Publikohet “Libido”, vëllimi i ri poetik i Artan Gjyzel Hasanit
- Published in Komunitet
- Nga: Flasshqip.ca
“Libido” titullohet vëllimi i ri poetik i shkrimtarit të mirënjohur shqiptaro-kanadez Artan Gjyzel Hasani, i publikuar para pak ditësh në Tiranë nga Botimet M&B. Me individualitetin e tij të pazakontë, ashtu si edhe në libra të mëparshëm të tij, autori na tërheq mjeshtërisht në mënyrë të pakthyeshme në misteret e pafund të jetës dhe vdekjes, dashurisë dhe mungesës së saj, dinjitetit dhe depersonalizimit të individit dhe shoqërisë. Një un poetik vazhdimisht i dyzuar, ku shpesh Vetja është Tjetri.
Përtej figuracionit origjinal artistik dhe gjetjeve befasuese, graviteti filozofik, herezitë sociale, provokimi i moraleve të dyshimta, sarkazma dhe autoironia, mbeten tipare thelbësorë të krijimtarisë gjithnjë e më brilante të Artan Gjyzel Hasanit.
Për lexuesin e pasionuar dhe shijehollë, 93 poezitë e përmbledhura në faqet e “Libido”, përjetohen si një udhëtim tundues nëpër labirinthet e vargjeve në fund të të cilit, autori e lëshon dorën dhe të lë të lirë të vazhdosh i vetëm pjesën e mbetur që mund të jetë qiell ose humnerë.
“Libido” e Artan Gjyzel Hasanit, shtrihet përtej dëshirës seksuale që nënkupton ky term, duke vargëzuar një vullnet individual për të mos iu dorëzuar vdekjes para kohe. Çdo lloj vdekjeje apo vrasjeje të shpirtit. “Më shumë sesa viktima, ne jemi vrasës” thotë një poezi e tij e dikurshme dhe duke i kërkuar ndjesë vetes, autori duket sikur lan mëkatet tona.
Për autorin e “Libido” jeta është një femër me të cilën duhet të shkosh në shtrat edhe kur nuk mundesh. Është e vetmja mënyrë për t’i mbijetuar vdekjes së padukshme të përditshmërisë.
Flasshqip e uron përzemërsisht Artan Gjyzel Hasanin për publikimin e “Libido”, libër të cilin publiku shqiptaro-kanadez do mund ta ketë në duar gjatë ditëve të Festivalit të Librit Shqip, që do të zhvillohet sivjet në fund të muajit nëntor në Toronto, nën kujdesin e ACDA (Albanian Canadian Development Alternative).
Më poshtë përzgjodhëm për lexuesit poezinë që i ka dhe titullin librit:
LIBIDO
tashmë polenin nuk e mbledh nga lulet e bukura
por nga krahët e fluturave të tua të çmendura…
ikur mëndsh s’mund të fluturoj më larg
se barku yt
aty është shëtitorja e buzëve të mia
në petalet pak më poshtë
dhe ujëvarat pak më lart
kam hequr dorë nga ajri i ndotur atje jashtë
rroj me pluhurin tënd të pastër
dhe pa sukses kujdesem çdo ditë për fluturat
që asnjëra prej tyre të mos largohet e paçmendur
dhe me krahët e çpluhurosur para kohe…
por ato jo gjithnjë çmenden
ndodh që edhe vdesin bashkë me ne
madhështorja vdekje e vogël
dhe ti s’ma thua kurrë këtë
nuk mban zi, por qesh
dhe me fluturat në bark
e mua në gji
e djersitur si avulli
iu fshin lotët
pjesëve të pabindura të trupit tim…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani