Kanada

Të dorëzohesh me stil: Mark Carney ul bërrylat - Nga Yasmine Abdelfadel

  • Published in Kanada
Nga: Yasmine Abdelfadel - Journal de Montréal

Mark Carney hyri në politikën kanadeze si një figurë thuajse mitologjike. Njeriu i duhur në kohën e duhur. Ish-guvernatori i Bankës së Kanadasë dhe më pas i Bankës së Anglisë u paraqit si shpëtimtari i vendit, njeriu që do të përballej me Donald Trump me qetësi, aftësi profesionale dhe reputacion ndërkombëtar. Një strateg me kostum të qepur me porosi, i aftë të kthente një marrëdhënie të pabarabartë në një marrëveshje të favorshme për Kanadanë. Ky ishte premtimi.

Por ndoshta e kuptuam keq natyrën e këtij premtimi.

Bërrylat lart

Prej muajsh, opinioni publik u ushqye me idenë se gjithçka po shkonte sipas planit. Se Carney kishte një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi me Donald Trump. Se kishte lindur një “bromance” e re ekonomike, e ndërtuar mbi muskuj dhe respekt të ndërsjellë. “Elbows up!” - bërrylat lart - u kthye në një slogan kombëtar, një thirrje për rezistencë. U krijua përshtypja se negociatat ishin të ashpra, të sofistikuara dhe të kontrolluara në çdo detaj. Se tarifat e vendosura nga SHBA do të ishin vetëm një vështirësi kalimtare dhe se Carney do të nxirrte në fund “armën sekrete” nga xhepi i xhaketës.

Edhe kur ai hoqi dorë nga taksa mbi shërbimet digjitale, shumë prej nesh e panë këtë si një lëvizje taktike. Një hap prapa për të bërë dy përpara. Një sakrificë e domosdoshme në një lojë të madhe strategjike.

Maska po bie

Në një deklaratë të fundit, Carney ka lënë të kuptohet se tarifat amerikane ndoshta nuk do të hiqen fare. Jo vetëm që nuk do të hiqen tani, por ndoshta nuk do të hiqen kurrë. Ai foli për “marrëveshje kornizë”, “mekanizma” dhe “marrëveshje të përkohshme”, që në fakt janë eufemizma për pranimin e realitetit të ri. Me fjalë të tjera: tarifat do të vazhdojnë, dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i zbusim disi pasojat.

Ndërkohë, sektorët e çelikut, aluminit dhe industrisë automobilistike vazhdojnë të presin dhe të përballojnë goditjet. Afati i 1 gushtit po afron, dhe me të edhe shpresa për një marrëveshje, ose frika se gjithçka do të përfundojë me një dorëzim të maskuar bukur me fjalë si “menaxhim” apo “zbutje e krizës”. Pra po ndodh një ndryshim i qartë paradigme. Objektivi nuk është më eliminimi i tarifave, por menaxhimi i tyre. Fjalët “menaxhim”, “kornizim”, “minimizim” kanë zëvendësuar konceptin e “fitimit të betejës”. Nuk flitet më për fitore, por për një lloj kapitullimi të stiluar.

Kapitullimi

Pa dyshim, do të ketë nga ata që do ta mbrojnë Carney-n, duke theksuar se ai nuk ka pasur një shkop magjik. Se ka qenë i kujdesshëm, i përkushtuar, i detajuar. Por pavarësisht kësaj, ai nuk e realizoi atë që shumica e kanadezëve shpresonin: një marrëveshje që do të kthente dinjitetin ekonomik të vendit.

Dhe mbi të gjitha, ai tani po e rishkruan vetë premtimin fillestar. Ndoshta, nuk ka qenë kurrë fjala për të hequr tarifat, por thjesht për të zbutur ndjesinë e poshtërimit që ato sjellin.

Pyetja që shtrohet tani është: a do të përbëjë ky kapitullim i heshtur dhe i ambalazhuar bukur në zhargon diplomatik fundin e muajit të mjaltit mes Mark Carney-t dhe elektoratit kanadez?

Ndoshta jo menjëherë. Por kur ngre vazhdimisht bërrylat pa i përdorur kurrë, në fund fillojnë të të dhembin supet.

Burimi: Journal de Montréal

Foto: TVA