Kanada

Samiti i G7 Kanada: Uashingtoni shmang Ukrainën nga deklaratat përfundimtare

  • Published in Kanada

Në samitin dy ditor që u zhvillua në Kananaskis të Albertës, vendet anëtare të G7 (Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Gjermania dhe Japonia) nënshkruan gjithsej shtatë deklarata të përbashkëta që trajtonin çështje si inteligjenca artificiale, teknologjitë kuantike, trafikimi i imigrantëve, persekutimi transnacional, parandalimi i zjarreve në pyje, menaxhimi i mineraleve kritike dhe situata në Lindjen e Mesme. Kjo e fundit, në të cilën liderët ripohuan mbështetjen e tyre për sigurinë e Izraelit dhe bënë thirrje për ulje të tensioneve në rajon, u publikua të hënën në mbrëmje (16.06.), pak pas largimit të papritur të presidentit amerikan Donald Trump. Ndërkohë Ukraina, presidenti i së cilës Volodymyr Zelensky mbërriti sot (17.07) në Kananaskis, nuk përmendet askund në këto deklarata.

Një burim qeveritar kanadez ka pohuar se Shtetet e Bashkuara, të cilat janë imponuar tashmë si ndërmjetës mes Kievit dhe Moskës, kanë kërkuar ta zbusin përmbajtjen e deklaratës përfundimtare, gjë që çoi në anulimin e çdo pozicionimi të fortë për konfliktin. Pas largimit të Trump nga Kananaskis, në takimet e G7, përfshirë atë dedikuar luftës në Ukrainë, mori pjesë Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

Listë e re sanksionesh

Më herët gjatë ditës së dytë të samitit (17.06.), Kanadaja dhe disa vende evropiane deklaruan sërish një front të përbashkët kundër Rusisë, duke shpallur një listë të re sanksionesh me synimin për ta detyruar atë të ulet në tryezën e negociatave për paqe me Kievin. U vendosën masa ndëshkuese ndaj 77 individëve dhe 39 entiteteve ruse. Sanksionet prekën edhe të ashtuquajturën “flota fantazmë” ruse, një grup prej afro 200 anijesh nafte të përdorura nga Moska për të eksportuar naftën, pavarësisht masave ndëshkuese ndërkombëtare.

Kryeministri Mark Carney njoftoi gjithashtu një ndihmë të re ushtarake prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë ndër të tjera fonde për dronë, municione dhe automjete të blinduara. Otava i akordoi gjithashtu Ukrainës një hua të re prej 2.3 miliardë dollarësh për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës dhe sistemeve publike. Gjatë një konference për shtyp përpara një takimi bilateral me presidentin Zelensky, kryeministri Carney theksoi rëndësinë e solidaritetit me Ukrainën dhe të ushtrimit të presionit maksimal mbi Rusinë, e cila ka refuzuar të ulet në tryezën e bisedimeve.

Paralelisht me Kanadanë edhe Londra shpalli sanksione kundër Moskës. “Këto sanksione godasin në zemër të makinerisë së luftës së Putinit, për t’i bllokuar kapacitetet e saj për të vazhduar luftën barbare në Ukrainë”, deklaroi kryeministri britanik Keir Starmer. Nga ana e tij të hënën (16.06.), presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për të shkuar shumë më larg me sanksionet, për ta detyruar Moskën t’i përgjigjej propozimit për armëpushim në Ukrainë.

Sanksionet? Nuk janë aq të thjeshta, sipas Trump

Para largimit drejt Uashingtonit, presidenti Donald Trump, i cili reklamon shpesh marrëdhënien e tij të veçantë me presidentin rus Vladimir Putin, nuk e fshehu skepticizmin e tij në raport me masat e reja ndaj Moskës. “Sanksionet nuk janë aq të thjeshta”, tha ai, duke theksuar se çdo masë e re do të kishte një kosto të madhe edhe për Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, kancelari gjerman Merz u shpreh me një optimizëm të kujdesshëm për faktin se vendime të reja mund të merren në Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të ardhshme për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë. “Të gjithë jemi dakord që duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund kësaj lufte sa më shpejt”, shtoi ai, gjatë një deklarate të shkurtër për gazetarët.

Në përfundim të Samitit të G7, shtatë deklaratat e përbashkëta u miratuan nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara. Deklaratat e përbashkëta që kanë të bëjnë me parandalimin e zjarreve në pyje dhe përmirësimin e menaxhimit të zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike u nënshkruan gjithashtu nga vendet e ftuara, përfshirë Indinë, Brazilin dhe Korenë e Jugut, ndërsa deklarata mbi persekutimin transnacional nuk u nënshkrua nga India, qeveria e së cilës pat qenë akuzuar nga autoritetet kanadeze për porositjen e vrasjes së një aktivisti sikh në British Columbia dy vite më parë. Gjatë qeverisje së kryeministrit Trudeau, New Delhi është akuzuar gjithashtu për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kanadasë.

Normalizohen marrëdhëniet diplomatike mes Indisë dhe Kanadasë

Kryeministri Mark Carney dhe homologu i tij indian, Narendra Modi, ranë dakord, në përfundim të takimit të tyre dypalësh, që të emërojnë komisarët e lartë respektivë me synimin për të rivendosur shërbimet e rregullta në dobi të qytetarëve dhe bizneseve të të dy vendeve.

Tetorin e kaluar, Kanadaja dëboi gjashtë diplomatë indianë, përfshirë Komisarin e lartë, të cilët dyshoheshin se kishin ndihmuar në kryerje vrasjesh, ushtrimin e presioneve si dhe akteve të tjera kriminale të dhunshme në tokën kanadeze. Në kundërpërgjigje, India nuk vonoi të zbatojë parimin e reciprocitetit, duke dëbuar nga ana e saj gjashtë diplomatë kanadezë nga territori i saj.

Sipas një komunikatë të publikuar nga zyra e kryeministrit Carney, gjatë takimit të tyre, në kuadër të Samitit të G7, “kryeministrat kanadez dhe indian diskutuan për partneritetet në rajonin indo-paqësor, si edhe për lidhjet e rëndësishme tregtare mes dy vendeve respektive, përfshirë partneritetet që lidhen me rritjen ekonomike, zinxhirët e furnizimit dhe transformimin e energjisë. Kryeministri Carney përmendi gjithashtu prioritetet në axhendën e G7, përfshirë persekutimin transnacional, sigurinë dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.

Gjatë konferencës së tij për shtyp në mbyllje të samitit, kryeministri Carney nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes nëse kishte përmendur gjatë takimit me Modin vrasjen e aktivistit sikh Hardeep Singh Nijjar në Vancouver, dy vite më parë. Autoritetet kanadeze kanë akuzuar zyrtarisht qeverinë Modi se ka urdhëruar këtë vrasje. India, nga ana e saj, akuzon Kanadanë se u ofron strehë militantëve separatistë që mbështesin krijimin e një shteti të pavarur sikh të quajtur Khalistan, në rajonin e Punjab-it.

Burimi: Radio-Canada dhe Agence France-Presse

Foto: Getty Images/AFP/Geoff Robins