Qytetet tona po shndërrohen në azile nën qiell të hapur - Nga Richard Martineau
- Published in Kanada
- Nga: Richard Martineau - Journal de Montreal
Njerëz të tërbuar që vrapojnë nëpër rrugë me dy thika në duar; të pastrehë që masturbohen ose kryejnë nevojat fiziologjike në mes të rrugës, para syve të fëmijëve që shkojnë në shkollë; toksikomanë në krizë që paraqiten në spitale me pistoleta me ajër të kompresuar, thika apo sëpata…
Montreal është kthyer në një azil nën qiell të hapur. Situata ka arritur në atë pikë sa është dashur të vendoset një detektor metali në hyrje të spitalit Notre-Dame. Jo vetëm që infermierët dhe mjekët tanë kanë frikë se mos u bie tavani i një spitali të amortizuar mbi kokë gjatë një operacioni, por tani druajnë edhe se mos theren me thikë.
A konstatoni ndonjë ndjenjë urgence te të zgjedhurit tanë? A keni përshtypjen se ky problem po merret seriozisht?
Kryebashkiakja e re e Montrealit, Soraya Martinez Ferrada, bën çfarë mundet, por përmasat e problemit e tejkalojnë shumëfish kapacitetin e qytetit…
Kur do të vendosë qeveria e provincës t’i hedhë një litar shpëtimi metropolit?
Larg viteve ’60
Po flas për Montreal, por po aq mirë mund të flisja për Vancouver, Toronto, Ottawa apo Quebec City.
Në korrik 2003, në Toronto, një nënë u vra nga një plumb qorr, kur dy trafikantë droge hapën zjarr ndaj njëri-tjetrit pranë një qendre injektimi të mbikëqyrur.
Sipas National Post, vetëm pak minuta para kësaj vrasjeje, jo më pak se gjashtë trafikantë droge ishin parë në zonën përreth qendrës. Zona ishte shndërruar në pikë takimi për shitësit e drogës. Sapo një toksikoman dilte nga qendra, menjëherë shitësit e rrethonin për t’i shitur fentanyl. Madje një shitës droge e kish bërë zakon të telefononte një punonjëse të qendrës për t’i kërkuar t’i dërgonte klientë potencialë.
Me pak fjalë, në vend që ta zgjidhnin problemin, qendrat e injektimit të mbikëqyrur që po hapen gjithandej në qytetet tona - duke mos u bërë fare merak për tregtarët dhe banorët - po e përkeqësojnë atë. Burimet janë krejtësisht të mbingarkuara.
Siç më tha Yves Poirier në emision të enjten e kaluar, edhe rajonet jashtë metropolit tashmë janë prekur. Është një pandemi e vërtetë.
Ndërkohë, pertej oqeanit, në Paris, lagjja Stalingrad, në rajonin e 19-të, tani quhet “Stralincrack”.
“Nuk durojmë më. Çdo dy orë zgjohemi nga britma të tmerrshme. Fëmijët e mi kanë frikë”, ka deklaruar një banore për gazetën Le Figaro.
Sapo perëndon dielli, brigjet e Senës duken si skenografia e një filmi me zombie…
“Sado që bëjmë peticione, askush nuk lëviz.”
Askush nuk lëviz askund. Ne i shohim qytetet tona teksa fundosen dhe mbetemi si të ngrirë, të paralizuar.
Sa larg janë vitet ’60, kur drogat perceptoheshin si mjete të mrekullueshme për çlirimin e ndërgjegjes!
Sot, ato janë mjete skllavërimi. Shkatërrimi.
Ka pak ditë, pata një takim në orën 9 të mëngjesit në një rrugë të qetë të lagjes Plateau. Ndesha një çift rreth të njëzetave që po pinte crack në shkallët e një ndërtese banimi.
Mund të kishin qenë fëmijët e mi.
Çfarë po ndodh, për hir të Zotit?
Qendra të mbingarkuara
Qendrat e detoksifikimit shpesh ndodhen në zona rurale, në mjedise të qeta, larg qyteteve ku shitësit e drogës shumohen pa kontroll.
Pse nuk i marrim toksikomanët që enden nëpër qytetet tona duke bërtitur në delir dhe nuk i dërgojmë - edhe kundër vullnetit të tyre - në këto qendra, për t’i ndihmuar të dalin nga ferri i tyre dhe të rimëkëmben?
Ndoshta po them marrëzira, ndoshta kjo është një ide e keqe, por ka ardhur koha të hapim sytë dhe të heqim perdet nga sytë, nëse duam ta ndalim këtë pandemi.
“Shitësit e drogës janë partnerët tanë, ata na dërgojnë klientë.”
Këtë ia ka thënë një punonjëse e një qendre injektimi të mbikëqyrur në Toronto një kolegeje të saj.
“Kam punuar në një qendër injektimi të mbikëqyrur dhe ajo që kam parë aty ishte jashtëzakonisht shqetësuese”, i ka shkruar një punonjëse sociale National Post më 30 nëntor 2023. “Kaloja gjithë kohën duke u përplasur me shitës droge që shisnin brenda qendrës!”
Ajo ua raportonte këtë eprorëve, por atyre nuk u bënte përshtypje dhe ngrinin supet… Jo vetëm kaq, por në emër të “reduktimit të dëmeve”, kjo qendër shpërndante falas receta për hidromorfon te toksikomanët, një lloj opiacé më pak e rrezikshme se fentanyli.
Çfarë bënin përdoruesit? Shkonin në farmacinë përballë, merrnin dozën e hidromorfonit dhe e rishisnin te një shitës droge që i priste në furgonin e tij përpara farmacisë.
Ja ku jemi.
Edhe vetë punonjësit janë të mbingarkuar.
Atëherë, çfarë do bëjmë?
Burimi: Journal de Montreal











