Kanadaja tërhiqet nga taksa për shërbimet digjitale, rinisin negociatat me SHBA
- Published in Kanada
 
 
Kanadaja vendosi të anulojë taksën për shërbimet digjitale dhe do të rifillojë negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara, njoftoi dje (29.06.) vonë në mbrëmje ministri i Financave, François-Philippe Champagne. Ndërkohë, sipas komunikatës së publikuar po dje nga zyra e kryeministrit Carney, “anulimi i kësaj takse do të ndihmojë në përmbushjen e afatit të 21 korrikut 2025, datë kyçe për arritjen e një marrëveshjeje mbi tarifat doganore, e caktuar më herët këtë muaj gjatë Samitit të G7 në Kananaskis”.
Sipas CBC njoftimi u bë publik vetëm pak orë pasi Mark Carney dhe Donald Trump zhvilluan një bisedë telefonike për mundësinë e anulimit të kësaj takse. Gjithashtu, ministri Champagne pati një shkëmbim me homologun e tij amerikan, sekretarin e Thesarit Scott Bessent. Kujtojmë se të premten e kaluar (27.06.), presidenti Donald Trump pat deklaruar në platformën e tij Truth Social se po i jepte fund të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë, duke e cilësuar këtë taksë si një “sulm të drejtpërdrejtë dhe të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara”.
Burime të brendshme të qeverisë kanadeze kanë konfirmuar po ashtu se ministri Champagne do të paraqesë në vjeshtë një projektligj për të shfuqizuar përfundimisht Ligjin mbi taksën për shërbimet digjitale. Ligji në fjalë, i hyrë në fuqi në vitin 2024, ishte i destinuar për të taksuar gjigantët e teknologjisë që ofrojnë shërbime digjitale - si reklama apo blerje online - dhe që gjenerojnë mbi 20 milionë dollarë të ardhura në tregun kanadez.
Kompanitë e mëdha si Amazon, Apple, Airbnb, Google, Meta dhe Uber pritej të taksoheshin në masën 3% mbi të ardhurat e tyre të gjeneruara në Kanada. Pagesa e parë e kësaj takse, e planifikuar për ditën e sotme (30.06.), do të ishte retroaktive për tre vite dhe vlerësohej në rreth dy miliardë dollarë. Zyra e Drejtorit Parlamentar të Buxhetit kishte llogaritur se Kanadaja do të arkëtonte rreth 7.2 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme nga kjo taksë.
Sipas Daniel Béland, profesor i shkencave politike në Universitetin McGill në Montreal, ky vendim i qeverisë Carney përbën një fitore të qartë për Donald Trump. “Në një moment të caktuar, kjo mund të ishte bërë e domosdoshme për të avancuar negociatat tregtare mes Kanadasë dhe SHBA, por kryeministri Carney reagoi tani për të qetësuar presidentin Trump dhe për ta bindur që të rifillojë thjesht bisedimet - një fitore e dukshme për Shtëpinë e Bardhë dhe për gjigantët e teknologjisë”, shpjegoi Béland për agjencinë e lajmeve The Canadian Press. Ai shtoi se ky vendim e bën Mark Carney të duket më i dobët përballë kapriçove të presidentit Trump.
Nga ana e tij kryeministri Carney konfirmoi përsëri sot (30.09.) se heqja nga ana e Kanadasë e taksës për shërbimet digjitale po mundëson rifillimin e negociatave me SHBA. Ndërkohë, më herët gjatë ditës, këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hassett, deklaroi për Fox News se bisedimet midis dy vendeve po rifillonin pas vendimit të Kanadasë për të anuluar taksën. “Kjo është diçka që ata e kishin marrë në shqyrtim; tani ata pranuan, dhe kjo do të thotë se ne mund të rikthehemi në tryezën e negociatave”, tha ai.
Sipas raportimit të Journal de Montreal, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi sot para mediave se kryeministri Carney “u dorëzua” përballë presionit të Trump. “Është shumë e thjeshtë. Kryeministri Mark Carney dhe Kanadaja u dorëzuan përballë presidentit Trump dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Trump di si të negociojë dhe ai drejton vendin dhe ekonominë më të mirë në botë,” u shpreh ajo duke shtuar se “aplikimi i kësaj takse nga Kanadaja ishte një gabim që do të dëmtonte kompanitë tona të teknologjisë,” dhe duke theksuar se “çdo vend ka nevojë të ruajë marrëdhënie të mira tregtare me Shtetet e Bashkuara.”
Zyra e kryeministrit konfirmoi për CBC News se Mark Carney dhe Donald Trump biseduan dy herë në telefon nga e premtja (27.06.) deri të dielën (29.06.) në mbrëmje. Gjatë telefonatës së dytë, të dy palët ranë dakord të rifillonin diskutimet, megjithatë, deri në mesditën e sotme, ende nuk është caktuar ndonjë date për sesionin e ri negociues.
Flasshqip me informacion nga CBC, The Canadian Press dhe Journal de Montreal
Foto: The Canadian Press/Darryl Dick; Bloomberg/Jason Alden
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










