Shkolla e konsoliduar, garanci për të ardhmen e kombit - Intervistë në Montreal me Zejadin Dedincën
- Published in Komunitet
Zejadin Dedinca, shqiptari nga Kosova me banim në Montreal, ka qenë prezent disa herë në hapësirat e faqes tonë Flasshqip. Jo vetëm për lajme lidhur me veprimtarinë e tij filantropike në kuadër të projektit “Dhuratë një kompjuter”, që ai e zhvillon pa zhurmë e bujë, por edhe me shkrime publicistike për tema që lidhen me identitetin shqiptar, gjuhën, politikën apo jetën e përditshme në Kosove, Shqipëri e kudo që jetojnë shqiptarë. Ai udhëton dy herë në vit drej trojeve shqiptare dhe pasioni i tij, jashtë punës si specialist IT, është të ndihmojë nxënësit e shkollave me kompjutera e pajisje elektronike që lehtësojnë procesin mësimor, mjete që ai i siguron apo riparon duke i rikthyer në gjendje funksionimi si të ishin të reja me investimin e tij krejt personal. Ai këtë kontribut nuk e ndërpreu as në kohën e vështirë të pandemisë.
(Zejadini nxënës në 8-vjeçare, poshtë nga e majta në të djathtë i katërti)
Zejadin Dedinca ka lindur dhe është rritur në fshatin Lajthishtë të komunës Kastriot, dikur me emrin Obiliq. Kjo zonë, gjeografikisht e ndodhur në pjesën qendrore të Kosovës, e furnizon gjithë territorin e vendit me energji elektrike falë linjitit që përmban nëntoka e saj, por siç shpjegon vetë ai, prejardhja e të parëve të tij është nga fshati Dedincë, prej edhe nga e kanë trashëguar mbiemrin. Dedinca ndodhet në Serbi, në territorin e komunës së Kurshumlisë… Fëmijërinë dhe rininë ai e kujton si kohë të vështirë, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për gjithë familjet e tjera të bashkëmoshatarëve në vendlindje. Megjithatë solidariteti me njeri-tjetrin ishte i veçantë, lidhjet njerëzore shumë të forta. Të veçanta ishin dhe lojërat dhe lodrat që ai i kujton me nostalgji. Lodrat nuk ishin si të sotmet, por ato fëmijët i krijonin dhe modifikonin më shumë vetë duke përdorur mjete rrethanore e duke u dhënë forma të ndryshme, varësisht nga imagjinata dhe varësisht nga loja që luhej.
-Çfarë simbolizonte loja apo aktivitete të tjera për ty Zejadin kur ishe fëmijë?
Kur luanim, bëheshim bashkë e gjithë lagjja. Ndjenim lumturi e kënaqësi në maksimum. Zbaviteshim me orë të tëra duke luajtur, por edhe ndihmonim prindërit. bënim edhe punët e të rriturve, disa prej të cilave ishin të vështira për ne si të rinj. Kjo pjesë na forcoi karakterin dhe na rriti kapacitetin për të përballuar vështirësitë e jetës. Në fund të fundit, një ditë edhe ne do të bëheshim kryefamiljarë… Sigurisht edhe kushtet e shkollimit ishin të vështira. Na mungonin shpesh gjëra elementare, por kujtoj se kurrë nuk na mungoi motivimi për t’u shkolluar e për të nxënë dije.
-Çfarë të ka mbetur më shumë në mendje nga vitet para largimit nga Kosova?
Ajo çfarë më ka mbetur në mendje është dashuria që kemi pasur për njëri-tjetrin, mbështetja që e kemi ofruar pa kushte dhe e kemi bërë me gjithë shpirt. Dashuria ka qenë dashuri e sinqertë dhe e pastër, si dashuria familjare, dashuria shoqërore, po ashtu edhe ajo bashkëshortore. Ndonëse nga ana ekonomike ishim shumë të varfër, nga ana shpirtërore ndiheshim shumë të pasur. E them këtë, për të bërë dallimin me ditët e sotme, kur shpesh pasuria ekonomike kontraston me hipokrizinë apo varfërinë shpirtërore.
-Si ndodhi që vendose të imigrosh në Kanada?
Askush nuk besoj që largohet nga vendlindja e vet vetëm nga dëshira. Një njeri largohet nga vendlindja e tij vetëm atëherë kur nuk ka rrugëdalje tjetër. Vitet 90-të e gjetën Kosovën të pushtuar nga okupatori serb. Shkollat u mbyllën dhe për punë as që mendohej. Ishte koha kur secili luftonte për të mbijetuar, ndaj dhe vendosa të largohem nga vendlindja në vitin 1993. Fillimisht jetova si refugjat në Gjermani, pa të drejtë pune e pa të drejtë shkollimi. Kohë e vështirë, kur rreziku i dëbimit të qëndronte si çekan mbi kokë. Më pas shkova në Britaninë e Madhe, ku kalova 5 vite. Aty të paktën kishim të drejtë pune e shkollimi dhe prej andej imigrova në Kanada dhe nga viti 2005 jetoj në Montreal. Kush e ka njohur apo e njeh Kanadanë, besoj e di që është vendi i mundësive. Me punë shumë e gjumë pak (shkoja në shkollë ditën, ndërsa në punë pasdite dhe në mbrëmje) ia arrita të kem profesionin që e kisha ëndërruar që në fëmijëri, specialist për sistemet dhe rrjetet mikrokompjuterike. Programin intensiv të studimeve e kreva pranë kolegjit Herzing.
-Kur e ke vizituar për herë të parë Shqipërinë dhe si e kujton atë ditë?
Shqipërinë për herë të parë e kam vizituar në vitin 2007. Kisha shumë emocione dhe u ndjeva mirë kur shkela tokën që kisha ëndërr që nga fëmijëria. Duke pritur në radhë për kontrollin e pasaportave, aty pranë kaloi një polic dhe i them djalit: “Këtu është Shqipëria dhe policia mban shqiponjën në uniformë”. Që nga vizita ime e parë, në krahasim me vizitën time të fundit kam parë dallime të shumta në aspektin pozitiv. Dhe shpresoj se në vizitën time të radhës do të shoh përparime edhe më të mëdha në të gjitha aspektet jetësore.
-Si të lindi ideja për të ndihmuar shkollat në viset shqiptare?
Ideja për të ndihmuar shkollat në viset shqiptare më ka lindur duke kujtuar kohën kur unë kam qenë nxënës. Në vitet 90-të, okupatori serb i mbylli shkollat dhe ne mësonim fshehurazi nëpër shtëpi. Në realitet asokohe nuk kam qenë nxënës i mirë dhe nuk e dija arsyen se pse nuk isha nxënës i mirë. Kur imigrova në Kanada, duke parë kushtet që u ofroheshin nxënësve e kuptova arsyen se pse nuk isha dikur nxënës i mirë. Reflektova mbi të kaluarën time dhe konkludova se ishin kushtet në shkollë të cilët kishin ndikuar që unë të mos isha nxënës i mirë dhe të më mungonte motivimi për arsimim. Ja kështu më lindi ideja të ndihmoj shkollat në viset shqiptare. Besoja që diku është një nxënës sikur unë isha dikur. Besoja që diku një nxënës është duke u penalizuar për shkak të kushteve dhe mungesës së pajisjeve në shkollë. Ndaj shpresoj që të ketë sa më pak, ose të mos ketë kurrë më nxënës si në kushtet e mia dikur. Shkolla e konsoliduar dhe shkollimi i mirë i të rinjve janë garancia për prosperitetin e çdo kombi.
-Si e sheh ti personalisht situatën aktuale në Kosovë dhe perspektivën më tej?
Qysh nga çlirimi në vitin 1999 e deri më sot, Kosova ka arritur të bëjë një përparim të dukshëm. Në vetëm pak vite si shtet i pavarur dhe demokratik, Kosova ka realizuar gjëra që ndoshta shteteve të tjerë të krahasueshëm me të u janë dashur dekada e dekada të tëra. Sot Kosova si kurrë më parë ka konsoliduar pavarësinë dhe shtetformimin dhe po afirmohet gradualisht në arenën ndërkombëtare, edhe pse ka shumë pengesa për arsye që dihen. Pra sipas meje, Kosova është duke u ngritur lart me hapa të ngadaltë por të sigurt. Sigurisht ajo ende përballet me shumë sfida, por vlen të theksohet se kalimi i sfidave e bën një shtet më të fuqishëm.
-Shoqatat komunitare këtu ku jetojmë, bëjnë përpjekje gjithnjë e më shumë për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare. Si e vlerëson punën e deritanishme?
Shoqatat janë duke bërë një punë të mirë, veçanërisht për shkollat shqipe, që tashmë janë funksionale. Ky aspekt është shumë i rëndësishëm, pasi fëmijët dhe të rinjtë kanë mundësinë të mësojnë e trashëgojnë gjuhën e prindërve dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre në të folur, lexim dhe shkrim. Gjithsesi mendoj se duhet të ketë më shumë aktivitete kulturore. Nuk mjaftojnë vetëm mbrëmjet festive me këngëtarë, ku këndohen të njejtat këngë e kërcehen të njëjtat valle, apo mbahen të njëjtët fjalime. Duhet të jemi më kreativë… Po ashtu bizneset dhe profesionistët e fushave të ndryshme mund të bashkëpunojnë më shumë. Mbi të gjitha, për mendimin tim nuk më duket shumë e udhës ekzistenca e shumë shoqatave, ndërkohë që të qënurit bashkë na bën më të konsoliduar si komunitet. Mbase kjo vjen edhe pse kemi një të metë të madhe që na pengon (historike do thoja), secili prej nesh dëshiron të jetë shef më vete, prijës ose i parë. E kemi një qëllim, por duam ta arrijmë secili në mënyrë individuale. Krijojmë shoqata me qëllime të njëjta por me emra të ndryshëm. Suksesin duam ta arrijmë secili më vete dhe mos ta ndajmë me asnjë tjetër… Sipas meje, të bashkuar bëhemi më të fortë. Ende pas 556 vitesh, mesazhi për bashkim i Skërnderbeut para vdekjes është aktual kudo që jetojnë shqiptarë…
-Çfarë të tërheq më shumë jashtë profesionit tënd dhe punës së përditshme?
Më tërheqin veçanërisht aktivitete që lidhen me idetë dhe krijimin e projekteve apo programeve për ruajtjen në vazhdimësi të gjuhës shqipe. Më tërheq angazhimi në projekte të ndryshme në ndihmë të atdheun. Më tërheq të lexoj libra të ndryshëm për tema që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe shqiptarinë. Po ashtu, më tërheqin udhëtimet në çdo pjesë të trojeve shqiptare në Ballkan si dhe përvojat e ndryshme frymëzuese prej këtyre udhëtimeve. Kam interes për vendbanimin e të parëve të mi. I kam vizituar ato vise, që ndodhen në territorin e Serbinë së sotme, e që dikur ishin pjesë e Kosovës.
-Besojmë kështu u jetësua pak nga pak dhe projekti yt në ndihmë të shkollave…
Sigurisht, njohja më shumë e realitetit atje, rëndësia e shkollimit në kushte sa më të mira, më shtyu të ideoj dhe realizoj projektin tim ‘‘Dhuratë një kompjuter’’. Në takimet e shumta që kam patur në këtë kuadër, jo vetëm më drejtues të ë arsimit, por edhe me politikanë, kam theksuar sidomos rëndësinë e projekteve dhe aktiviteteve që si plan të parë kanë kultivimin e atdhedashurisë tek fëmijët dhe të rinjtë.
-Falemnderit për kohën Zejadin. Do të takohemi sërish së shpejti në Flasshqip për të folur për tema të tjera, po ashtu të lidhura me angazhimet tuaja.
© Flasshqip.ca - 21 shtator 2024