Iran-Izrael: kush e fitoi luftën?
- Published in Kanada
 
 - Nga: Kamel Bouzeboudjen, Radio-Canada
Është ende herët për të vlerësuar pasojat e luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Republikës Islamike të Iranit. Po ashtu, është shumë herët për të ditur nëse armëpushimi i brishtë do të respektohet nga të gjitha palët ndërluftuese. Megjithatë, tashmë mund të shqyrtojmë disa elementë kyç të kësaj përballjeje të paprecedentë mes dy vendeve që ndahen nga një mijë kilometra largësi.
Në prag të raundit të gjashtë të negociatave midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për programin bërthamor iranian, Izraeli ndërmori një sulm të befasishëm ndaj Iranit. Brenda pak orësh, disa drejtues të Gardës Revolucionare dhe figura kyçe të programit bërthamor iranian u eliminuan. Instalime ushtarake dhe centrale bërthamore u shkatërruan ose u dëmtuan.
Iranianëve iu desh kohë për të reaguar ndaj këtij sulmi të papritur sepse izraelitët arritën të bllokojnë radarët dhe ta bëjnë të paefektshme për disa orë mbrojtjen ajrore të republikës islamike.
Ushtria izraelite kishte një avantazh të rëndësishëm: disa agjentë të rekrutuar drejtpërdrejt brenda Iranit. Kjo i dha asaj mundësinë të eliminojë figura kyçe të shtetit iranian, përmes sulmeve me dronë të nisura nga brenda territori të kundërshtarit.
Në fjalimin e tij të parë pas bombardimeve, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e justifikoi këtë sulm parandalues me kërcënimin që, sipas tij, paraqet programi bërthamor iranian ndaj shtetit hebre.
Duke përfituar nga pasiguria e shkaktuar nga sulmi, ai gjithashtu u bëri thirrje iranianëve të ngrihen kundër regjimit. Netanjahu premtoi gjithashtu se do të shkatërronte arsenalin e raketave balistike iraniane dhe kapacitetin për ndërtimin e tyre, të cilat i konsideron si kërcënim për sigurinë e Izraelit.
Pra, ai vendosi tre objektiva të mëdha: rrëzimin e regjimit iranian, shkatërrimin e programit bërthamor dhe asgjësimin e arsenalit balistik.
Bilanc i vështirë për t’u përcaktuar
Disa orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Benjamin Netanjahu shpalli fitoren në një fjalim televiziv, duke deklaruar se kishte shkatërruar industrinë e prodhimit të raketave iraniane. Ai premtoi se do t’i kthehej sërish luftës nëse Irani përpiqet të ringjallë ambiciet bërthamore, duke nënkuptuar se kapacitetet bërthamore të Iranit janë eliminuar. Ai shtoi gjithashtu se i kishte dhënë regjimit iranian goditjen më të rëndë në historinë e tij.
Por a e fitoi me të vërtetë luftën Netanjahu, ashtu siç pretendon? Kjo është shumë e diskutueshme.
Sa i përket ndërrimit të regjimit, Irani ka marrë një goditje të rëndë, që ka nxjerrë në pah dobësi të mëdha në kundërzbulim dhe sigurinë e krerëve të tij. Megjithatë, operacioni ushtarak i izraelit nuk arriti ta përmbyste regjimin.
Gjeneralët e vrarë u zëvendësuan brenda pak orësh pas sulmit. Dhe vetë Ajatollah Khamenei u shfaq në televizion po atë ditë, duke premtuar ndëshkim ndaj Izraelit.
Populli iranian nuk u ngrit kundër regjimit; përkundrazi, një pjesë e tij e mbështeti atë, duke marrë pjesë në protesta masive në mbarë vendin. Sulmi izraelit ndezi ndjenja të forta nacionaliste dhe thirrjet për kryengritje të djalit të Shahut të Iranit në mërgim nuk gjetën jehonë.
Enigma e programit bërthamor iranian
Izraeli ndërmori një sërë bombardimesh ndaj objekteve bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Arak. Megjithatë, duket se nuk pati sukses të plotë.
Në ditën e dhjetë të luftës, presidenti amerikan Donald Trump iu përgjigj kërkesave të Netanjahut, duke urdhëruar sulme ndaj tre objekteve kryesore bërthamore iraniane: Natanz, Fordo dhe Isfahan.
Trump deklaroi po atë ditë se kishte asgjësuar programin bërthamor iranian.
Nga ana e tyre, iranianët pohuan se kishin shpëtuar rezervat e uraniumit të pasuruar dhe centrifugat, megjithëse nuk dhanë asnjë informacion mbi shkallën e dëmeve të shkaktuara nga bombardimet.
Të martën (24.06), ditën e shpalljes së armëpushimit, CNN publikoi një raport të inteligjencës ushtarake amerikane, në të cilin thuhej se sulmet nuk i kishin shkatërruar plotësisht instalimet bërthamore të Fordo, Natanz dhe Isfahan. Sipas një vlerësimi të Pentagonit, në rastin më të mirë, ata i kishin vonuar planet bërthamore të Teheranit vetëm për disa muaj.
Këto pohime provokuan reagimin e zëdhënësen së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila deklaroi se ky vlerësim ishte plotësisht i gabuar.
Po atë ditë, kreu i Organizatës Iraniane për Energjinë Atomike, Mohamed Eslami, njoftoi se një qendër e tretë për pasurimin e uraniumit ishte vendosur tashmë në një vend të sigurt. “Do të fillojmë pasurimin në kohën e duhur”, pohoi ai.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, konfirmoi se programi do të vazhdojë.
Për momentin, mbetet një mister i madh se çfarë ndodhi realisht me programin bërthamor dhe çfarë kapacitetesh ka Irani për ta vazhduar atë.
Po raketat?
Gjatë 12 ditëve të luftës, sipas disa mediave lokale, Irani lëshoi mbi 500 raketa të llojeve të ndryshme drejt Izraelit, rreth 40 në ditë.
Pak minuta para armëpushimit, iranianët lëshuan një breshëri raketash mbi qytetin Beer-Sheva, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe tre viktima.
Shumë media ndërkombëtare raportuan për shkatërrime të mëdha të shkaktuara nga raketat iraniane, veçanërisht në Tel Aviv dhe Haifa.
A i përdori Irani rezervat e fundit të raketave, apo ruajti pjesën më të madhe për një përballje tjetër?
Duket se përplasja mes Izraelit dhe Republikës Islamike të Iranit është larg përfundimit, pasi lufta shkatërruese në Gaza, që është shkaku kryesor i këtij përshkallëzimi, vazhdon pa asnjë shenjë zgjidhjeje në horizont.
Burimi: Radio-Canada
Foto: Getty Images
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










