Tarifat doganore: Donald Trump ndërpret negociatat me Kanadanë
- Published in Kanada
 
 Sipas medias shtetërore CBC/Radio-Canada, presidenti amerikan Donald Trump i ka ndërprerë sot (27.06.) të gjitha negociatat me Kanadanë lidhur me tarifat doganore. Lajmin e bëri të ditur vetë ai përmes rrjetit të tij social Truth Social, duke denoncuar taksën e re mbi shërbimet digjitale, të cilën ai e konsideron si një "sulm" kundër Shteteve të Bashkuara.
“Sapo jemi informuar se Kanadaja, një vend me të cilin është shumë e vështirë të BËSH BIZNES [...], ka njoftuar se do të vendosë një taksë mbi shërbimet digjitale - një sulm i hapur dhe i drejtpërdrejtë kundër vendit tonë”, shkroi Trump në postimin e tij.
Kjo taksë do të prekë me 3% të ardhurat e realizuara në Kanada nga gjigantët e teknologjisë. Megjithatë, kjo masë nuk është e papritur: Ligji për taksën mbi shërbimet digjitale e mori miratimin mbretëror në qershor 2024.
Kompanitë që realizojnë më shumë se 20 milionë dollarë të ardhura në Kanada kanë afat deri të hënën 30 qershor për të dorëzuar deklaratat për këtë taksë, e cila do të zbatohet mbi të ardhurat që prej vitit 2022.
“Për shkak të kësaj takse skandaloze, i japim fund TË GJITHA bisedimeve tregtare me Kanadanë, me efekt të menjëhershëm”, deklaroi Trump.
“Do t’i bëjmë të ditur Kanadasë tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara brenda shtatë ditëve të ardhshme”, shtoi presidenti, duke përsëritur pretendimin e tij se vendet e huaja janë ato që vuajnë pasojat e tarifave të vendosura nga SHBA.
Më vonë gjatë ditës, në Zyrën Ovale, Trump e cilësoi këtë taksë si "shumë të ashpër" dhe theksoi se nuk do ta ndryshojë vendimin e tij pa një tërheqje nga ana e Kanadasë.
“E imagjinoj që mund ta heqin taksën dhe ndoshta do ta bëjnë, por për mua nuk ka ndonjë rëndësi”, u përgjigj ai kur një gazetare e pyeti se çfarë mund të bëjë Kanadaja për ta bindur të ndryshojë mendim.
“Ekonomikisht, kemi shumë fuqi mbi Kanadanë”, shtoi ai. “Në këto rrethana, ata duhet të na trajtojnë më mirë.” Ai kritikoi gjithashtu edhe tarifat që, sipas tij, Kanadaja vendos për produktet e qumështit.
Javën e kaluar, ministri federal kanadez i Financave, François-Philippe Champagne, deklaroi se qeveria do të vijojë me zbatimin e kësaj takse të re, pavarësisht presioneve për ta pezulluar në kontekstin e negociatave me Shtetet e Bashkuara.
Qoftë nën presidencën e Joe Biden apo atë të Donald Trump, Shtëpia e Bardhë ka ushtruar presion prej muajsh që Ottawa të tërhiqet nga kjo masë, të cilën Uashingtoni e konsideron diskriminuese ndaj kompanive amerikane.
Burimi: Radio-Canada
Foto: Getty Images/Joe Readle
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










