Kolumnist

Zohran Mamdani dhe rreziqet e patronazhit ideologjik - Nga Mishel Koçiu

Nga: Mishel Koçiu - Montréal

Kjo foto e Zohran Mamdani-t me dorën mbi supin e Alex Soros-it, e postuar në X nga vetë Soros, nuk është një gjest i rastësishëm. Është deklaratë. Është sinjal. Është pozicionim i hapur ideologjik.

Me dorën mbi supin e pasardhësit të një prej rrjeteve më të fuqishme të aktivizmit global, nuk je më thjesht kandidat “i popullit”, por hyn në një orbitë tjetër, ku vizioni politik nuk formohet nga realiteti i jetës së përditshme, por nga laboratorë ideologjikë që prej dekadash promovojnë modele ultra të majta të rikonfigurimit shoqëror.

Nuk ka rëndësi nëse quhej Komintern dikur apo “filantropi globale” sot. Qasja është e njëjtë, romantizëm politik i paketuar si progres, ndërsa tregu dhe iniciativa private shihen si pengesë.

Rreziku nuk vjen nga mosha apo prejardhja e Mamdanit, por nga mentaliteti që ai artikulon: më shumë shtet, më pak treg, më shumë premtime se plane, më shumë ndjenja se llogari.

Kjo nuk është politikë zhvillimi, por utopi e përpunuar, po aq e rrezikshme në themele sa versionet e saj më të ashpra.

Prandaj, kjo fitore nuk është kryengritje popullore, por projekt emocional që kërcënon të zëvendësojë realitetin ekonomik me retorikë sociale dhe konkurrencën me paternalizëm shtetëror.

Amerika ka sfida reale, por nuk ka luksin të bëhet laborator i eksperimenteve të ngjyrosura si drejtësi sociale.

Kur politikanët ecin krah filantropëve që financojnë ideologjinë dhe jo ekonominë reale, pyetja nuk është kush i ka duart mbi supin e kujt, por mbi kurrizin e kujt do të bjerë fatura?

© Mishel Koçiu - Montréal