Kanada

Si mund ta ndikojë lufta midis Izraelit dhe Iranit tregun e naftës

  • Published in Kanada

Në vitin 2022, çmimi i një litri benzine të zakonshme arriti deri në 2,00 dollarë në disa provinca të Kanadasë, si pasojë e luftës në Ukrainë. Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka potencialin të shkaktojë tronditje të ngjashme në tregun e naftës.

Inflacion i lartë, tregje të destabilizuara dhe një fuçi nafte që i afrohet çmimit prej 100 dollarësh, nuk jemi larg një përsëritjeje të atyre ngjarjeve, paralajmëron Yvan Cliche, specialist i energjisë në Qendrën për Studime dhe Kërkime Ndërkombëtare të Universitetit të Montrealit.

Në një intervistë për median shtetërore frankofone Radio-Canada, ai shpjegoi se nëse lufta ndikon te prodhimi apo eksporti i naftës, kjo do të pasqyrohet në çmimin e saj dhe, për rrjedhojë, në çmimin pranë pikave të karburantit.

Pas ofensivës së Izraelit kundër Iranit më 13 qershor, çmimi i një fuçie nafte u rrit menjëherë, një rritje që sipas z. Cliche lidhet me rritjen e perceptimit të rrezikut në furnizim. Çmimi i naftës Brent, që shërben si referencë globale, u rrit me 7%, dhe madje gjatë ditës së 14 qershorit pati një ngritje deri në 13%.

Rritje të tjera të ndjeshme janë të mundshme, pasi Irani kërcënon të bllokojë një pikë kyçe të tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm, ngushticën e Hormuzit, në jug të vendit. Teherani mund ta ndërmarrë këtë masë si kundërpërgjigje ndaj përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në konflikt.

Ky kalim strategjik që lidh Gjirin Persik me pjesën tjetër të botës, përshkohet çdo ditë nga një e pesta e prodhimit botëror të naftës, jo vetëm nga Irani, por edhe nga Iraku, Arabia Saudite, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Luftanije amerikane në Gjirin Persik

Nëse ky skenar (më katastrofiku, sipas z. Cliche) do të realizohej, Irani mund të minonte këtë korridor të ngushtë strategjik, duke bllokuar kështu edhe anijet amerikane që qëndrojnë në Gjirin Persik dhe që kanë garantuar qarkullimin e lirë të naftës atje që nga vitet 1980.

Azia, e para që do të preket

Rreth 21 milionë fuçi nafte që kalojnë çdo ditë në ngushticën e Hormuzit drejtohen kryesisht drejt Azisë, thekson z. Cliche. Irani, që përfaqëson 3% të prodhimit global të naftës, ka partnerin kryesor tregtar Kinën.

Nëse gjatë luftës do të goditeshin objektet e prodhimit të naftës, Kina mund të ishte një nga vendet e para që do të ndjente pasojat.

Bllokimi i ngushticës së Hormuzit do të ishte edhe më problematik për këto vende, pasi aty kalon edhe një e katërta e gazit natyror të lëngshëm (GNL) të botës. Disa vende aziatike, që përpiqen të ulin varësinë nga qymyri, janë duke shtuar përdorimin e GNL-së.

Vendet e OECD-së, nga ana tjetër, kanë rezerva të mjaftueshme për të përballuar tre muaj importe, sipas z. Cliche. Prandaj, ndikimi në furnizim nuk do të ndjehej menjëherë.

Në Kanada, kriza aktuale nuk paraqet shumë rrezik për furnizimin, pasi nafta blihet në tregun e brendshëm dhe Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, thekson, Cliche është te çmimet ku mund të ndihen më shumë efektet, në të gjithë botën. Sepse tregu i naftës, prej disa dekadash, është bërë shumë më i globalizuar, me më shumë prodhues të përfshirë.

Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme na tregon qartë se nafta, ky burim thelbësor për ekonominë botërore, shoqërohet me rreziqe të mëdha të paqëndrueshmërisë gjeopolitike që tronditin ekonominë globale.

Sipas Yvan Cliche, situata aktuale duhet të shërbejë si një shtysë e re për kalimin drejt burimeve të energjisë elektrike të pastër. Kjo lloj energjie, kujton ai, nuk varet nga zhvillimet e jashtme.

Burimi: Radio-Canada

Foto: Reuters/Raheb Homavandi; AP/US Navy