Kanada

Uzina bërthamore iraniane e Fordos, objektivi përfundimtar i Izraelit

  • Published in Kanada

Që prej të premtes së kaluar (13.06), Izraeli ka ndërmarrë sulme ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake të Iranit, në përpjekje për të frenuar programin bërthamor iranian. Megjithatë, për ta arritur këtë objektiv, sulmi ndaj uzinës së pasurimit të uraniumit në Fordo, një strukturë e nëndheshme shumë e vështirë për t’u goditur, duket i pashmangshëm. Një operacion i tillë do të kërkonte domosdoshmërisht ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

Sipas David Rigoulet-Roze, studiues pranë Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Strategjike në Paris, Izraeli po shqyrton dy skenarë: rrëzimin e regjimit të ajatollah Ali Khamenei-t ose sulmin ndaj objektit bërthamor në Fordo.

Deri tani, Izraeli ka goditur disa infrastruktura bërthamore, përfshirë kompleksin në Natanz, por programi bërthamor iranian mbetet i paprekur. “Dëmtimi i infrastrukturës - që është ajo që po ndodh - mund të vonojë ndjeshëm përparimin e programit”, shpjegon Rigoulet-Roze.

Mbrojtja izraelite ka njoftuar se është pranë shkatërrimit të 10 objektivave të tjera bërthamore në Teheran dhe se një sulm ndaj uzinës në Fordo është duke u shqyrtuar seriozisht.

Pse Fordo është në qendër të vëmendjes?

Prej vitesh, vendndodhjet në Fordo dhe Natanz janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), por është pikërisht Fordo që shqetëson më shumë vëzhguesit dhe ekspertët ndërkombëtarë.

(Fotografi satelitore nga kompania Maxar Technologies, e marrë më 11 dhjetor 2020, që tregon instalimet bërthamore iraniane në Fordo)

Në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, SHBA-të këmbëngulnin për mbylljen e objektit në Fordo, një kërkesë që hasi në kundërshtimin e ashpër të liderit suprem iranian. Si kompromis, Irani pranoi të ndalonte pasurimin e uraniumit në atë objekt dhe ta shndërronte atë në një qendër kërkimore fizike e teknologjike, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Marrëveshja parashikonte që Irani të mbante nivelin e pasurimit të uraniumit nën 3.67%, të ulte ndjeshëm rezervat e tij dhe të ndalonte gradualisht përdorimin e centrifugave.

Por në vitin 2018, presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi njëanshëm SHBA-të nga marrëveshja. Pas këtij vendimi, Irani rifilloi aktivitetet e pasurimit të uraniumit.

Në fillim të vitit 2023, AIEA deklaroi se kishte zbuluar në Fordo grimca uraniumi të pasuruara deri në 84%, shumë pranë pragut të 90% që nevojitet për prodhimin e armëve bërthamore.

Në fund të majit, AIEA raportoi rritje të ndjeshme të uraniumit të pasuruar në nivelin 60%. Rezervat totale të Iranit e tejkalonin 45 herë kufirin e lejuar nga marrëveshja e 2015-ës, duke arritur 9247.6 kg.

Javën e kaluar, për herë të parë në 20 vjet, AIEA miratoi një rezolutë që dënonte Iranin për mospërmbushjen e detyrimeve të tij bërthamore.

Një objekt i vështirë për t’u goditur

Deri tani, impiantet në Fordo, që ndodhen rreth 100 kilometra në jug të Teheranit, nuk kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

Të ndërtuara mbi 60 metra nën malet e provincës Qom dhe të mbrojtura me armë kundërajrore dhe fortifikime, këto struktura janë praktikisht të paarritshme nga sulme të zakonshme ajrore.

(Uzina e Fordos është ndërtuar në një zone malore)

Vetëm bombat amerikane të tipit anti-bunker janë të afta të shkaktojnë dëme serioze në Fordo. Këto janë bombat GBU-57A/B, të njohura si MOP (Massive Ordnance Penetrator).

Kjo bombë, që peshon 13.6 tonë, mund të depërtojë deri në 61 metra beton apo shkëmb para se të shpërthejë. Një sërë bombash të këtij lloji mund të lëshohen njëra pas tjetrës për të arritur thellësi edhe më të mëdha dhe për të shkatërruar tunelet apo bunkerët.

“Bomba GBU-57 është një armë gjigande. Vetëm SHBA-të e zotërojnë. Është aq e rëndë sa kërkon domosdoshmërisht përdorimin e bombarduesit amerikan B-2”, shpjegon Rigoulet-Roze.

Ky avion ka një rreze veprimi prej mbi 11,000 kilometrash pa furnizim dhe deri në 18,500 kilometra me furnizim ajror, duke qenë i aftë të godasë çdo objektiv global brenda pak orësh. Në tetor të kaluar, SHBA përdorën bombarduesin B-2 për të goditur depo armësh të rebelëve Huthi në Jemen.

Megjithatë, përdorimi i bombës GBU-57 mund të mos jetë i mjaftueshëm, sipas Rigoulet-Roze. “Ka ende pikëpyetje, sepse disa pjesë të infrastrukturës në Fordo ndodhen edhe më thellë, deri në 80 metra. Dhe drejtori i AIEA-s, Rafael Grossi, ka përmendur struktura që shkojnë deri në 800 metra nën tokë.”

(Një bombë GBU-57A/B e ushtrisë amerikane gjatë një demonstrimi në maj 2023)

Për më tepër, AIEA paralajmëron se përdorimi i kësaj bombe mund të shkaktojë përhapje të lëndëve radioaktive në rajon.“Kjo është një bombë me potencial shkatërrues të madh. Por nuk është zgjidhje e garantuar”, thekson Rigoulet-Roze.

A do të pranojnë SHBA të godasin Fordon për të ndihmuar Izraelin?

Të hënën (16.06), gjatë samitit të G7 në Kanada, presidenti Donald Trump, kur u pyet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Iran, u përgjigj shkurt: “Nuk dua të flas për këtë.”

Të marten (17.06), Trump la të kuptohej se SHBA mund të përfshihen drejtpërdrejt në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke përmendur madje mundësinë për të eliminuar udhëheqësin suprem të Republikës Islamike.

Sipas Rigoulet-Roze, e vetmja mënyrë për të ndalur vërtet programin bërthamor të Iranit është përmbysja e regjimit. Ai thekson se ofensiva ushtarake e Izraelit mund të ngadalësojë përkohësisht programin, por Irani tashmë e ka arritur një “prag bërthamor” - zotëron njohuritë shkencore dhe teknologjike të mjaftueshme për të vijuar me ambiciet e tij.

Burimi: Radio-Canada

Fotot: AP/Maxar Technologies/ Planet Labs PBC/U.S. Air Force