Kanada

Kanada - Thomas Müller zyrtarisht pjesë e Vancouver Whitecaps FC

  • Published in Kanada

Klubi kanadez Whitecaps FC ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit gjerman Thomas Müller në kampionatin MLS. Legjenda e Bayern Munich do ta përfundojë pjesën e mbetur të sezonit me skuadrën e metropolit të British Columbia, ndërsa kontrata përfshin edhe një opsion për rinovim në vitin 2026. Detajet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike.

Müller pritet të mbërrijë në Vancouver të mërkurën e ardhshme (13.08.) dhe do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me skuadrën ditën pasuese.

“Tifozët mund të presin që unë të jap gjithmonë 100% nga vetja,” - deklaroi Müller në një video të shpërndarë nga klubi. “Aftësitë e mia mund t’i shihni në YouTube apo në emisione televizive, por më e rëndësishmja është që do të jem në formë të plotë. Për mua, kjo është më e rëndësishme.”

Drejtori sportiv i Whitecaps, Axel Schuster, u shpreh entuziast për përforcimin e ri: “Müller sjell me vete një karrierë të jashtëzakonshme, inteligjencë të rrallë futbollistike dhe një etikë pune që do t’i japë tonin të gjithë skuadrës,”- deklaroi ai për CBC Sports.

Gjatë 17 sezoneve me Bayern Munich, Müller ka shënuar 250 gola dhe ka ndihmuar klubin të fitojë 13 tituj kampionë në Bundesligë. Kontrata e tij me gjigantin bavarez nuk u rinovua pas përfundimit të sezonit të fundit.

Në nivel ndërkombëtar, ai ka qenë një figurë kyçe për kombëtaren e Gjermanisë, me të cilën fitoi Kupën e Botës në vitin 2014, duke shënuar pesë gola gjatë turneut. Më herët, në Botërorin e 2010-ës, ai fitoi Këpucën e Artë, si golashënuesi më i mirë me pesë gola dhe tre asistime.

Müller, 35 vjeç, rrëfeu se vendimin për t’u bashkuar me Whitecaps e mori pasi u konsultua me ish-shokun e tij të skuadrës te Bayern, Alphonso Davies, i cili ka qenë vetë pjesë e Whitecaps përpara se të kalonte në Gjermani në vitin 2019.

“Alphonso më foli shumë mirë për qytetin dhe klubin,” - tha Müller. “Edhe pse nuk kisha nevojë për aprovim, për mua ishte e rëndësishme ta dëgjoja prej tij konfirmimin që më duhej.”

Për të siguruar të drejtat për Müller-in, Whitecaps ra dakord me FC Cincinnati për një marrëveshje që përfshin 200 000 dollarë në fonde të përgjithshme alokimi për vitin 2025, 100 000 dollarë për vitin 2026, si dhe një shumë shtesë 100 000 dollarë të kushtëzuar për të njëjtin vit.

Aktualisht, Whitecaps FC (13 fitore, 5 barazime, 6 humbje) pozicionohet në vendin e dytë të Konferencës Perëndimore, vetëm një pikë prapa San Diego FC, ndërsa ka edhe një ndeshje më tepër për të zhvilluar.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Associated Press/Matthias Schrader; MLS