Kolumnist

Ia sjell Inteligjenca Artificiale ujin qytetarit? - Nga Vangjush Saro

Nuk mund të ndjehesh mirë, teksa shikon se si qytetarët shqiptarë vazhdojnë të merren nëpër këmbë nga politika; këto kohë, përkatësisht nga zotërinjtë (apo shokët?) socialistë dhe nga kreu i tyre, një demagog i pashoq. Por ja, na qenka mahnitur bota e tërë që Shqipëria, e para në rruzull, po vë në lëvizje Inteligjencën Artificiale, për të qeverisur vendin mirë e më mirë… (“Lepuri në mal, kusia në zjarr.” Popullore)

Po të ishte se sajoheshin gjërat me Deus ex machina, kishin gjetur zgjidhje me kohë të gjitha porositë (në fakt, nevojat) për të cilat përpiqet aq shumë qytetari i shkretë, rëndom duke i mbajtur sytë nga qeveria, nga administrata, nga politika. Se nuk bëhet fjalë për kushedi çfarë, por për ujë, qetësi, rend, minimum jetik, siguri nga përmbytjet… hë, u bënë shumë? S’ka problem, mbase do të sosen të gjitha në mandatin e katërt.

Si ta vërtisim argumentin: Lum kush beson apo mjerë kush beson?! Për fat të keq, ky shtet, i shtirur në gjithçka, vazhdon me “rekorde” të imituara që nga kohërat me Socializëm dhe me fitore madhështore, të shkëlqyera. (Çmimi për Ushqimin, ishte një nga fitoret, ashtu de, farsat më të ulëta e më të shëmtuara të asaj kohe.) Po t’u kthehesh premtimeve të socialistëve (specialistëve, siç thoshte Pjetër Arbnori i pafat) do të kuptosh më mirë ç’do të thotë mashtrim: Aeroporte. Hekurudha. Akademi. Shkolla. Turizëm. (“U mbars mali dhe polli një mi.” Popullore)

Këtu më lart, folëm për punë të mëdha, vepra të themi; por sërish harruam plotësimin e nevojave elementare të qytetarëve. Ujë, bie fjala. Vjen gjithnjë me orar, ose pa orar; por jetë e mot me kufizime, me pasiguri. Është të vësh duart në kokë. Nuk besoj se ka ndonjë vend tjetër në Ballkan, pa le më në Evropë, që të diskutojë e të vuajë ende në këtë temë. Prandaj edhe në titullin e këtij shkrimi shtrova pyetjen: Ia sjell IA-ja ujin qytetarit?

Të bëjmë pak pushim. Nuk e kisha me Diellën, jo; se ajo është histori më vete. (Pikërisht, në lëmin ku gjithnjë ka pasur abuzime, në Prokurimet Publike, për herë të parë në historinë e Njerëzimit, Shqipëria vendos një ministreshë të pazakontë, Inteligjencën Artificiale. Bravo! Si “Bravo”? Për shtirjen apo për besimin?)

Ani, shqetësimi në këto radhë ishte gjetkë. Përtej përbetimeve dhe ëndrrave për mbështetjen tek Inteligjenca Artificiale, nuk mendoj se disa halle të mëdha të atij vendi, më së pari problemi shekullor i furnizimit me ujë të pijshëm, do të zgjidhen. Apo kushedi, ka mundësi t’i japë dum kësaj punë Inteligjenca Artificiale, që po përdoret si një artific nga kryeministri dhe qeveria e tij e sapoemëruar, duke mëtuar kështu t’u shpëlajnë trurin shqiptarëve (?!)

Të ikim nga dokrrat e propaganda, por edhe nga ironitë, dhe të vijmë në realitetin kokëfortë. Fakti është që z. Rama dhe administratës së tij, me gjithë disa punë të mira, nuk i mjaftuan tre mandate për t’ia garantuar qytetarit furnizimin me ujë. (Më së pari në kryeqytet, çfarë absurdi! Ndjesë se po e zë goje shpesh, por nga e keqja.) Nuk i mjaftuan ato për të liruar hapësirat publike. (Siç është parë, vetëm këto muajt e fundit u hodhën në aksion për çka rëndon mbi qytetarët në dekada.) Nuk mjaftuan gjithashtu ato tre mandate as për të realizuar minimumin jetik. (Varfëria thellohet, shumë njerëz largohen nga vendi; sidomos më të rinjtë.) Kishte mbetur puna për një mandat të kartërt për t’u plotësuar këto mangësi që, në fakt, janë episode jetike për një vend normal.

Ç’mund të themi më shumë? Tani, mirë a keq, si vihet në punë kjo administratë: vetëm nga frika e kryeministrit apo edhe nga ajo e… opozitës? Mbase s’është pa gjë thënia (shumë popullore këtë herë) që… frika ruan vreshtin. Po a shkon kjo fjalë me rendin në fjalë: Demokracinë?

© Vangjush Saro - Vancouver