Kolumnist

Kanada-Shqipëri: Ndikimi i politikës, mendja e hapur dhe e vërteta - Nga Endrit Mullisi

Politika nuk është vetëm fushatë zgjedhore, premtime boshe, apo debate televizive. Ajo është mënyra se si merren vendimet që ndikojnë çdo hap të jetës sonë të përditshme. Në Kanada, si në çdo vend tjetër demokratik, politika prek shëndetësinë, arsimin, iniciativat sociale, biznesin, martesën, familjen dhe fenë. Shpesh duam të besojmë se politika është diçka e largët, që ndodh në parlament apo bashki, por në të vërtetë çdo vendim që merret në Ottawa, në një provincë, apo edhe në një bashki të vogël, na prek direct, qoftë në çmimin e bukës, në cilësinë e arsimit, apo në lirinë për të jetuar sipas besimit tonë.

Në Shqipëri kjo është edhe më e dukshme. Politika aty ka prekur deri edhe furnizimin me drita e ujë, punësimin, emigracionin, madje edhe jetën familjare. Çdo qytetar shqiptar e di se vendimet politike kanë ndikuar nëse dikush ka ikur jashtë vendit, nëse një biznes ka mbijetuar, apo nëse një shkollë funksionon si duhet.

Shëndetësia: Politika e jetës dhe e vdekjes

Në Kanada, sistemi shëndetësor falas është krenari kombëtare, por shpesh i mbushur me pritje të gjata dhe mungesa shërbimesh. Pse? Sepse politika vendos ku shkojnë fondet, çfarë mbulohet dhe çfarë jo. Vendimet për buxhetin nuk janë numra abstraktë, por prekin jetën e një gjysheje që pret për kimioterapi, apo një fëmije që ka nevojë për ndihmë psikologjike. Në Shqipëri, politika e shëndetësisë shpesh është një tregti mes interesave dhe realitetit. Spitalet publike lihen pas dore, ndërsa shumë shërbime kërkojnë pagesë nën dorë. Edhe këtu politika është çështje jete a vdekje.

Arsimi: Formësimi i së ardhmes

Asgjë nuk është neutrale në arsim. Çfarë mësojnë fëmijët në Kanada për historinë, për klimën, për identitetin, nuk është thjesht fakt, por interpretim politik. Një qeveri vendos një kurrikul, një tjetër e ndryshon. Në Shqipëri, librat e historisë kanë ndryshuar disa herë sipas partisë që ka qenë në pushtet. Kjo tregon qartë se politika jo vetëm përgatit nxënës të arsimuar, por formon botëkuptime dhe identitete. Një brez i tërë rritet me atë që politika vendos si “të vërtetë”.

Iniciativat sociale: Politika e mëshirës

Kanadaja e paraqet veten si vend social dhe përfshirës. Subvencionet për fëmijët, ndihma për të varfërit, programet për azilkërkuesit, të gjitha varen nga politika. Pyetja nuk është a duhet ndihmuar, por si dhe sa. Në Shqipëri, “politika sociale” shpesh është përdorur si kartë për të blerë vota: ndarje ndihmash në prag zgjedhjesh, pensione minimale që nuk mbulojnë jetesën, ose programe që ekzistojnë vetëm në letra. Mëshira kthehet në instrument politik, dhe jo gjithmonë në ndihmë reale. Nëse një i ri largohet jashtë vendit sepse nuk gjen punë pa u perfshire me politike, kjo është një vendimmarrje politike që ka shkatërruar një familje dhe sistem të tërë, kur politika është më e rëndësishme se meritokracia.

Biznesi: Treg i lirë apo i lidhur?

Në Kanada, politika përcakton taksat, ligjet e punës, marrëveshjet tregtare. Një kafene e vogël në Toronto mund të mbyllet jo nga mungesa klientësh, por nga taksat dhe rritja e pagës minimale që qeveria ka vendosur. Në Shqipëri, biznesi është edhe më i ndikuar nga politika. Shumë sipërmarrje të vogla nuk mbijetojnë dot pa lidhje me pushtetin, ndërsa të mëdhatë shpesh favorizohen me tendera dhe lehtësira. Kjo e bën “tregun e lirë” në fakt një treg të kontrolluar nga politika.

Martesa dhe familja: Rishkrimi i normave

Në Kanada, politika ka ndryshuar përkufizimin e martesës dhe familjes. Vendime për të drejtat e komuniteteve LGBTQ, për ligjet e birësimit dhe për identitetin gjinor nuk kanë qenë vetëm juridike, por edhe kulturore. Politika këtu ka shkuar deri aty sa ka riformuar kuptimin e vetë marrëdhënieve njerëzore. Në Shqipëri, familja shpesh shihet si “e shenjtë”, por vitet e fundit kane treguar që politikanët janë të gatshëm të shesin gjithçka që të bëhen palë me një grup apo agjendë të caktuar.

Praktikimi i besimit: Një hapësirë gjithnjë në provë

Në Kanada, liria e fesë është e mbrojtur, por shpesh vihet në provë. A mundet një mjek i krishterë të refuzojë të kryejë një procedurë që bie ndesh me ndërgjegjen e tij? A mundet një shkollë e krishterë të ruajë identitetin e saj dhe të marrë financim publik? Këto janë pyetje politike. Ndërsa ne Shqipëri, feja ka dalë nga një periudhë ndalimi total nën komunizëm. Sot gëzon liri, por shpesh përdoret për qëllime politike, për të krijuar imazhe, për të legjitimuar pushtetin, apo për të fituar simpati tek votuesit. Edhe këtu politika nuk rri jashtë mureve të kishës apo xhamisë.

Politika si interpretim, jo si e vërtetë e plotë

Politikanët rrallë i nxjerrin të gjitha faktet në tavolinë. Ata nxjerrin vetëm ato që përforcojnë narrativën e tyre. Vendimet merren “në emër të shkencës”, “në emër të drejtësisë”, “në emër të së vërtetës”. Por shkenca citohet pjesërisht, drejtësia riformulohet, e vërteta përdoret si armë. E shohim kur një qeveri thekson vetëm sukseset dhe fsheh dështimet dhe kur opozita bën të kundërtën. E shohim kur qeveritë e ndryshme nxjerrin vetëm statistikat që u interesojnë. Qytetarët shohin një të vërtetë të cunguar.

Si të përgjigjemi? Mendje e hapur dhe kërkim i pareshtur i së vërtetës

Zgjidhja nuk është cinizmi, as verbëria. Është mendja e hapur. Një mendje e hapur lexon jo vetëm ata burime që i pëlqejnë, por edhe ata që e shqetësojnë. Një mendje e hapur dëgjon të majtë e të djathtë, besimtarë e skeptikë, nacionalistë e ndërkombëtarë. E vërteta nuk ka frikë nga pyetjet. Nëse diçka është e vërtetë, ajo qëndron edhe kur sfidohet. Nëse është e rreme, duhet te rrëzohet. Për këtë arsye, qytetari i përgjegjshëm nuk është thjesht konsumues lajmesh, por kërkues i së vërtetës.

Qytetari shqiptar dhe kanadez, pavarësisht dallimeve, ka një përgjegjësi: të mos e lërë politikën të bëjë ligjin pa zërin e tij. Vendimet e sotme përcaktojnë shëndetin, arsimin dhe liritë e brezave që vijnë. Nëse ne heshtim, politika prapë do të ndikojë jetën tone, por pa kontributin tonë.

E vërteta na bën të lirë, në politikë, në fe, në familje dhe në shoqëri.

© Endrit Mullisi - Toronto