SPAK qeth “balluket” e Ramës - Nga Ilir Gjini
Kur na rriten balluket, shkojmë e qethemi tek berberi. Por, kur berberët marrin poste të rëndësishme si E. Berberi i rrugëve, ata qethin e rruajnë financat publike. Dhe për të qethur me gërshërët e ligjit “berberët” e financave publike, kemi krijuar SPAK-un.
Pas bërjes publike të mesazheve të Zëvendëskryeministres Balluku me Berberin e saj të rrugëve, duket se gërshërët e SPAK kanë mbëritur deri te balluket e Kryeministrit Rama. Për herë të parë hetimi i prokurorisë speciale, ka gërmuar procedurën e zhvillimit të tenderit dhe jo cingërimat me fatura restoranti si në rastin e ish-ministrit Beqja, apo bizhuteritë e gruas së Erion Veliajt.
Këtë herë guximi i prokurorit të çështjes D. Premçi duhet përshëndetur, pasi është e para herë që një figurë e lartë në qeveri merret e pandehur gjatë ushtrimit të detyrës dhe ndaj prokurorit Premçi nuk kanë munguar presionet e kërcënimet.
Vetëm nga ato përgjime që janë bërë tashmë publike, bie në sy babëzia e këtyre personave që u kemi besuar financat dhe infrastrukturën publike. Abuzimet janë bërë sheshit pa pasur frikë nga ligji, ndërsa vjedhjet jo me grushta, po me lopatë apo ekskavator. Më një të rënë të lapsit, fap përlahen 50 milionë euro pa ua bërë syri tërr. Nuk mund të kuptoj si mund të jenë nëpunës të lartë të shtetit personazhe të tillë që nuk kanë as formimin minimal se si funksionon shteti.
Vlen për t’u parë se deri ku do shkojnë gërshërët e ligjit…deri te balluket e znj. Balluku, apo deri te balluket e vetë Ramës. Dhe si do të jetë “prerja”… ndryshim modeli, apo qethje zero, si një herë e një kohë që me kokën tullë shikoje vetëm të burgosurit apo ushtarët?!
I njëjti prokuror, te çështja e inceneratorëve nuk guxoi të hetonte pothuajse asgjë për procedurat e tenderit, megjithëse provat janë sheshit. Të shpresojmë se ketë herë nga ana e SPAK do kemi një qethje “karré kinezçe”, që të mos kemi më rrugë me kosto të florinjta me dy apo tre fishin e kostos së BE dhe ata nëpunës që do bëjnë më pas tendera rrugësh apo tunelesh, të kujtohen se për qethjen e rruajtjen e financave publike do përballen me gërshërët e ligjit!
© Ilir Gjini - Toronto












