A duhet Kanadaja të falimentojë për NATO-n? - Nga Francis Gosselin
- Published in Kanada
 
 - Nga: Francis Gosselin - Journal de Montreal

Një “vendim” i marrë ende pa nisur samiti i NATO-s javën e kaluar në Holandë detyron vendet anëtare që deri në vitin 2035 të shpenzojnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen ushtarake.
Asnjë debat publik. As konsultim. As demokraci, natyrisht.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, e quajti këtë objektiv “të paarsyeshëm dhe kundërproduktiv”. Sipas tij, trefishimi i arsenalit të bombave dhe tankeve që zotëron Perëndimi nuk ndihmon në ruajtjen e paqes globale. Dhe asaj sociale, për pasojë.
Ekonomia në shërbim të luftës
Ky objektiv i shprehur si përqindje e thjeshtë e PBB-së është i pazakontë, sidomos sepse injoron krejtësisht rezultatet. Në mënyrë normale, një shtet cakton një qëllim dhe përpiqet ta arrijë me kosto sa më të ulët. Por NATO nuk po flet për rezultate, por vetëm për shpenzim. Sa më shumë, aq më mirë.
Për disa shtete, industria e mbrojtjes është mjet për të gjallëruar ekonominë. Këtë e dinë mirë amerikanët, të cilët do të jenë përfituesit kryesorë të këtij planifikimi të ri ushtarak, falë kompleksit të tyre ushtarako-industrial. Franca dhe Gjermania nuk mbeten pas.
Kanadaja? Mund të shpërndajë disa miliarda për prodhues vendas, por pjesa më e madhe e “tortës” do të përfundojë jashtë kufijve. Nëse ky është një projekt ekonomik, atëherë është një bast i humbur që në fillim.
Çmimi i lartë i një gare të kotë armatimi
Një shpenzim i tillë nuk tregon asgjë për cilësinë e produkteve që blihen. Përkundrazi, tregu i furnizimeve ushtarake karakterizohet nga mungesa e transparencës dhe kosto të fryra nga teknologji që shpesh nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me nevojat reale të luftës apo të paqes.
Për ilustrim: tanku ZTZ-99 i prodhuar në Kinë kushton 2.3 milionë dollarë. Tanku Leopard 2A8, i prodhuar në Gjermani, arrin në 29 milionë. Është 12 herë më i shtrenjtë. A është 12 herë më i mirë?
Njësoj me artilerinë: M109 amerikan kushton 1.6 milionë për copë; modeli më i ri gjerman Rheinmetall RCH-155 shkon në 11.1 milionë. Ndërkohë, Ukraina ka prodhuar një version të vetin, 2S22 Bohdana, për vetëm 2.3 milionë.
Shtrohet pyetja: a fitohen më mirë betejat me armë katër herë më të shtrenjta? Asgjë nuk e garanton këtë.
Kanadaja ende në fillim të rrugës
Aktualisht, Kanadaja shpenzon rreth 1.4% të PBB-së për mbrojtjen - rreth 40 miliardë dollarë në vit. Për të arritur objektivin e NATO-s prej 5%, kjo shifër do të duhej të rritet në afro 110 miliardë dollarë. Me fjalë të tjera: defiçiti buxhetor do të rritet me 70 miliardë çdo vit.
Për krahasim, kjo është më shumë se totali i të gjithë shpenzimeve provinciale për arsimin në Kanada. Ose 3000 dollarë për çdo qytetar, dhe mbi 6000 dollarë për çdo tatimpagues, meqë më pak se gjysma e kanadezëve paguajnë realisht taksa.
Në Francë, ku defiçiti buxhetor tashmë ka kapërcyer 6% të PBB-së (kundrejt 2% në Kanada), është e vështirë të imagjinohet nga do të vijë ky financim.
“Gjalpë” apo bomba?
Me taksat tashmë në kufijtë e përballueshmërisë për qytetarët, e vetmja mënyrë për të financuar këtë plan do të ishte të shkurtosh në shpenzimet sociale.
A do të thotë kjo më pak mbulim shëndetësor publik? Më pak investime në arsim? Shkurtime në ndihmën sociale dhe për familjet? Apo heqje dorë nga ndihmat ndërkombëtare dhe programet e strehimit?
Po diplomacia? Kush ka nevojë për diplomaci kur ka në dorë një AK-47 të sapoblerë?
Burimi: Journal de Montreal
Foto: The Canadian Press/Jeff Mcintosh
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










