Çfarë do të doja të ndryshonte në politikë - Nga Richard Martineau
- Published in Kanada
Jemi në vitin 2026 dhe vazhdojmë të bëjmë politikë sikur të ishim ende në vitin 1976!

(Foto e Soraya Martinez Ferrada - Screen shot nga ekrani i TVA)
Këtë javë, kryetarja e re e bashkisë Montreal, Soraya Martinez Ferrada, u filmua duke mbushur një gropë në rrugë.
Seriozisht?
Politikanët ende bëjnë gjëra të tilla në vitin 2026?
Mos vallë zonja Ferrada mendon se qytetarët e kanë zgjedhur që ajo të dalë me lopatë në dorë për të mbushur gropa?
Po sikur të na bllokohet tualeti, do na vijë te dera me një pompë?
E ç’do themi pastaj?
Kujtuam se zgjodhëm një kryetare bashkie, por paskemi zgjedhur një hidraulike?!
A nuk mjaftonte Denis Coderre i veshur si Minion?
Tani na duhet edhe Soraya e veshur si Mario Bros?
Me padurim pres ta shoh duke ecur me kovë në dorë herën tjetër kur të përmbytet bulevardi Décarie…
NUK JEMI BUDALLENJ
Këto lloj “shfaqjesh” nuk kanë më vend në politikë.
Ne zgjedhim politikanë për të drejtuar, për të administruar dhe për të marrë vendime, jo për të bërë punë të vogla simbolike.
Ka një kufi se deri ku mund t’i trajtosh votuesit si naivë.
Ja disa gjëra të tjera që unë personalisht nuk i duroj më në politikë.
- Jo më kujdes vetëm për zonat që kanë “votuar si duhet”
Duket sikur, për shumicën e politikanëve, ekzistojnë dy lloje spitalesh të amortizuara: ata që ndodhen në zona elektorale “të mira” dhe ata që ndodhen në zona elektorale “të këqija”. Të parët kanë nevojë për vëmendje urgjente. Të dytët? Eh… mund të presin. Nuk është edhe aq keq.
- Jo më komunikim me mediat vetëm kur ka lajme të mira
Ëndrra ime? Çdo të premte, në një orar fiks, në zyrën e tij, kryeministri duhet t’u përgjigjet pyetjeve të tre gazetarëve, të zgjedhur me short nga radhët e korrespondentëve parlamentarë. Takimi zgjat gjithmonë me të njejtin minutazh dhe transmetohet drejtpërdrejt në internet. Pa justifikime, pa shmangie. Mediat kërkojnë llogari dhe kryeministri shpjegon vendimet dhe zgjedhjet e tij.
- Kush largohet nga partia, humbet mandatin
Braktisja e partisë për t’u shpallur i pavarur ose për të kaluar te një tjetër është “legjitimuar” tashmë, ndërkohë që të gjithë e dimë: qytetarët votojnë më shumë për një parti sesa për një individ. Je larguar nga partia sepse nuk pajtohesh më me drejtimin e saj? Atëherë nuk je më deputet. Nuk ke më të drejtë të ulesh në sallën e parlamentit. Prit zgjedhjet e ardhshme për t’u rikandiduar si i pavarur ose nën një tjetër flamur politik.
- Jo më mbledhje fondesh nga ministra
Ministrave duhet t’u ndalohet pjesëmarrja në aktivitete për mbledhje fondesh. Qasja te pushteti nuk është pazar ku shiten bileta eventesh. Pikë!
- Jo më postera elektoralë dy ditë pas zgjedhjeve
Dy ditë pas zgjedhjeve, çdo poster elektoral duhet të hiqet. Përndryshe, partitë përgjegjëse duhet të paguajnë gjoba të rënda për çdo poster të mbetur. Jeni të shpejtë për t’i vendosur? Atëherë jini po aq të shpejtë për t’i hequr!
- Jo më politikanë që sillen si yje TV
Ndalim për politikanët të marrin pjesë në emisione argëtuese, humoristike apo kuize. Vetëm emisione informative. Nuk na intereson nëse dini të këndoni apo të gatuani një spageti karbonara perfekte. Doni të tregoni talentin në vallëzim? Aplikoni për të marrë pjesë në spektaklin “Révolution”, mos kandidoni në zgjedhje.
- Jo më projekte pa studime
Çdo projekt madhor i qeverisë duhet të mbështetet në studime serioze, të pavarura dhe të aksesueshme për qytetarët. Nuk hapet një tunel thjesht “nga instinkti”.
- Jo obsesion vetëm për të renë
Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit për infrastrukturën duhet të shkojë për riparimin e asaj që tashmë ekziston. Është bukur të presësh shirita, por mirëmbajtja e rrugëve dhe viadukteve është po aq, në mos më e rëndësishme.
- Jo më privati gabon, publiku paguan
Qeveria i jep një kontratë një firme private? Atëherë ajo firmë duhet ta përmbushë brenda afatit dhe buxhetit të caktuar. Ka tejkalime? I paguan vetë, jo taksapaguesi.
- Jo më shkarkime dhe më pas riciklime
Je shkarkuar sepse ke dështuar në punën tënde? Nuk ke të drejtë të emërohesh në një tjetër post publik. Mjaft më me të paaftët që riciklohen nga një institucion shtetëror te tjetri!
Po ju, çfarë ndryshimesh do të propozonit në politikë?
Burimi: Journal de Montreal











