Një sagë e veçantë për simbiozën njeri-natyrë - Nga Vangjush Ziko
Poezia e poetes Armenida Qyqja ka një tematikë të larmishme: lirikë intime, shoqërore dhe historike.
Po përqëndrohem te poezia e saj lirike intime dhe, veçanërisht, në poezitë, që gërshetojnë temën e dashurisë intime me dashurinë për natyrën.
Poetja e sheh natyrën dhe botën përreth një mjet artistik për pasqyrimin e ndjenjave intime dhe një çelës për të kuptuar ekzistencën.
Poetja na e përcjell natyrën të veshur me cilësi njerëzore:
Zvogëlohet e zvogëlohet dielli atje lart,
Dorëzohet vjeshta, dyll i verdhë hidhërimi,
Ajo është shumë larg syrit të tij
Për ta tunduar me hiret e saja…
Si një grua e lënë pas dore prej kohësh”
(Sos-et e një fund tetori...)
Autorja personifikon edhe natyrën “e vdekur”, sendet e krijuara nga vetë dora e njeriut:
“Akrepat e orës flasin me veten,
Rrotull e rrotull, bosh xhirojnë,
Zemreku i zemrës, më vete, prapë bluan,
Sekondat me ty që aq shumë i mungojnë...”
(Me veten flasin akrepat)
Kyçi i kësaj simbioze Njeri-Natyrë, ndikon psikologjikisht në shëndetin mendor të heroinës lirike:
“Kjo dashuri më mban fort në jetë
Dhe zemrën e lodhur s’e lë të heshtë,
Udhën merr prapë pulsi i rrëzuar,
Drejt syve që thonë pareshtur “të dua”
..........................................................
Dhe zemrën e lodhur s’e lë të heshtë,”
Mbi humnerën shurdhër hapin shtrin rrahja,
Drejt buzëve që thonë gjithnjë “më ke mua”.
(Jetoj)
Poetja na përcjell ndjenja të bukura biofilie reciproke të kësaj simbioze.
Për të nuk është vetëm natyra një burim i pashterur frymëzimi për njeriun, por edhe Bota vetë “ngrohet” nga dielli i dashurisë njerëzore, nga ajo përkujdesje e tij për ta mbrojtur dhe selitur natyrën:
“Botë e ftohur, kërkon të ngrohet,
Një copëz dielli të gjejë në sytë e mi,
Në zjarrin që brenda tyre mban ndezur,”
(Në sytë e dashurisë ngrohet bota)
Marrëdhëniet e heroinës lirike me natyrën shndërrohen kështu në një lidhje emocionale dhe filozofike në aspektin estetik me ndjenjat intime njerëzore.
Natyra e shoqëron heroinën lirike në çaste të vështira të jetës së saj të vetmisë, duke i ndarë së bashku përjetimet dramatike:
“Miliona gjethe presin tani
Në zinë e saj, pa zë të mbyten,
Ndërsa unë përpiqem, shpëtim të gjej,
Ty të thërras nga pellgjet e mallit
Që s’paskan të sosur këtë fund tetori…”
Kjo simbiozë abstrakte ndjenjash arrin gjer në absurdin, në fundin e Botës “atje ku pema jonë e gjelbërt do të jetë/dhe kur botës t’i bjerë dhe gjethja e fundit...”
Një sagë e shkruar me një gjuhë të pasur dhe me ndjeshmëri delikate, me një komunikim të sinqertë.
Një sagë ku realja me romantiken, abstraktja me absurdin pleksen dhe shpleksen nga dashuria.
Kryefjala dhe magjia e kësaj tufe poezish, që unë po e quaj metaforikisht një sagë epike dhe lirike bashkë, është dashuria simbolike fizike dhe metafizike, një figurë kjo e realizuar bukur artistikisht duke gërshetuar dashurinë intime njerëzore me dashurinë biofile.
Kjo dashuri simbiozë ka mendim, ka ndjeshmëri dhe koherencë artistike, pse jo dhe filozofike.
Merita më e madhe e autores është gërshetimi i këtyre dy dashurive, shkrirja e tyre në një figurë simbolike të unitetit njeri-natyrë.
Etaloni i këtij cikli është, për mua, poezia “Brenda syve të tu”:
“Mos m’i rrudh aspak liqenjtë e syve,
Brenda tyre, mos na plak në një ditë, të dyve,
Veç në to, prej kohësh shihem unë, e jotja,
Ashtu si mjelmat, ujërave të qelqta...
Në autokolona mërzie kalojnë retë,
Paradë e përkohshme që shthur udhëve rradhët,
Ti dhe unë jemi ata që mbesim pas të gjithave,
Ti liqeni e unë mjelma brenda syve...
Mos m’i rrudh aspak liqenjtë e syve,
Brenda tyre, mos na plak në një ditë të dyve,
Prej kohësh veten në to krejt kam tretur,
Imazh që me ëndrrat e tua fle puthitur...”
Në këtë poezi kyç poetja Armeninda Qyqja ka arritur një sintezë të lakmueshme të këndvështrimit poetik mbi ekzistencën.
Simbioza “liqen-njeri” është metafora më e përshtatshme.
Metafora polivalente “sytë-liqene”, “vajzë-mjelmë”, në sintoni dhe me “retë” e karvanit shtegtar udhëve të botës dhe të universit të krijojnë një koherencë dhe korrespondencë të arrirë artistike.
E gjithë poezia është një “peizazh ndjenjash”, që të përcjell në tërësi imazhin e kësaj simbioze poetike Njeri-Natyrë.
© Vangjush Ziko - Kanada












