shkatërrimi i tij shpirtëror. Llogjikisht nuk mund të pajtohet me zgjedhjen politike të udhëheqjes shqiptare, por urdhëri është urdhër. Dashuria e fuqishme për Svjetllanën e bren, e ndrydh dhe e rrënon pak nga pak, derisa e çon në Spitalin Psikiatrik, duke lënë në mëshirë të fatit, në mes të katër rrugëve, gruan dhe dy fëmijët e vegjël. Bashkëshortja e tij, Manushaqja, një fshatare e duruar, e urtë dhe pa përvojë, nuk mund të përballojë spitalin dhe dy fëmijë jetimë, kështu martohet me një tjetër burrë, punëtor ndërtimi, një njeri kokulur e i nënshtruar për arsye të “disa ceneve” në biografi.
Romani nis me kapitullin “Pallati i Peshkut”, përshkruar në mënyrë realiste, deri në detaje të imta. Gra që ziejnë rrobat në kazanë me zjarr e lajnë me duar në govata druri, qoshkëza të hirnosura, banja ku gumëzhijnë mizat, gjithandej minj të zinj, veshllapushë, radhë për bukë, për peshk, për vajguri, ujë dhe fëmijë që kishin për vakt bukë të lyer me vaj kikiriku e pak sheqer përsipër. Varfëri e tejskajshme. Llampa ndriçimi të djegura në korridor, pasqyra e thyer e dollapit dhe mure të ndërtuara me qerpiç… Pak a shumë kjo është skena ku luhet jeta e një familje të varfër. Si shumë të tjera në ato vite të izolimit të madh të Shqipërisë socialiste.
Shkrimtari nuk ka dashur të mbajë asnjë qëndrim politik duke akuzuar udhëheqjen e Partisë Komuniste. Ai është përqëndruar tek jeta dramatike e personazheve të tij, aq më tepër që rrëfimet e një adoleshenti janë të pafajshme, naive, por të vërteta si drita e diellit, realiste. Indirekt janë akuza për sistemin politik, aventurën dhe vetizolimin që kishte zgjedhur udhëheqja e Partisë Komuniste në pushtet.
Politika ishte shtrirë në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, kishte zgjatur duart gjer në Spitalin Psikiatrik, ku edhe aty të sëmurët mendorë kontrolloheshin dhe përgjoheshin nga policia sekrete se mos “armiqtë e pushtetit” hiqeshin si të çmendur për t’i shpëtuar ndëshkimit. “Disa nga të sëmurët mendorë kanë kërkuar të strehohen në këtë spital për t’i shpëtuar ligjit”, thotë drejtori i spitalit, shoku Xhindi. Duket se autori e ka njohur mirë sistemin shëndetësor dhe metodat çnjerëzore që praktikoheshin në këtë spital qendror për të çmendurit. Doktor Xhindi është një diktator i pashpirt dhe arrogant, i lidhur me politikën dhe në shërbim të saj, i cili nuk heziton të përdorë në çdo rast shufrat e hekurit dhe elektroshokun për të fshirë memorien e të sëmurëve të irrituar, sidomos ata që shajnë regjimin politik. Ai përshkruhet si një kuadër i egër dhe mizor duke zbatuar me përpikmëri urdhërat që i vijnë nga lart. Në kontrast me të është doktor Arbeni, human, i ditur dhe me shumë kulturë, i cili kujdeset dhe shpëton nga ndëshkimi personazhin kryesor, të sëmurin mendor Isa Vishanji. Ai njeh dramën dhe talentin e këtij pacienti, prandaj e mbron duke rrezikuar karrierën e vet, e fsheh në dollap të zyrës së tij dhe i jep blloqe e laps për të hedhur në letër kujtimet dhe krijimet e tij. Ai e kupton më së miri dramën e Isait dhe pështjellimet e tij mendore. Përdor të gjitha dredhitë profesionale për ta veçuar nga të sëmurët e tjerë, midis të cilëve ka edhe njerëz shumë të dhunshëm e të papërgjegjshëm, deri edhe kriminelë.
Skenat e të sëmurëve mendorë që grinden gjer në gjakosje për një breshkë në oborr, janë sa groteske e të egra, po aq të pështira. Ato janë përshkruar në mënyrë origjinale dhe bindëse. I sëmuri Isa Vishanji, duke përfituar nga maskimi e izolimi, i shkruan disa letra mallëngjyese Svjetllanës, të cilat nuk i postoi kurrë. I shkroi së shoqes, Manushaqes, nënë e dy djemve të tij, si dhe lë amanet një përmbledhje me fjalë të urta që, siç thotë ai, as shiten e as blihen: “Mos u bëj si rrufeja që djeg e shkrumbon çdo gjë që gjen përpara. Lisi rri i përkulur dhe të gjithë gjejnë prehje nën krahët e tij”, etj. Ai lë të shkruara poezi me ndjenja të çiltra duke pasur idhull poetin rus, lirikun Sergej Esenin, i cili nën peshën e depresionit i dha fund jetës së tij në moshën 30-vjeçare.
Personazhi më i plotësuar i këtij romani është Çimi (mendoj se portretizimi i këtij heroi nuk është gjë tjetër veçse adoleshenca e vetë autorit). Ai është një fëmijë i pavarur, i zgjuar dhe i shkathët, i pari i klasës dhe njëkohësisht mbrojtje dhe strehë e sigurt e vëllait të tij më të vogël. Mjaft mirë është pasqyruar miqësia dhe dashuria e sinqertë me nxënëse Amlën, tek e cila ai sheh një shoqe besnike të përkryer ndaj së cilës demonstron heroizëm në lodra, shkëlqen për hir të saj në mësime dhe në ndeshjet luftarake me skuadrat “Ilirët” dhe “Romakët”. Ai garon dhe lufton dhëmb për dhëmb me komandantin e “Romakëve”, derisa e shtrin përdhe dhe vetë ngrihet triumfator në sytë e vajzës së zemrës, Amlës.
Episode mbreslënëse janë edhe ato që i përkasin kolektivit pedagogjik të shkollës, kujdesit të mësuesve dhe gjithë këshillit pedagogjik që punon me përkushtim për të edukuar një brez të ri të përgatitur profesionalisht e moralisht; sa të ditur e humanë. Kolektivi pedagogjik i shkollës është model për nxënësit dhe i lidhur ngushtë me prindërit. Edukatorë shembullorë. Një traditë e spikatur kjo në qytetin arsimdashës, aty ku nisi fluturimin Shkolla e Mesme Normale e Elbasanit, mësuesit e së cilës punuan kudo ku ishin shqiptarët: në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi.
Çimi, i goditur me plagët që mori nga jeta e vështirë, merr një vendim të prerë. Ndahet me dhimbje nga Amla e dashur, ndoshta përkohësisht; do të jetë edhe ai “zog inkubatori”, pra, do të vishet me uniformën ushtarake. Do të vazhdojë shkollën “Skënderbej” në Tiranë. Ky është një betim përpara kujtimit të babait të tij, i cili nuk la asnjë pasuri veç një valixhe me kujtime, fletore të tëra, shkruar me dorën e tij. Çimi merr në dorëzim gjithë trashëgiminë e të atit dhe premton se do të bëhet një oficer i shkëlqyer ushtarak, pozitë që i ati, viktimë e kthesave të papritura politike, nuk e gëzoi. Babai i tij vetvritet, pëson fatin e shumë të zhgënjyerëve të tjerë nëpër botë. Duke mos gjetur asnjë rrugëdalje, i braktisur nga të gjithë, Isai hidhet nga kati i pestë i një pallati të sapondërtuar. Sheh të fundit agim që zbret mbi qytet dhe fluturon për disa sekonda në ajrin e ftohtë të mëngjesit, i pafuqishëm të pranojë dramën e tij personale, familjare dhe politike. Kështu jep frymën e fundit të jetës së tij të parealizuar e të dështuar.
Ka shumë shembuj shkrimtarësh të tillë nëpër botë që kanë përcaktuar vetë fundin e tyre; është nobelisti amerikan Heminguej që u vetvra me pushkë gjahu. Ai luftoi shumë gjatë jetës së tij me alkoolin dhe problemet e shëndetit mendor. Gjithashtu është shkrimtarja Silvia Plath e cila gjatë gjithë jetës u ndesh me depresionin dhe vdiq nga helmimi me monoksid karboni, shkrimtarja Virginia Voolf e cila u mbyt me ndërgjegje për të mos dalë më nga lumi Quise, shkrimtarja Anne Sexton u mbyt me monoksid karboni në garazhin e makinës së saj për të mos e parë fëmijët, po ashtu shkrimtarja Yukio Mishima i dha fund jetës me vetvrasje rituale, (seppuku), vdekje tradicionale japoneze, etj.
Po personazhi qendror i romanit “Grimcat” i shkrimtarit Përparim Kapllani? Ai u hodh vullnetarisht e me ndërgjegje nga tarraca e pallatit pesëkatësh. Edhe kjo tragjedi është temë e luftës dhe e dëshpërimit ekzistencial. Vetëvrasja, duke u hedhur nga lartësitë, është zgjedhje tipike shqiptare. Kështu veprojnë kryesisht të gjithë bashkëkombasit tanë, ata që i mund e i vë poshtë depresioni, dhimbja dhe vuajtja e pamerituar shpirtërore. Ata janë delikatë, të brishtë, jetojnë në vorbullën e ankthit dhe kjo është zgjidhja e tyre për t’u dhënë fund vuajtjeve shpirtërore, të pamerituara.
Nëse për një moment ky personazh lirik, Isai, talent ushtarak, do të hapte sytë e do të ngrihej nga varri, me siguri do të shihte birin e tij nën uniformën ushtarake, Çlirimin, i cili vazhdoi me krenari stafetën për mbrojtjen e Atdheut, Shqipërisë sonë të dashur. Bëri atë që i ati nuk mundi të realizojë.
© Avdulla Kënaçi - Mississauga, 4 tetor 2025











