Ekskluzive - Albanian Book Festival Toronto në fokusin e organizatorëve dhe protagonistëve
- Published in Komunitet
- Nga: Flasshqip.ca
Siç është bërë e ditur në rrjetet sociale dhe nga disa media prej disa javësh, në datat 30 dhe 1 dhjetor 2024, organizata Albanian Canadian Development Alternative (ACDA) do të organizojë në Toronto Festivalin e Librit Shqip (Albanian Book Festival). Ky është aktiviteti më i madh kulturor në Kanada deri më sot kushtuar letrave shqipe.
Për të mësuar më shumë rreth këtij eventi gjithpërfshirës, Flasshqip.ca realizoi një intervistë ekskluzive me themeluesin e ACDA, filantropin dhe mentorin e festivalit z. Rudin Dakli, si dhe ftoi të shprehin opinionet dhe vlerësimet e tyre edhe disa prej autorëve pjesëmarrës dhe mbështetësve të ABF.
Flasshqip: Ky është eventi i parë i këtij lloji dhe niveli në Kanada. Çfarë do të thotë kjo për organizatorët? Cili është synimi dhe objektivi kryesor?
Rudin Dakli: Së pari, dua të falenderoj Flasshqip.ca për hapësirën e krijuar për të dhënë detaje mbi këtë event. Preferoj ta quaj eventi i parë i këtyre përmasave, sepse ka patur aktivitete të tjera për librin, që sado të vogla, e kanë mbajtur gjallë interesin për librin shqip në Kanada. Për ne si ACDA, ky do të jetë aktiviteti më i rëndësishëm i këtij viti dhe shpresojmë të dalë me sukses. Nëpërmjet këtij aktiviteti synojmë të arrijmë disa objektiva. Së pari, realizimi i një dëshire të lexuesit të diasporës në Kanada për të pasur një shumëllojshmëri titujsh dhe autorësh shqiptarë dhe të huaj në gjuhën shqipe, pa pengesat që krijon largësia. Së dyti, synojmë të mbledhim të gjithë autorët shqiptaro-kanadezë dhe t'u krijojmë mundësinë të takohen dhe të flasin me njëri-tjetrin, e mbase duke marrë shkas nga ky aktivitet, të organizohen më formalisht në një lloj klubi të autorëve shqiptaro-kanadezë. Kjo do ta bënte edhe më të lehtë organizimin e eventeve të tilla dhe përfshirjen e autorëve në organizimin e tyre. Së treti, duke sjellë librin shqip pranë komunitetit shqiptar në një formë të tillë, shpresojmë të ngjallim interesin e brezit të dytë të emigrantëve shqiptarë në Kanada, për t’u dhënë atyre mundësinë të krijojnë një ide më të qartë për nivelin dhe përmasat e levrimit të letërsisë shqipe. Së katërti, që është edhe një nga synimet kryesore të ACDA si organizatë dhe një nga arsyet kryesore të krijimit të saj, është prezantimi i letërsisë dhe kulturës sonë përpara publikut dhe lexuesit kanadez. Dhe së fundi, të vendosim në raftet e bibliotekave kanadeze librin në gjuhën shqipe.
Flasshqip: Ç’rrugë ndoqi përgatitja e aktivitetit që nga fillimi e deri tani? Cila ishte sfida më e madhe?
Rudin Dakli: Kjo ide ka kohë që qarkullon mes shoqatave shqiptare në Kanada. Pra, nuk është ide e re apo vetëm e jona. Diskutimet apo dëshira për realizimin e një aktiviteti të tillë kanë filluar në disa nga takimet me autorë shqiptarë në Toronto, të cilat kemi mbështetur. Pothuajse në çdo aktivitet do dëgjoje dëshirën e autorëve për të gjetur mundësi të sjellin librat e tyre pranë lexuesve këtu, pa pasur barrën e kostos dhe telashet e transportit. Bisedat e para i kam patur me T. Haxhillarin e RH Scholarship, pas organizimit të premierës së filmit “Fluturat”. Gjithmonë dilte pengesa e organizimit të mbledhjes dhe përgatitjes së librave në Tiranë, deri në nisjen e tyre për në Kanada. Ideja mbeti pezull, ndonëse dëshira për realizimin e saj nuk ndryshoi. Këtë vit, diku nga marsi (nëse nuk gaboj), pasi mbështetëm një grup të rinjsh shqiptarë të organizuar tashmë zyrtarisht në grupin “Albanian Youth”, pata rastin të takohem me liderin e tyre Valentin Çela. Ishte ky i fundit që hodhi idenë e kontaktit me një nga shpërndarësit e librave në Tiranë, që do ta lehtësonte përgatitjen dhe transportin e librave. Këtu mori fill procesi. U kontaktuan disa nga shpërndarësit kryesorë në Shqipëri dhe, pas disa diskutimesh, vendosëm bashkëpunimin me kompaninë shpërndarëse “Dita”, kontaktuar përmes “Albanian Youth”. Ne si ACDA morëm përsipër të gjithë riskun financiar të kësaj ndërmarrjeje, firmosëm kontratën dhe më pas filluam punën për sjelljen e librave këtu. Hapat e tjerë të organizimit i kemi bërë të njohur përmes postimeve tona në mediat sociale. Dua të shtoj këtu se e shikojmë këtë event si një mundësi që të gjitha organizatat shqiptare në Toronto apo në gjithë Kanadanë të japin kontributin e tyre.
Flasshqip : Po autorët, si e pritën idenë? A kanë ndihmuar me sugjerime?
Rudin Dakli: Sa i përket autorëve, dua të falenderoj fillimisht z. Taulant Dedja, për informacionin mbi krijuesit shqiptarë në Kanada. Lista e ofruar me emrat e tyre na dha mundësinë t’i kontaktojmë dhe të fillojmë bashkëpunimin me ta. Nga bisedat dhe komunikimi që kemi pasur, besoj që ideja është mirëpritur dhe pjesa më e madhe e autorëve do të jenë të pranishëm në event. Jemi duke vazhduar bisedat me autorët për mënyrën e prezantimit të tyre në festival dhe kemi marrë sugjerime mbi qasjen e takimeve të këtyre të fundit me lexuesit.
Flasshqip: Cila është lista e autorëve që do jenë të pranishëm me titujt e tyre në festival? Sa prej tyre e kanë konfirmuar prezencën?
Rudin Dakli: Duke synuar që festivali të kthehet në traditë, kemi krijuar edhe një faqe interneti dedikuar këtij eventi: https://www.albanianbookfest.com/ Aty kemi krijuar rubrikën “Autorë”, ku kemi vendosur informacionin për të gjithë autorët shqiptaro-kanadezë, për të cilët kemi patur mundësi të marrim informacion dhe po vazhdojmë të shtojmë emra të rinj. Pjesa më e madhe e tyre do të jenë në festival, me përjashtime të vogla. Veç tyre kemi edhe autorë shqiptarë me banim në SHBA që kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Gjithashtu, deri tani kemi dy autorë të ftuar nga ACDA që kanë pranuar të jenë pjesë e Festivalit: Prof. Gazmend Kapllanin, drejtues i katedrës së Albanologjisë në Universitetin De Paul në Çikago si dhe autorin e gazetarin e mirënjohur nga Shqipëria Enkel Demi.
Flasshqip: Nëse do të flasim me shifra për këtë event, cilat janë ato më domethënëset?
Rudin Dakli: Kemi sjellë mbi 5000 kopje librash. Janë mbi 750 tituj nga mbi 350 autorë dhe mbi 80 botues. Deri tani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen mbi 20 autorë, duke përfshirë dhe të ftuarit.
Flasshqip: Ku do të zhvillohet festivali?
Rudin Dakli: Festivali do të zhvillohet në një hapësirë të dedikuar për evente të tilla në Toronto, në Artscape Whychwood Barns, 601 Christie Street.
Flasshqip: Cili është programi i aktivitetit dhe ç’mund të evidentohet si element i veçantë?
Rudin Dakli: Programi i aktivitetit është akoma në përpunim, sepse jemi duke pritur konfirmimet përfundimtare nga autorët. Besoj se së shpejti do të kemi gati detajet. E veçanta, do të thosha, janë përmasat e aktivitetit dhe mundësia që u jepet autorëve dhe lexuesve të jenë pranë njëri-tjetrit për gati dy ditë.
Flasshqip: A ka organizata të tjera dhe individë që po e mbështesin përgatitjen? A ka sponsorë të tjerë përveç ACDA?
Rudin Dakli: Po. “AlbanianYouth” me Valentin Çelën, që siç e përmenda më sipër, na mundësoi kontaktin me shpërndarësen "Dita", z. Agim Tutulani që na vuri në dispozicion magazinën e kompanisë së tij për aq kohë sa do të na duhet, zj. Ina Xoxa e “Marlee Got Talent”, që po na ndihmon me organizmin e vullnetarëve, “Pasqyra Shqiptare” që ka marrë përsipër të bëjë një fushatë PR për festivalin përgjatë dy muajve dhe gjithashtu të pasqyrojë eventet, “RH Scholarship”, që do të na ndihmojë me vullnetarë për ditët e panairit, kompania “Interlane Logistics Inc” me Rei Daklin, që na mundësoi transportin e librave, individë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen si vullnetarë deri tani, si dhe z. Dritan Gavane, artist dhe dizajner që ka përgatitur logon dhe materialet grafike të Festivalit. Kam besim që do të kemi plot emra të tjerë që do t’i bashkohen kësaj liste. Dua gjithashtu të përmend në mënyrë të veçantë CEO-në e Agjencisë së Shpërndarjes së Librit “Dita” në Tiranë, zj. Kadire Rexha, e cila grumbulloi dhe përgatiti dërgesën me libra, pa ndihmën e së cilës ky event nuk do të ishte i mundur. Sa i përket dhurimeve, kemi një sponsorizim për stendën e librave historikë nga z. Agim Tutulani dhe presim edhe përmbushjen e dy premtimeve të tjera. Shpresoj që të ketë të tjerë që do t’i bashkohen kësaj ndërmarrjeje dhe në fakt, gjej rastin të bëj thirrje për kompanitë, por edhe individët që kanë mundësinë dhe dëshirën të na mbështesin financiarisht, që ta bëjmë këtë event një histori suksesi.
Flasshqip: Sa pritet të jetë pjesëmarrja?
Rudin Dakli: Çeshtjen e pjesëmarrjes po përpiqemi ta shikojmë me optimizëm. Duket nga biseda në rrethe të ndryshme që eventi po pritet me interes. Në fund të fundit, kjo do të jetë prova e parë (shpresojmë të mos jetë e fundit) që do të tregojë se sa i lidhur është komuniteti shqiptar në Kanada me librin shqip dhe gjuhën amtare.
Flasshqip: A do të ketë pjesëmarrje nga institucione kanadeze?
Rudin Dakli: Deri tani kemi konfirmimin e Bibliotekës së Torontos. Kemi kontaktuar edhe bibliotekat e universiteteve në Toronto dhe jemi në pritje. Do të ndjekim edhe një ide të hedhur nga z. Taip Sulko për kontaktin me botues kanadezë dhe shpresojmë të kemi edhe të tillë në event. Gjithashtu jemi duke kontaktuar edhe shoqata kulturore që mund të jenë të interesuara.
Flasshqip: … dhe në mbyllje të bisedës për të cilën ju falenderojmë, a dëshironi të shtoni dicka tjetër?
Rudin Dakli: Po. Do të kërkonim mirëkuptimin e të gjithë atyre autorëve apo botuesve të cilëve nuk u ka arritur fjala për këtë event përpara nisjes së dërgesës së librave. Është hera e parë dhe jemi të ndërgjegjshem që megjithë përpjekjet tona për të nxjerrë një event sa më gjithpërfshirës dhe dinjitoz, do kemi edhe mungesa. Faleminderit.
Opinione të disa prej autorëve pjesmarrës dhe mbështetësve të Albanian Book Festival
Artan Gyzel Hasani - Toronto
Festivali i Librit Shqip që do mbahet në Toronto është pa dyshim një lajm shumë i mirë. Një mënyrë dinjitoze dhe profesionale për të sjellë pranë publikut shqiptar të Kanadasë qindra tituj dhe autorë që përbejnë një pjesë të konsiderueshme të letërsisë shqiptare të shkruar në Atdhe dhe në Diasporë. Mendoj se një aktivitet i tillë i këtyre përmasave, që do të mbahet për herë të parë në këtë anë të Atlantikut, nderon jo vetëm organizatorët, por po aq edhe pjesëmarrësit, autorë dhe lexues. Por më shumë sesa letërsinë, nderon mirëfilli gjuhën shqipe. Edhe pse jemi të vetëdijshëm që jetojmë në një botë “online”, mendoj se ka ardhur koha të hapet një librari dhe bibliotekë e librit shqip në Toronto, e cila do t’i shërbente komunitetit shqiptaro-kanadez, kulturës, artit dhe gjuhës shqipe më shumë se çdo lloj organizate, shoqate dhe ambasade. Qoftë edhe në mënyrë simbolike ky shërbim. Vërtet nuk mund të dimë sa klientë dhe lexues do të ketë, por të paktën do dimë që diku në Toronto ndodhet një librari dhe biblioteke e librit shqip, sado modeste qoftë. Fakti që jetojmë si shqiptaro-kanadezë në një vend anglo-frankofon, nuk e zvogëlon borxhin e përhershëm që ne i kemi gjuhës shqipe. Përkundrazi.
Arben Kallamata - Toronto
Festivali i Librit shqip në Toronto është ndoshta ngjarja më e madhe, më e rëndësishme dhe më kuptimplotë kulturore e organizuar nga shqiptarët e Kanadasë. Nuk di të ketë pasur tjetër organizim ku të jetë përfshirë një numër i ngjashëm krijuesish: mbi 755 tituj librash, 81 shtëpi botuese dhe 358 autorë, një pjesë e madhe e të cilëve me banim në Kanada ose në Shtetet e Bashkuara. Them që është më e rëndësishmja për shkak të thellësisë dhe intensitetit që mbart vetë libri, i pakrahasueshëm me asnjë formë tjetër artistike. Është krejt logjike që një festival i tillë të zhvillohet në Toronto, ku ka një përqëndrim të ndjeshëm të forces intelektuale të shqiptarëve të larguar nga vendlindja. Duke uruar dhe falenderuar Alternativën Shqiptaro-Kanadeze të Zhvillimit (ACDA) për këtë nismë, dua të shpreh besimin që lexuesit dhe artdashësit shqiptarë të Torontos dhe të qyteteve përreth do të dinë ta tregojnë klasin e tyre me pjesmarrje të gjerë dhe aktive në këtë festë të veçantë të librit shqip.
Vangjush Saro - Vancouver
Organizimi i Festivalit të Librit Shqip në Toronto - ndër kryeqendrat më të mëdha të Kontinentit Amerikan - është një ngjarje e shënuar për Kulturën Shqiptare dhe për Diasporën në tërësi. Sigurisht, është me rëndësi edhe për vetë Kanadanë, si një vend emigrantësh dhe shumëkulturash. Mendoj, ngjarja merr edhe më përparësi po të kemi parasysh disa rrethana të jetës mbarëshqiptare asi me të cilat s’mund të krenohesh… (Kjo mund të ishte më e pakta dhe po përpiqem të “vizatoj” pa agresivitet, për të mos i lënduar edhe më pamjet.) Ngjarja fiton simpatinë e publikut dhe të institucioneve (në Kanada dhe në trojet shqipfolëse) edhe për shkak se libri sot nuk i ka punët mirë, për disa arsye, që s’është vendi të analizohen këtu. Kështu, për çfarë u tha më lart përmbledhtazi, festivali në fjalë projekton një dimension bindës të vlerave shqiptare në zhvillim dhe u përgjigjet pritshmërive e nevojave kulturore në shkallë të gjerë. Ndërkaq, të gjithë e dimë sa shumë punë e pasion duhet për të arritur në një event të tillë. Është rasti, pra, të përgëzojmë sinqerisht organizatorët, z. Rudin Dakli posaçërisht, t’u urojmë gjithë pjesëmarrëve suksese dhe të ftojmë publikun shqiptar dhe atë kanadez ta vlerësojnë ngjarjen.
Përparim Kapllani - Toronto
Festivali i Librit Shqip në Toronto, i organizuar nga Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim, do luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare në diasporë. Këtu janë disa pika kryesore që theksojnë rëndësinë e kësaj ngjarjeje të shënuar: trashëgimia kulturore, ekspozimi letrar, angazhimi i komunitetit, promovimi i shkrim-leximit, mundësitë e rrjetëzimit dhe shkëmbimi kulturor. Unë e shikoj si një mbështetje që u jepet autorëve shqiptaro-kanadezë në veçanti. Duke shfaqur autorë si Kallamata, Myrtaj, Turtulli, Hasani, Saro, Lolja, Dakli, etj., festivali nxjerr në pah kontributin e komunitetit shqiptaro-kanadez në peizazhin më të gjerë letrar këtu në Kanada. Në përgjithësi, Festivali i Librit Shqip jo vetëm që do ushqejë më shumë dashurinë për letërsinë, por gjithashtu do forcojë lidhjet e komunitetit dhe identitetin kulturor të shqiptarëve kudo që ata ndodhen.
Armenida Qyqja - Vancouver
Festivali i librit i cili do të mbahet në Toronto për herë të parë, është një aktivitet shumë i rëndësishëm dhe tejet i vonuar, për mendimin tim. Në këto tridhjetë e tre vite, pas-komunizëm, me qindra mijëra shqiptarë kanë vërshuar drej kontinetit të Amerikës së Veriut, kryesisht në qendrat e zhvilluara urbane përgjatë Atlantikut. Ky emigracion ka prodhuar madje dhe gjeneratën e dytë shqiptaro-kanadeze, çfarë do të thotë një përshkallëzim të humbjes së identetit kombëtar, sidomos në mungesën e theksuar të institucioneve të përhershme, si qendra komunitare apo kisha/xhamia, vende kulti që do të shërbenin si vatra kulture, unifikuese. Në kushte të tilla, prania e librit në gjuhën amëtare, bëhet dyfish më e rëndësishme, me rolin e parë atë të ruajtes së gjuhës amëtare në breza, të ruajtjes se kulturës dhe në atë informimit dhe formimit kulturor të individit. Si krijuese, do të thoja që ky festival është shumë i rëndësishëm për ne autorët dhe veçanërisht autorët e kësaj gjenerate, pasi na jep një mundesi për t’u bërë të njohur tek lexuesit emigrantë, të cilët sigurisht për shkak të largësisë nuk mund të jenë koherentë dhe të ndjekin gjithçka dhe as nuk kanë mundësinë për t’i blerë shumë nga këta libra, për t’i pasur në bibliotekat e tyre, në shtëpitë ku ata jetojnë në emigrim. Dihet dhe është e kuptueshme që realizimi i një aktiviteti të tillë, kërkon shumë punë dhe fonde dhe unë personalisht u jam mirënjohëse të tërë organizatorëve dhe vullnetarëve, por çfarë do të thoja tjetër veç kësaj, është fakti që nuk mendoj se dy ditë do të jenë të mjaftueshme për këtë panair. Obligimet e shumta që njerëzit kanë dhe shpërhapja e gjerë demografike e bëjnë paksa të vështirë pjesëmarrjen maksimale brenda një dritareje kaq të vogël kohore. Gjithsesi unë jam shumë entuziaste për këtë event dhe shpresoj të jetë i suksesshem dhe të shërbejë si gur themeli për festivale të tjerë në vazhdimësi.
Flurans Ilia - Montreal
Në 13 prill të këtij viti isha i ftuar nga Albanian Canadian Development Alternative (ACDA), për të parën herë gjatë këtyre njëzet viteve si emigrant dhe autor librash shqip, në Toronto, në një takim me lexues dhe artdashës të fjalës së bukur. Takimi titullohej “Fjalë midis brigjesh”. Tema e diskutimit ishte një gjetje e shkëlqyer nga organizatorët, nga më aktualet, me hapësirë tejet të pasur diskutimi, mbi raportet e një brezi autorësh tashmë, midis dy brigjeve, barrierave dhe horizonteve, kulturave dhe kufijve, gjuhëve dhe rrugëtimit të librit shqip, brezave dhe identitetit. Mikpritja ka qenë nga më të mirat jo vetëm në vështrimin njerëzor por, mbi të gjitha - e theksoj, me organizimin profesional të takimit. U ktheva në Montreal nga takimi, i mbushur shpirtërisht dhe mendërisht, plot shpresa dhe vetëbesim, në raport me librin shqip i cili ngjan si pikë uji në oqeanin e pafund të kësaj hapësire anglofone ku gjallon Amerika e Veriut, në të cilën jetojmë për çerek shekulli tashmë. Pas kthimit, midis komunikimeve me themeluesin e ACDA zotin Rudin Dakli u njoha fillimisht me idenë e tij origjinale të një Feste të Librit shqip tashmë në Toronto, ku do të përfshiheshin libra dhe autorë të kudondodhur në botë. Ideja e zotit Dakli më la pa fjalë. Një perspektivë të cilën as që e kishim shkuar në mendje, jo më ta mendonim si një realitet të mirëfilltë. Dhe ja ku jemi, në prag të Festivalit të Librit Shqip në Kanada, i pari i këtij lloji në Amerikën e Veriut, ku jetojnë dhe krijojnë autorë të fjalës shqipe. Them me bindje se është takimi më i rëndësishëm i shekullit dhe i botës kulturore të diasporës shqiptare. Sepse ashtu si kemi nevojë për muzikën, festat e flamurit dhe pavarësisë, po ashtu kemi nevojë për identitetin tonë kulturor dhe intelektual, formën më sipërore, jo vetëm të gjuhës dhe të fjalës, por të qenies tonë njerëzore, si mundësi zhvillimi shpirtëror, në një botë të kërcënuar seriozisht nga asimilimi i mekanizmit të njëtrajtshmërisë.
Taip Sulko - Ottawa
Mbajtja e Festës së Librit në Toronto është një ngjarje e rëndësishme kulturore. Nuk është fjala vetëm për përmasat e saj në mjediset e Artscape Wychwood Barns të Torontos do jetë e pranishme, do të flasë letërsia shqiptare e të gjitha trevave dhe gjinive, aty janë gati dhe në pritje për ne mbi 750 tituj librash, si 750 botë që fshehin aq shumë magji, aq shumë fantazi fjale, aq shumë personazhe që mendojnë, flasin dhe shprehin dashurinë njerëzore në gjuhën tone, në gjuhën shqipe. Këto ditë, këtu në Ottawa, shpesh kam biseduar me miqtë e mi, por edhe me kolegë krijues për këtë ngjarje të madhe të librit. Të gjithë pa përjashtim e presin me kërshëri këtë Festë, këtë shfaqje të bukur të identitetit, të shpirtit shqiptar. Dashamirësit e artit dhe kulturës, por në radhë të parë krijuesit dhe shkrimtarët shqiptarë në Ottawa i bashkon një mendim - ata do të do marrin pjesë në Festën e Librit para së gjithash si lexues. Ne jetojmë larg vendlindjes, disa nga ne shkojnë rrallë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut apo edhe në vende të tjera ku jetojmë ne shqiptarët. Tani është mundësia të përzgjedhim librat tanë të zemrës, ata që donim t’i gjenim, donim t’i lexonim me një frymë, por i kishim larg. Aty në mjediset e Festës na presin aq shumë libra artistikë, aty na presin librat e adhuruar të fëmijëve tanë, aty do jenë të shpalosur librat për historinë tonë, për identitetin, politikën, kulturën dhe artin shqiptar, por edhe librat më të mirë të letërsisë botërore, po ashtu edhe të letërsisë kanadeze që ne i bashkëpërkasim. Në këto ditë të librit ship, të fjalës shqipe do të ketë edhe veprimtari të tjera artistike dhe dëfryese, të cilat ne do mund t’i ndjekim dhe shijojmë së bashku me miqtë tanë pjesëmarrës. E dimë, 30 nëntori dhe 1 dhjetori në Festën e Librit në Toronto do të jenë ditë shlodhje dhe pasurimi shpirtëror. Për krijuesit, shkrimtarët dhe poetët, Festa e Librit mbart edhe më tepër kuptime dhe mundësi. Shkrimtarët dhe artistët pjesëmarrës do të jenë jo vetëm lexuesit e përkushtuar dhe të interesuarit më të etur të kësaj veprimtarie, por ata gjatë atyre ditëve do kenë mundësi të shumta të takojnë dhe shkëmbejnë mendime dhe përvojë me krijues të tjerë, të shkëmbejnë libra dhe të japin vlerësime për krijimet e sivëllezërve krijues. Po, është e vërtetë, shumë shqiptarë po e presin me kërshëri këtë ngjarje të madhe kulturore, Festën e Librit të Torontos. Falenderojmë ACDA që e ka ndërmarrë dhe po e përmbush këtë premtim kaq fisnik!
Ina Xoxa - Toronto (Marlee Got Talent)
Festivali i Librit Shqip në Toronto është një sipermarrje shumë e rëndësishme dhe gjigante me vlera letrare, patriotike, motivuese dhe largpamëse. Përgëzime shkrimtarëve, organizatorëve dhe në veçanti themeluesit të ACDA, Rudin Dakli. Ky Festival do të shërbejë jo vetëm si një burim për të pasuruar arkivat tona familjare, por edhe si një qendër promovimi e krijuesve tanë të talentuar. Prindërit dhe fëmijët e MGT-së kanë shfaqur interes të veçantë jo vetëm për të marrë pjesë në Festival, por edhe për të ndihmuar vullnetarisht. Gëzohem shumë që po lexoj në rrjetet sociale se si Festivali po mirëpritet me shumë entuziazëm nga i gjithë komuniteti ynë në Kanada. Fëmijëve tanë po u lëmë një dëshmi konkrete dhe të pasur në gjuhën amtare.
Agim Tutulani - Toronto (Albanian Canadian Civic League)
Është kënaqësi që më në fund dhe komuniteti ynë shqiptaro-kanadez të jetë mikpritës i një eventi të këtij niveli. Të bën përshtypje si sasia, po ashtu edhe cilësia e titujve, kopjeve e mbi te gjitha konfirmimi i shkrimtarëve të pranishëm. Jam veçanërisht i lumtur, sepse Toronto përgjatë dy diteve të ABF, do të kthehet në zemrën e dijes dhe kulturës shqiptare, jo vetëm për Kanadanë, por për të gjithë Amerikën e Veriut. Falenderoj njeriun fjalëpak e punëshumë, Rudin Dakli, që është përpjekur shumë dhe e bëri të mundshëm këtë event dhe jam fatlum që kam ofruar dhe unë ndihmën time modeste në sponsorizimin e këtij projekti që na bën krenar të gjithëve dhe që do jetë një risi, shpresojmë e përvitshme, për komunitetin shqiptaro-kanadez.
Genc Tirana - Toronto (Kryetar i bordit drejtues të ACDA)
Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim po organizon në fund të këtij viti Festivalin e Librit Shqip në Toronto. Kjo është një ngjarje e veçantë për komunitetin shqiptar që jeton në jugun e Ontarios dhe më gjerë në Kanada. Ky projekt i kësaj natyre në fushën e letrave vjen për herë të parë në Kanada. Organizatorët do t’u ofrojnë lexuesve shqiptaro-kanadezë rreth 750 tituj librash në shqip dhe anglisht. Numri i lartë i librave dhe autorëve të prezantuar në një aktivitet të vetëm e bën këtë projekt unikal në llojin e tij jo vetëm në Kanada por në të gjithë Amerikën e Veriut. Një festival libri i këtyre përmasave ëshë më tepër se një paradë e letrave shqipe në një vend të huaj. Ky është një shans për të emancipuar më tej komunitetin shqiptar në Amerikën e Veriut dhe për të sjellë bashkë të gjithë komunitetin. Një vlerë të veçantë merr edhe fakti që festivali i librit do të tërheqë vëmendjen dhe interesin e brezit të ri të rritur apo lindur jashtë kufijve të vendit amë. Objektivi kryesor në një festival libri është lexuesi. Lexuesi shqiptaro kanadez ka një diversitet të veçantë në krahasim me atë në Shqipëri. Është e natyrshme që brezi i dytë dhe i tretë i të emigruarve të parë ka dy-tre dekada nën efektin e një monokulture të Amerikës së Veriut. Një festival si ky ka qëllim që të integrojë më harmonishëm brezat duke afruar të rinjtë drejt literaturës dhe kulturës shqiptare. Duke prezantuar veprat më të mira të letërsisë sonë, projekti synon gjithashtu të rrisë interesin e autorëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Amerikën e Veriut. Ata sigurisht që do të jenë më të motivuar kur të shohin vizitorët në stendat e festivalit të interesuar që të lexojnë veprat e tyre. Festivali i Librit Shqip në Kanada duket një ndërmarrje që do t’i rezistojë kohës. Këtu ideja është që ky aktivitet të vazhdojë të mbahet për çdo vit duke synuar të tërheqë vëmendjen e të gjithë komunitetit shqiptar në Kanada e më gjerë. Për të realizuar një gjë të tillë Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim në bazë të strategjisë së saj ka vendosur zgjerimin e pjesmarrjes së vullnetarëve dhe të organizatave të tjera të komunitetit.
© Flasshqip.ca