Kanadaja organizon Samitin e G7 në një klimë të tensionuar: Ja çfarë duhet të dini
- Published in Kanada
 
 Kanadaja, e cila këtë vit kryeson presidencën e G7 mirëpret nga sot në Kananaskis, Alberta rreth pesëmbëdhjetë liderë nga mbarë bota për një samit mjaft të rëndësishëm.
Cili është roli i këtij samiti? Kush janë liderët e ftuar? Cilat janë temat kryesore në rendin e ditës? Ja pesë pika për të kuptuar këtë ngjarje ndërkombëtare madhore, që zhvillohet në një kontekst të tensionuar të shënuar nga përshkallëzimi ushtarak në Lindjen e Mesme dhe një luftë tregtare e paprecedentë e nisur nga Shtetet e Bashkuara.
Një samit me 50 vite histori
G7 është një forum diplomatik që bashkon shtatë nga ekonomitë më të mëdha të botës: Francën, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Japoninë, Italinë dhe Kanadanë.
Në themelimin e tij më 1975, grupi përbëhej nga gjashtë vende. Kanadaja iu bashkua një vit më vonë, më 1976. Fillimisht, qëllimi ishte të koordinoheshin politikat ekonomike pas krizës së naftës së vitit 1973, kur vendet anëtare të OPEP rritën çmimin e naftës me 70% për të protestuar kundër mbështetjes së vendeve perëndimore për Izraelin gjatë luftës së Yom Kippur.
Sot, megjithëse mbetet i përqendruar në çështjet ekonomike, G7 është shndërruar në një platformë ku liderët e fuqive të mëdha diskutojnë çështje të ngutshme globale: sigurinë ndërkombëtare, luftën kundër terrorizmit, krizën e refugjatëve, zhvillimin ndërkombëtar, ndryshimet klimatike dhe tranzicionin digjital.
Kush janë të ftuarit këtë vit?
Përveç shteteve anëtare, G7 fton çdo vit edhe liderë të vendeve të tjera me ndikim, për të zgjeruar diskutimet dhe për të shmangur apo zgjidhur krizat globale.
Sot, sipas Bankës Botërore, shtatë vendet e G7 nuk kryesojnë më listën e ekonomive më të fuqishme. Që prej 2010, Kina është e dyta pas SHBA, dhe që nga 2022, India renditet e pesta, duke kaluar Britaninë, ish-sundimtaren koloniale.
Lista zyrtare e të ftuarve në Kananaskis përmban disa emra më kontroversë se të tjerët. Ndër ta, kryeministri indian Narendra Modi, i cili do të marrë pjesë për herë të shtatë në një samit G7. Kjo ftesë sinjalizon një përmirësim të marrëdhënieve diplomatike mes Kanadasë dhe Indisë, të tensionuara që prej vitit 2023 kur ish-kryeministri Justin Trudeau akuzoi publikisht qeverinë indiane për përfshirje në vrasjen e një aktivisti sikh në afërsi të Vankuverit.
Mark Carney e ka justifikuar ftesën ndaj Modit, duke theksuar se temat si siguria energjetike dhe mineralet kritike janë të lidhura ngushtë me Indinë.
Gjithashtu, është ftuar edhe princi i kurorës saudite, Mohammed bin Salman. Edhe pse ai nuk do të marrë pjesë personalisht, ftesa është një sinjal i qartë i përmirësimit të marrëdhënieve Kanada-Arabi Saudite, të ndërprera mes viteve 2018-2023, pas kritikave kanadeze për arrestimin e një aktivisteje.
Mes të ftuarve janë gjithashtu presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidentja e sapozgjedhur meksikane Claudia Sheinbaum, kryeministri australian Anthony Albanese, presidenti brazilian Lula da Silva, ai i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa (aktualisht president i G20), presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Po ashtu pritet pjesëmarrja e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Çështjet kryesore në agjendë
Si vend mikpritës, Kanadaja ka përcaktuar prioritetet e këtij viti në bashkëpunim me anëtarët e tjerë.
Në krye të listës është siguria globale, që përfshin luftën kundër ndërhyrjes së huaj, krimit transnacional, zjarreve pyjore dhe forcimin e paqes në botë.
Po ashtu, theksi vihet te nxitja e rritjes ekonomike përmes përmirësimit të sigurisë energjetike, zinxhirëve të furnizimit me minerale të rralla dhe përshpejtimit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
Kanadaja shpreson të lidhë partneritete për të hapur tregje të reja dhe për të tërhequr investime të mëdha infrastrukturore.
Samiti gjithashtu synon të avancojë bisedimet për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë dhe në zonat e tjera të konfliktit global. Edhe pse konflikti në Gaza dhe tensionet Izrael-Iran nuk përmenden në deklaratën zyrtare, ato pritet të diskutohen.
Një tjetër temë kyçe është lufta tregtare e nisur nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj shumicës së vendeve të ftuara. Janë parashikuar takime bilaterale, dhe presidentja meksikane ka shprehur interes për një takim të veçantë me Trump. Edhe liderët evropianë synojnë marrëveshje para 9 korrikut, datë kur hyjnë në fuqi tarifat ndëshkuese të shpallura nga administrata amerikane. Uashingtoni ka lënë të hapur mundësinë për shtyrje për vendet që negociojnë në mirëbesim.
Po ashtu, tensionet me Kinën dhe stabiliteti në rajonin Indo-Paqësor, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore, do të jenë pjesë e diskutimeve.
Kujdes nga polemikat
Samitet e G7 nuk kanë qenë asnjëherë pa polemika. Në 2018, në Charlevoix të Kebekut, presidenti Trump braktisi samitin para përfundimit dhe e tërhoqi mbështetjen për deklaratën përfundimtare mbi tregtinë, duke e thelluar krizën për tarifat doganore.
Një tjetër pikë përplasjeje: Rusia. Trump ka kërkuar shpesh rikthimin e Rusisë në grup (i quajtur G8 pas anëtarësimit të Moskës më 1997). Por Rusia u përjashtua më 2014 pas pushtimit të Krimesë.
Në një takim me presidentin e Afrikës së Jugut Ramaphosa më 22 maj, Trump tha se lufta në Ukrainë mund të ishte shmangur nëse Rusia nuk do të ishte përjashtuar. Presidenti ukrainas Zelenskyy shpreson që G7 të rrisë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës.
Për të shmangur përplasjet, nuk do të ketë deklaratë përfundimtare të përbashkët nga liderët. Në vend të saj, do të publikohen deklarata të shkurtra mbi çështje specifike si mineralet kritike dhe zjarret pyjore.
Sfida organizative
Samiti i G7 në Kananaskis paraqet sfida të mëdha logjistike dhe sigurie. Është hartuar një plan evakuimi në rast se zjarret, që kanë prekur Manitoba, Saskatchewan dhe veriun e Albertës, përhapen edhe më tej. Mbi 30 mijë njerëz janë evakuuar.
Rajoni i Kananaskis nuk konsiderohet i rrezikuar aktualisht, por autoritetet janë në gatishmëri. Janë marrë masa gjithashtu për të shmangur kontaktin me kafshët e egra.
Samitet e G7 shoqërohen gjithmonë me protesta. Në terren, ekipet janë tashmë në gatishmëri, të përgatitura për të përballuar ardhjen e protestuesve, ndonëse ata do të mbahen larg drejtuesve të pranishëm gjatë gjithë samitit. Janë përcaktuar katër zona për protestuesit: tri në Calgary dhe një në hyrje të Banff. Autoritetet kanë njoftuar se protestat do të transmetohen drejtpërdrejt për liderët, që zëri i qytetarëve të mos injorohet.
Carney dhe Trump do të takohen nesër
Mark Carney do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump nesër (16.06.), gjatë Samitit të G7, ka bërë të ditur zyra e kryeministrit kanadez. Të dy drejtuesit pritet të bisedojnë rreth orës 9 të mëngjesit, me orën lokale, përpara hapjes zyrtare të samitit. Sipas të njejtit burim, bisedimet midis delegacioneve kanadeze dhe amerikane janë ende në vijim, me synimin për të arritur një marrëveshje lidhur me tarifat doganore amerikane. Për momentin, rezultati i këtyre bisedimeve mbetet i pasigurt. Presidenti amerikan pritet të arrijë në Calgary sonte në orën 21:00.
Kanadaja ka pritur deri tani gjashtë samite të G7:
-Charlevoix (Quebec), 2018
-Muskoka (Ontario), 2010
-Kananaskis (Alberta), 2002
-Halifax (Nova Scotia), 1995
-Toronto (Ontario), 1988
-Ottwa dhe Montebello (Ontario dhe Quebec), 1981
Burimi: Radio Canada
Foto: Twitter/RegSprecher
*Në foton lart, publikuar në Twitter në vitin 2018 nga ish-kancelaria gjermane, shihet Angela Merkel përballë Donald Trump, së bashku me ish-kryeministrin japonez Shinzo Abe (R.I.P.) me krahët e kryqëzuar, gjatë samitit të Charlevoix, Quebec.
 
     
 Ndue Dedaj
 Ndue Dedaj










