Realizmi Socialist, përtej leksioneve - Nga Vangjush Saro
- Published in Kulturë
Ka disa tema, ku vend e pa vend derdhet vrer; një e tillë është ajo e metodës letrare të ashtuquajtur Realizëm Socialist. Mund të them pa droje se nuk më veton syri për termin, as për mbrojtësit apo kundërshtarët e tij, sado që nuk ngutem të hedh poshtë gjithë sa ka sajuar njerëzimi për nevojat e veta, sipas qasjeve në rende të caktuara politike e në histori. Por s’më vjen për mbarë, që në shkollën përkatëse, të mbyllet pa të drejtë një pjesë e mirë e Letërsisë Shqipe. Dhe nuk ka arsye pse. (“Ata talleshin me shekullin dhe kjo gjë i shkarkonte nga barra për ta njohur atë më thellë.” H. de Balzak)
Realizmi Socialist lindi apo më mirë u krijua në Bashkimin Sovjetik pas Revolucionit të vitit 1917, kur bolshevikët përmbysën Carin dhe, më pas, një qeveri të përkohshme, për të vendosur pushtetin e tyre, rendin e tyre; një histori që do shumë kohë të rrëfehet dhe që është anatemuar tashmë për anët e errëta të saj. Njëra prej tyre, është pikërisht marrja nëpër këmbë e të drejtave njerëzore, përfshi lirinë e krijimit artistik. Shpesh, lindjen apo formimin e kësaj shkolle letrare, me shumë kufizime dhe mungesa, ia atribuojnë shkrimtarit të madh rus M. Gorki, duke ia blatuar atij “meritat” e A. Zhdanovit në krijimin e metodës së Realizmit Socialist dhe në formulimin e “neneve”, parimeve përkatëse; (pasqyrimi i realitetit me vërtetësi dhe në zhvillimin e vet revolucionar, prania e heroit pozitiv, optimizmi socialist, fryma popullore, etj.)
Mendoj se përndjekësit e kësaj rryme a metode letrare - që edhe vetë përndiqte shkrimtarët e pabindur - hyjnë në një territor që nuk e njohin mirë dhe që, më së shumti, tema në fjalë u duhet për të motivuar apo shfaqur prirjet e tyre antikomuniste. E vërteta është që M. Gorki ishte për një kohë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe shkroi romanin “Nëna”, një vepër tipike e Realizmit Socialist. (Metoda dhe “udha proletare” u konsakruan në Kongresin e Parë të Shkrimtarëve Sovjetikë; 1934). Por siç dihet, pjesa dërrmuese e krijimtarisë letrare të tij, pavarësisht frymës kritike, notave sociale dhe marrjes në mbrojtje të shtresave të varfëra, është krejt realiste: Tregimet e tij, si dhe romanet “Foma Gordejev”, “Për bukën e gojës” e “Universitetet e mia”, etj., nuk kanë kurrfarë lidhje me metodën e anatemuar të Realizmit Socialist.
Një nga hapat më të vendosur të kohës kur lindi ajo shkollë, ishte themelimi i Prolektkultit, pothuaj një institucion, ku synohej të inspirohej e të prodhohej një kulturë e re, proletare, duke hedhur poshtë gjithë sa ish krijuar më parë; (nga “borgjezia dhe shtypësit”). Të kësaj kohe ishin edhe debatet dhe garat poetike mes S. Eseninit dhe V. Majakovskit, ndërkohë që dalëngadalë lindën veprat e para me përmbajtje socialiste dhe sipas parimeve të Realizmit Socialist: “Çapajev”, “Garda e re”, “Çimentoja” etj. Por e vërteta është që shkrimtarët e artistët më të mëdhenj të Rusisë, edhe në ato dekada të errëta, devijuan nga parimet në fjalë; mjaft të kujtojmë M. Shollohovin dhe veprat e tij “Fati i njeriut” dhe “Doni i qetë” apo filmat “I dyzetenjëti” dhe “Kur shtegtojnë krillat”.
Duke përsëritur se kjo është një histori tejet e gjatë, deri diku edhe e mërzitshme, kujtojmë se si në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në Shqipëri u aplikua me dhunë kjo metodë letrare tejet e diskutueshme, madje më shumë se aq, një traktat politik, komunist pse jo. Pasi “gjeti vendin” S. Malëshova dhe u tërhoqën përfundimisht nga krijimtaria L. Poradeci e M. Kuteli, në fushë të Letrave Shqip erdhën autorë që nuk e kishin problem pajtimin me Socializmin dhe Realizmin Socialist; dhe as që mund të gjykohen për këtë. Të kësaj kohe janë poemat “Mësuesi” (Ll. Siliqi) “Ashtu Myzeqe” (A. Çaçi) drama “Toka jonë” (K. Jakova) si dhe prozat e gjata “Para agimit” (Sh. Musaraj) dhe “Këneta” e “Tana” (F. Gjata) etj.
Këtu duhet të bëj një pauzë. Rëndom, sipas kohës e rrethanave, ecin deri diku edhe botimet dhe vetë Letërsia. Por te ne ndodhi ndryshe. Deri në fillim të viteve ‘60, sa kohë që Shqipëria ishte pjesë e Bllokut Socialist, gjithsesi më mirë nga ç’do të ndodhte më pas, u botuan pothuaj gjithë klasikët e Letërsisë Botërore. Kurse në dekadat që pasuan, kjo prirje u përmbys; për më tej, pati shumë ndalime, heqje nga qarkullimi, të botimeve të huaja dhe atyre të vendit. Kështu, u zhdukën veprat e E. Heminguejit dhe E. M. Remarkut. U vunë në skenë dhe pastaj papritur u ndaluan dramat “Rrethimi i bardhë” (N. Prifti) dhe “Dueli” (Q. Buxheli); u botuan dhe u ndaluan romanet “Tuneli” (Dh. Xhuvani) e “Përbindëshi” (I. Kadare) libra me tregime si “Zhurma e errërave të dikurshme” (D. Agolli) etj. Por ndërkaq, kohë pas kohe, vinin sërish për lexuesit vepra letrare ku mund të dalloheshin qartë parimet e Realizmit Socialist: “Nënë Shqipëri”, “Komisari Memo” (D. Agolli) “Përsëri në këmbë” (Dh. Xhuvani) “Punëtorët” (F. Arapi) “Komunistët”, “Shoqe nga fshati” (R. Pulaha), etj.
Duhej të prisnim fillimin e viteve ‘80, që diçka të ndryshonte sërish në politikën e botimeve, por edhe në fusha të tjera të artit. Këtu, prapë e vlen një ndalesë. Në disa dokumentarë të realizuar pas vitit ‘90, krahas notave realiste dhe ndërsa vihet në dukje (me të drejtë) se si u shndërruan në “nene” jeta, letërsia dhe arti, në të njëjtën kohë teprohet me terma të paqenë dhe me shtrembërime të të vërtetave historike e artistike. Sigurisht, siç u tha edhe më lart, në krijimtarinë e atyre dekadave, ka qasje të kthjellëta kah Realizmi Socialist; por një pjesë e madhe e krijuesve shqiptarë, gjithashtu devijuan nga ato parime. (“Letërsia është një mënyrë për të sfiduar statukuonë.” Zh. P. Sartri)
Pra, vështrimi i asaj kohe dhe i asaj krijimtarie në mënyrë metafizike, tejet emocionale e të anuar, është në fakt gabim i madh. Në shumë romane, drama dhe zhanre e lloje të tjera të artit, nuk gjenden kund parimet e asaj shkolle: “Kronikë në gur” (I. Kadare) “Qyteti i fundit” (P. Marko) “Lumi i vdekur” (J. Xoxa) “Kur qesh tërë qyteti” (Q. Buxheli) “Njollat e murme” (M. Jero) etj. Në vjershat “Mall”, “Mësueset e fshatit”, “Kinema e vjetër” (I. Kadare) gjithashtu as që bëhet fjalë për parimet në fjalë. Pavarësisht pajtimit me disa kërkesa (minimale) të kohës, jashtë metodës në fjalë ishin edhe drama si “Hijet e natës” (V. Kokona) “Motra Katerinë” (V. Ziko) “Shtëpia në bulevard” (F. Paçrami), etj.
Prirjet e autorëve më të njohur shqiptarë për të dalë në një lloj lirie, pavarësisht goditjeve dhe pësimeve, nuk mund të shkelen me këmbë; pjesa e mirë dhe bindëse e Letërsisë, nuk mund të mbushë atë që quhet Realizëm Socialist. Ja poezia “Erdh’ pranvera” (F. Arapi, Festivali i 11-të i Këngës) Hapa dritaren e dhomës sime,/ në kornizën e qiellit të kaltër/ hyri një degë bajame,/ e mbushur me lule të bardha./ Pranë meje dikush tha: Erdh’ pranvera./ Por unë nuk e besova./ Fluturoi dallëndyshja para syve të mi,/ në rrezet e diellit ngrihet në ajër,/ mbërrin cicërimi i gëzueshëm i saj,/ gjeti folenë./ Dhe prapë dikush më tha:/ “Erdh pranvera.”/ Por unë nuk e besova./ Erdhe ti tek unë/ me ato flokët e verdhë,/ me një bluzë të hollë,/ mbuluar supet e njomë./ Nëpër sytë e tu, çelte lule limoni,/ nëpër buzët e tua/ pikonte erë limoni./ E besova… Erdh pranvera./ Kish ardh’ pranvera.
Në novelën “Apasionata” (D. Agolli) dhe në disa tregime të N. Lerës, por dhe në krijime të autorëve të tjerë, bëhet fjalë për tjetërsimin e njeriut, atij me pozitë dhe atij që rend të rregullojë jetën duke shkelur… jo parimet e Realizmit Socialist, por ato të dashurisë. Për të mos e tërkuzur këtë temë, hedhja poshtë e atyre “neneve” dhe e asaj shkolle letrare famëkeqe, kulmoi me romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (I. Kadare) ku kundërshtitë, nënkuptimet dhe alegoria shkuan aq thellë ose më mirë u bënë aq të dukshme, saqë autori i shquar u kryqëzua në një plenum famëkeq të LSHA. Dhe nuk iu dorëzua as metodës në fjalë, as vetë kohës. (“Vlera shtrihet pikërisht në gjysmën e udhës mes trimërisë dhe burracakërisë.” M. Servantes).
Një nga marrëzitë më të mëdha të kohës, në kuadrin e thirrjeve për “revolucionarizimin e jetës”, ishte krijimi i termit humoristik “Humor pozitiv”. Pati asish që u përpoqën të aviteshin në çfarë donte shteti dhe Partia, por letërsia më e mirë e kohës e përqeshi këtë absurditet. (Kujtoni komedinë me një akt “Fotografia” apo romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të D. Agollit). Duke u kërkuar ndjesë lexuesve për mungesën e modestisë, po kujtoj edhe një episod vetjak. Bash në kohën kur qe shpikur “humori pozitiv”, një redaktor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” më ktheu librin me tregime “Në kërkim të studentit M”, duke më thënë: “Nuk do shkruaj që ka të meta ideologjike, por… probleme artistike,” etj. Dhe unë, një naiv i përjetshëm, e pyes: Po ku janë këtu gabimet ideologjike? Dhe vërtet, ja tregimi titullin e të cilit mban libri: personazhi kryesor, një baba i vobekët, vjen të takojë të birin, student në Tiranë, por s’e gjen as në fakultet, as në konvikt, as te mensa; bredh gjithë ditën dhe s’e takon dot, ndërkohë që po avitej mbrëmja… Pra, tregimi, përkundrazi, deri diku shprehte moralin e kohës, që ai palo student nuk duhej të bridhte. (Puna ishte që aty s’kish “humor pozitiv” dhe as Realizëm Socialist, gjëra që redaktori mbase i kish gjetur në të tjerë libra…)
Fundi i viteve ‘80, në botime dhe në krijimtari - letërsi, teatër, arte të bukura, kinema - u karakterizua nga një lloj zgjimi, nëse mund të shprehemi kështu. Pas një periudhe të gjatë me botime mediokre e të angazhuara, filluan të shfaqen autorë të njohur dhe të vërtetë: M. A. Asturias, H. Bël, etj. Poezia më e mirë e autorëve R. Marku, Xh. Spahiu, N. Lako, K. Petriti, Sh. Kapisyzi, etj., vepra si “Nata me hënë”, “Flutura në kabinën time”, etj. vijnë si një përpjekje tashmë e suksesshme për t’i ikur haptazi Realizmit Socialist dhe dogmave të kohës. Kjo ndodhi edhe në pikturë e, gjer edhe në filmin vizatimor; (“Gjethet” A. Muharremi).
Duke kujtuar se në çdo krijim e qasje ka gjithnjë vend për më shumë e më mirë - për më tepër në shënime modeste, sikundër janë edhe këto radhë - them se kjo ishte dhe mbetet një histori që nuk ka pse ta tregojmë keq e duke u anuar më shumë nga sa mban barka e brishtë e artit…
© Vangjush Saro - Vancouver










